Ekspertja e integrimit Nirvana Deliu, e ftuar në një intervistë televizive, foli mbi Konferencën e Dytë Ndërqeveritare me BE-në që do të mbahet më 15 tetor. Ajo vë në dukje se grup-kapitujt 23-23 do të mbyllen të fundit, ndonëse hapen të parët.
Deliu, duke iu referuar raportit të vjetshëm, tha që kapitulli më problematik i Shqipërisë është mbrojtja e konsumatorit dhe shëndeti publik.
“Kjo konferencë vjen më shumë rëndësi, pak e vonuar në fakt. Do ketë përfaqësues si nga shteti shqiptar, por edhe të BE-së, komisioni dhe shtetet anëtare. Do bëhet çelja zyrtare e grup-kapitullit të parë, 5 kapitujve të parë. Për të ardhur deri këtu kemi bërë një punë për hapjen e piketave hapëse. Kemi pasur 3 detyra shtëpie, dy udhërrëfyes që lidhen me shtetin e të drejtës dhe reformën e administratës publike, dhe një udhërrëfyes jo të detyruar mbi funksionimin e institucioneve demokratike, që lidhen me zgjedhjet, Kuvendin dhe shoqërinë civile. Në konferencën e dytë shteti shqiptar shkon në pozicion negociues për 5 kapitujt e parë. Presupozohet që me hapjen e këtij grup-kapitulli fillon puna për hapjen e grup-kapitullit tjetër. Kemi 6 grup-kapituj në total, 33 kapituj. Do ishte mirë që çdo vit të hapnim një grup-kapitull. Grup-kapitujt 23, 24, do të mbyllen të fundit, edhe pse hapen të parët. Në raportin e vjetshëm, ne kemi në pjesën më të madhe të kapitujve një progres mesatar. Një nga kapitujt më problematik është mbrojtja e konsumatorit dhe shëndeti publik. Kemi një BE me disa ndryshime. Do të shikojmë si kjo do ndryshojë në politikën e zgjerimit. Ne kemi detyrat tona, reformat që duhet të ndërmarrim”.
E pyetur se kur mund të integrohet Shqipëria në BE, Deliu tha: “2028 do ishte shumë futuriste për ta menduar që mund të futemi në BE, 2030-ta mund të ishte deri diku e pamundur. Disa vite pas 2030-ës s’do ta shikoja të pamundur, nëse do vazhdonim me reformat”.