MENU
klinika

Kush s’e dorëzon gjobitet, paguan interes apo kamatën

Në 2025, kush ka pagë 100 mijë lekë do deklarojë të ardhurat!

06.10.2024 - 21:20

Me mijëra të punësuar në vend nga viti i ardhshëm do të dorëzojnë deklaratën individuale të të ardhurave personale. Të gjithë qytetarët që gjatë këtij viti po paguhen me rrogë mujore mbi 100 mijë lekë, brenda 31 marsit të vitit të ardhshëm do të duhet që të dorëzojnë DIVA-n.

Ministria e Financave thotë se ulja e pragut që duhet të dorëzojnë deklaratën e të ardhurave është masë pozitive që ndikon në zvogëlimin e evazionit, si dhe nxit deklarimin e pasurisë. Deri më tani deklaratën individuale të të ardhurave personale e kanë dorëzuar të gjithë ata individë që kishin të ardhura vjetore 2 milionë lekë, ose pagë mujore mbi 166 mijë lekë.

Por prej vitit 2023 me ndryshimin që pësoi ligji i tatimit mbi të ardhurat u vendos që do të zgjerohen fasha e qytetarëve që duhet të dorëzojnë këtë deklaratë. Dorëzimi i kësaj deklarate i shërben Administratës Tatimore për të bërë kontrolle për evazion fiskal si dhe për të hetuar pasurinë.

Deklaratat e DIVA-s të dorëzuara gjatë këtij viti, që janë për të ardhurat e 2023-shit, do analizohen deri në fund të dhjetorit të këtij viti, e do të shërbejnë si bazë për të ballafaquar të ardhurat e deklaruara me pasurinë që disponon individi. Kjo strategji e ballafaqimit të pasurisë me të ardhurat e deklaruara do të përfshijë të gjithë individët që dorëzojnë deklaratën individuale të të ardhurave thuhet në planin e veprimit të Ministrisë së Financave 2024-2027.

Aktualisht në vend janë mbi 130 mijë të punësuar që kanë paga mbi 95 mijë lekë në muaj, por ende nuk është konkluduar me numrin final se sa qytetarë do të dorëzojnë DIVA-n në vitin e ardhshëm.

Mbi 73 mijë persona kishin detyrimin të dorëzonin DIVA-n këtë vit, nga të cilët mbi 24 mijë qytetarë kishin mbi 2 milionë lekë të ardhura në vit, dhe 49 mijë të tjerë ishin të dypunësuar. Kush nuk e dorëzon deklaratën gjobitet me 3 mijë lekë, të cilës i bashkëngjitet edhe interesi dhe kamatëvonesa./Shqiptarja.com

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ja cfarë i sugjeroi ish-ministri gazetares

“Mendo për pensionin privat sa nuk je vonë!”