MENU
klinika

“Do të procedohet me grupe të lëvizshme dhe…“

Protesta e 7 tetorit, ja katër pikat ku do të bllokohet Tirana

03.10.2024 - 18:20

Në 7 tetor, ora 18:00, opozita ka thirrur një protestë mbarëkombëtare, ndërsa kjo konsiderohet si përgjigjia e partisë Demokratike pas burgosjes së ish-deputetit Ervin Salianji, i cili prej gati 1 jave ndodhet në burgun e Fierit pas vendimit të Gjykatës së Apelit.

Dënimi i Salianjit u pasua nga një vendim i Grupit Parlamentar të PD për të ndërprerë marrëdhëniet institucionale me mazhorancën e drejtuar nga Edi Rama, ndërsa Kryesia dhe Këshilli Kombëtar i demokratëve vendosi thirrjen e një proteste mbarëkombëtare.
Protesta, sipas deklaratave të drejtuesve të PD-së, nuk do të jetë thjesht një parakalim apo mbledhje para godinës së Kryeministrisë, por rezistencë ndaj asaj që demokratët e konsiderojnë si regjimin e Edi Ramës.

Ish-Kryeministri dhe kreu i PD-së, Sali Berisha, ka bërë thirrje për mosbindje civile dhe pas tij, kjo është përsëritur edhe nga figurat qendrore të kësaj partie.

Dhe duket se protesta e 7 tetorit pritet të shënojë apo të jetë “prova” e mosbindjes civile.

Deputetët dhe anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD-së, janë në mbështetje të strukturave lokale të kësaj partie, dhe detyra kryesore e tyre do të jetë të bindin sa më shumë qytetarë që ti bashkohen protestës. Pra ajo që synohet pikësëpari është masiviteti në protestë, pjesëmarrje sa më e lartë. Në këtë kuadër shumë nga figurat kryesore të PD-së janë shprehur optimistë që kjo do të jetë protesta më e madhe përsa i takon pjesëmarrjes.

Ndërkohë në dallim nga protestat e mëparshme të opozitës, kjo e 7 tetorit ndoshta mund të jetë edhe një “provë force”.

Referuar disa skenarëve, protestuesit përveç Kryeministrisë ku do të përqëndrohen përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” do të shtrihen në 4 pika kyçe me synim bllokimin dhe paralizimin e jetës normale.

Një formë e tillë proteste është aplikuar nga PD edhe më parë, por duket se në 7 tetor, do të ketë edhe grupe të lëvizshme. Kështu ka ndodhur vite më parë kur opozita ka tentuar të bllokojë rrugët me goma makinash, përfshi edhe atë që njihet si zona e “Zogut të Zi” një pikë kyçe në Tiranë. Dhe sërisht kjo mund të jetë një nga pikat ku në 7 tetor mund të përqëndrohen protestuesit.

Ende nuk dihet se sa kohë mund të zgjasë protesta, por mendohet se ajo të zgjasë deri afër mesnatës, pra rreth 6 orë, nëse do të nisë në orën 18:00.

Tensionet dhe përplasjet e krijuara në sallën e Kuvendit duket se janë sinjali i parë që protesta e 7 tetorit nuk do të jetë në formatin e fjalimeve që i drejtohen protestuesve, më pas u kërkohen të ndezin dritat e celularëve, dhe në fund ata shpërndahen.

Dhe paralelisht me përgatitjet që opozita po bën me strukturat e saj për protestën, në anën tjetër duket se edhe strukturat ligjzbatuese kanë një plan masash.

Kështu në terren pritet të jenë mbi 1000 forca policore, që përveç se do të jenë të angazhuara përgjatë dhe në mbrojtje të institucioneve, do të jenë të detyruara të përqëndrohen në ato që konsiderohen si pikat që mund të bllokohen nga protestuesit.

Dhe referuar protestave të mëparshme, pikërisht në këto pika ku do të tentohet të bllokohen akset rrugore priten edhe përplasjet më të shumta.

Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin