MENU
klinika

Dorëzoi mandatin e deputetit

Kush pritet ta zëvendësojë Jurgys Çyrbjan në parlament

10.10.2024 - 10:20

Deputeti i Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja, ka dorëzuar mandatin e tij këtë të enjte. Sipas renditjes së kandidatëve të Partisë Socialiste për qarkun e Durrësit, mandatin e tij pritet ta marrë Ana Dhamo, e cila është e 12-ta në listën e socialistëve.

Në një komunikim, Çyrbja shpjegoi se arsyeja e dorëheqjes lidhet me një ndërhyrje kirurgjikale që duhet të bëjë dhe për shkak të kësaj, ai nuk mund të angazhohet në fushatën elektorale. Çyrbja ka përfaqësuar qarkun e Durrësit, ndërsa zona e tij elektorale ishte Shijaku.

Dorëheqja e tij vjen vetëm dy ditë pas thirrjes nga Strukturat e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku u pyet për rreth 4 orë e gjysmë nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Marrja e tij lidhej me një kallëzim të bërë nga Edi Paloka gjatë zgjedhjeve të vitit 2021, ku Çyrbja akuzohej për shpërdorim detyre, në kohën kur ai drejtonte Hipotekën e Durrësit, përpara se të merrte mandatin e deputetit.