MENU
klinika

Nga Fatos Çoçoli

Gjithshka për fermerët tanë

05.10.2024 - 16:20

Më 1 tetor 2024, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural hapi aplikimet për Skemën Kombëtare të Investimeve në Bujqësi, një nismë që synon zhvillimin e ekonomisë bujqësore dhe modernizimin e kësaj të fundit. Qeveria ka mundësuar një fond prej 1.5 miliardë lekë ose 15 milionë euro. Këto para do të jepen dhuratë, pasi fermeri ose shoqata me disa fermerë, kanë plotësuar disa kushte. Pra, janë në formën e një granti me 50 përqind të vlerës, për investimet kryesore në bujqësi. Në veçanti, në ndërtimin e serrave diellore, në rritjen e mekanikës bujqësore, në rrjetat antibreshër, në nxitjen dhe zhvillimin e akuakulturës detare dhe në stabilimentet e mbarështimit të kafshëve dhe shpendëve. Në Skemën Kombëtare të Investimeve në Bujqësi mund të aplikojnë të gjithë fermerët, të cilët kanë një NIPT, shoqëritë tregtare të angazhuara në sektor dhe shoqëritë e bashkimit bujqësor. Konkretisht, Skema jep para për ndërtimin e serrave diellore të reja, me sipërfaqe jo më pak se 0.2 ha dhe jo më shumë se 2 ha për subjekt, përfshirë edhe instalimin e sistemit të ujitjes. Masa e përfitimit subvencion nga Buxheti i Shtetit do të jetë në 50 perqind të vlerës totale të faturave tatimore te investimit, por jo më shumë se 15 milionë lekë/ha ose 150 mijë euro/ha.

Ndërsa për serrat e prodhimit të perimeve, masa e grantit do të jetë jo më shumë 8 milionë lekë/ha ose 80 mijë euro/ha, për serrat e prodhimit të rrushit për tavolinë, si dhe jo më shumë se 4 katër milionë lekë/ha ose 40 mijë euro/ha, për serrat e prodhimit të luleshtrydheve. Për investimin në rrjeta për mbrojtjen e prodhimit nga breshëri në blloqet ekzistuese me pemë frutore, agrume dhe vreshta, përfitimi i fermerëve do të jetë në 50 perqind të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 1.5 milionë lekë/ha, ose 150 mijë euro/ha. Financimi do të bëhet për sipërfaqe jo më pak se 1 hektar dhe jo më shumë se 5 hektarë. Skema Kombëtare e Investimeve 2024 në Bujqësi i mbështet fermerët edhe për ndërtimin e ambienteve për mbarështimin e kafshëve dhe stabilimenteve për rritjen e shpendëve, me kapacitet jo më pak se 10 lopë, jo më pak se 100 të imta, jo më pak se 10 dosa dhe jo më pak se 10 mijë shpendë. Masa e përfitimit do të jetë në 50 përqind të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 15 milionë lekë për subjekt, ose 150 mijë euro për subjekt.

Për blerjen e traktorëve, makinerive dhe pajisjeve për mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës në fermat bujqësore dhe blegtorale, masa e grantit do të jetë në 50 përqind të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 5 milionë lekë për subjekt, ose 50 mijë euro për subjekt. Mbështetja për akuakulturën detare për koshat e rritjes së peshkut do të jetë në masën 50 përqind të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 20 milionë lekë për subjekt, ose 200 mijë euro për subjekt. Skema Kombëtare e Investimeve do të jetë e hapur përgjatë 5 javëve nga 1 tetori e deri në 8 nëntor 2024, për të gjithë përfituesit nga i gjithë vendi. Pikat e informacionit agrar, të shpërndara në të gjithë Shqipërinë, po japin shpjegimet e duhura për të gjitha pyetjet e fermerëve, të cilët e kanë pritur këtë Skemë Kombëtare. Skema dhe masat e saj janë diskutuar gjerësisht me drejtuesit e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, përgjatë gjithë vitit 2023 dhe këtyre muajve të këtij viti, përpara se sa të dilte vendimi përfundimtar i qeverisë. Sigurisht, 15 milionë euro nuk plotësojnë të gjitha nevojat e bujqësisë sonë dhe as nuk mbulojnë të gjithë sektorët dhe nënsektorët e saj.

Por skema është një Skemë Kombëtare, e cila gjeneron shpresë dhe sinergji. Ajo vijon punën e Skemës së Subvencioneve të drejtpërdrejta në bujqësi të fillimit të vitit, në mars 2024. Ajo plotëson kështu një cikël të mbështetjes financiare, që qeveria ka dhënë dhe jep për një sektor shumë të rëndësishëm, si bujqësia, e cila në eksport është e pranishme me produktet shqiptare në 80 shtete të ndryshme në Evropë dhe në botë. Por ama, kemi ende nevojë dhe domosdoshmëri për më shumë mbështetje dhe fonde. Nëse duam që fermerët tanë të na eksportojnë 1 miliardë euro produkte të tyret në botë në vitin 2030, duhet që tani të nisim t’i ndihmojmë me të paktën dyfishin e 52 milionë eurove subvencion që po japim tani. Fermerët këto para i shlyejnë dyfish me investime, në 2-3 vite. T’u besojmë atyre!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN