MENU
klinika

Nga Eduard Zaloshnja

Korça, qarku ku do të pakësohet një mandat parlamentar

06.10.2024 - 12:29

(Analizë në kuadrin e një cikli paraprak analizash elektorale për 12 qarqet e Shqipërisë)

Në zgjedhjet e fundit parlamentare (më 2021), PS-ja mori në Qarkun Korçë 6 mandate parlamentare nga 11 që kishte gjithsej qarku. Ajo mori 9585 vota më shumë seç i duheshin për të siguruar 6 mandatet e saj.

Po shumë ujë ka rrjedhur qysh atëherë në Lumin Devoll…

Kështu, numri i shtetasve që figurojnë në regjistrin e Gjendjes Civile të qarkut është pakësuar në krahasim me qarqet e tjera. Si rezultat, gjasat janë të mëdha që Qarku Korçë të mbetet me 10 mandate parlamentare, nga 11 që kishte deri më 2021. Ndërkohë, gjasat janë që PD-ja dhe LSI-ja të garojnë me listë të përbashkët (që mos t’u shkojnë vota dëm, si më 2021).

Një provë paraprake e listës së përbashkët opozitare u bë vjet në zgjedhjet lokale, ku LSI-ja përkrahu në terren kandidatët e Berishës për kryebashkiakë (e anasjelltas). Dhe ata kandidatë në gjashtë bashkitë e qarkut morën vetëm 37% të votave. Kuptohet që në garën parlamentare ka më shumë kandidatë që do të kërkojnë votat në terren, por rezultati i vjetshëm tregon se PS-ja e fillon garën me një epërsi të ndjeshme paraprake.
Nga një analizë e hollësishme e të dhënave të dy zgjedhjeve të fundit në 427 qendra votimi të qarkut, më rezulton se PS-ja i ka të sigurta 6 mandatet në qark dhe opozita mbetet me 4 mandate parlamentare (madje edhe 4 mandate ndoshta si arrin dot).

SHËNIM: Llogaritjet e mësipërme presupozojnë se përkrahja e zgjedhësve që do të votojnë me postë nga jashtë vendit do të jetë e ngjashme me përkrahjen që kanë partitë nga zgjedhësit e këtushëm të Qarkut Korçë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN