Pas një sage prej disa dekadash, Xhamia e Namazgjasë u inaugurua të enjten në Tiranë në prani të presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan dhe kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Por drejtuesit e lartë të Komunitetit Mysliman Shqiptar – pronari “de jure” i xhamisë së re nuk janë të ftuar. Mungesa lidhet me pakënaqësitë e presidentit të Turqisë ndaj drejtuesve të KMSH-së, të cilët sulmohen prej vitesh nga organizata të lidhura me Ankaranë si “gylenistë”, një term që i bën ata armiq të Erdogan. Ndërtimi i Xhamisë së Madhe nisi në vitin 2015 mbi truallin e njohur si Namazgjah në zemër të Tiranës, me mbështetjen financiare të Drejtorisë për Çështjet Fetare në Turqi, Diyanet.
Punimet pothuajse përfunduan në vitin 2019, por hapja e xhamisë u mbaj pezull edhe për pesë vjet të tjera. BIRN mësoi se inaugurimi i vonuar i Xhamisë së Namazgjasë lidhet me një konflikt të nëndheshëm mes Diyanet dhe Komunitetit Mysliman Shqiptar për kontrollin e saj – tension i cili doli në sipërfaqe me njoftimet kontradiktore për hapjen e xhamisë. Fillimisht, kleriku turk Enes Bastur njoftoi në rrjetet sociale se ishte ngarkuar Drejtoria për Çështjet Fetare për të drejtuar Xhaminë e Namazgjasë në Tiranë. Më pas, KMSH deklaroi tërthorazi mungesën e drejtuesve të saj në inaugurim, duke theksuar se do të përfaqësoheshin nga Myftiu i Tiranës, Bilal Teqja. KMSH po ashtu pranoi se ajo nuk do të menaxhonte e vetme xhaminë, por përmes një fondacioni me “palën tjetër”, ku Teqja do të jetë kryetar i bordit. Kjo ndërhyrje e shtetit turk dhe e presidentit Erdogan në çështjet e fesë në Shqipëri kritikohet nga një pjesë e komunitetit mysliman.
“Më shumë se një ceremoni fetare duket si një ceremoni politike,” i tha BIRN ish-kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Bruçaj, sot drejtues i fondacionit “Hafiz Ali Korça” që menaxhon universitetin “Bedër”. “Ndërhyrja kaq e egër e një institucioni të huaj, ose një shteti të huaj në punët e brendshme, në mënyrën se si menaxhohet jeta fetare në Shqipëri është në kundërshtim me filozofinë islame, por edhe me të drejtat e njeriut, me ligjin këtu dhe me Kushtetutën e Shqipërisë,” shtoi Bruçaj. Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu dhe klerikë të tjerë nuk iu përgjigjën interesit të BIRN për të komentuar mbi këtë çështje, ndërsa një zyrtar i KMSH-së që foli në kushtet e anonimatit, pranoi se drejtimi i xhamisë përmes një fondacioni ishte “një zgjidhje për të dalë nga ngërçi” që mbante të bllokuar xhaminë.
Presion për influencë
Në një vizitë të mëparshme në janar të vitit 2022 në Tiranë, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan i kërkoi Shqipërisë të merrte hapa konkrete kundër atyre që i quajti struktura të FETO në Shqipëri. Turqia i referohet lëvizjes së drejtuar nga kleriku që jeton në SHBA, Fetullah Gylen si FETO dhe e ka shpallur atë organizatë terroriste. Kërkesa të tilla kanë qenë të përsëritura në mënyrë të drejtpërdrejtë apo përmes kanaleve diplomatike dhe e kanë detyruar në të shkuarën qeverinë shqiptare që të mbyllë disa shkolla të lidhura me Gylen apo të dëbojë një mësues të akuzuar si “Gylenist”. Përplasje të tilla përfshinë gjithashtu edhe çështjet e fesë. Ish-kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Bruçaj kujton se problemet e KMSH-së me Diyanet filluan që prej vitit 2014, kur u kërkua ndërprerja e marrëdhënieve me fondacionin “Sema” që financon dhe menaxhon medresetë e vendit si dhe emërimi i disa imamëve turq.
Bruçaj thotë se KMSH kishte qenë i hapur për të bashkëpunuar me Diyanet, duke i dhënë mundësinë që të hapte medresetë e veta dhe të konkurronte me fondacionin “Sema”, pasi ndërprerja e marrëdhënieve me këtë të fundit ishte konsideruar e pamundur teknikisht, ligjërisht dhe nga ana njerëzore. “Ishin me mijëra nxënës në këto shkolla dhe nuk kishte alternativë”, tha Bruçaj. Ai shtoi gjithashtu se edhe kërkesa e dytë për të pranuar që imamët të emëroheshin apo të paguheshin nga Diyanet ishte e pamundur për t’u plotësuar nga KMSH. Sipas Bruçajt, në Ankara nuk kuptohet ndryshimi mes Diyanet – një institucion në varësi të qeverisë dhe KMSH-së, e cila gëzon autonomi dhe ka detyrimin të qëndrojë larg politikës.
Emërimi i imamëve nga Drejtoria për Çështjet Fetare në Turqi, Diyanet, është një ndër politikat e përhapura të Ankarasë zyrtare në Europë, e cila ka shkaktuar së fundmi përplasje në Gjermani. Sipas një raportimi të Reuters, pas dyshimeve se imamët ishin përdorur për spiunim nga Ankaraja, Gjermania vendosi zëvendësimin e tyre me klerikë të trajnuar dhe shkolluar në Gjermani. Përpjekjet për ndikim shoqëruan edhe ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë, e cila u financua nga Diyanet. Bruçaj i tha BIRN se bazuar në raportet e survejimit që ai ka parë kur drejtonte Komunitetin, në vitin 2019 kishin përfunduar gati 96% e punimeve. Ai dyshon se punimet u ndërprenë për të penguar Komunitetin Mysliman Shqiptar që të merrte në dorëzim xhaminë dhe ta menaxhonte atë. “Burokratët në Ankara nuk e donin këtë dorëzim dhe mosdorëzimi i saj ishte pjesë e përpjekjeve disa vjeçare për të fituar kontroll mbi KMSH-në,” tha Bruçaj.
Drejtimi i paqartë i xhamisë
Mënyra se si do të menaxhohet Xhamia e Namazgjasë mbetet e paqartë, por BIRN mësoi nga zyrtarë pranë KMSH se është arritur një kompromis, i cili ende nuk është zyrtarizuar. Gjithsesi, fondacioni që do të menaxhojë xhaminë nuk është krijuar ende, ndërsa nuk ka qartësi as për mënyrën e drejtimit. Sipas një zyrtari të KMSH-së, i cili foli në kushtet e anonimatit, fondacioni u gjet si një zgjidhje për të shprehur mirënjohjen, por edhe për faktin se Namazgjaja nuk do jetë thjesht një xhami, por do të ketë edhe aktivitete të tjera. Përmes një deklarate për mediat, KMSH falenderoi presidentin Erdogan dhe kryeministrin shqiptar, Edi Rama që “bënë të mundur realizimin e kësaj ëndrre të besimtarëve myslimanë shqiptarë”.
Në njoftim thuhet gjithashtu se KMSH do të përfaqësohet nga myftiu i Tiranës, Gazment Teqja, i cili do të jetë kreu i bordit të fondacionit të përbashkët “mes KMSH dhe palës tjetër” që do të administrojë Xhaminë e Namazgjasë. Edhe Myftinia e Tiranës deklaroi përmes një njoftimi se imami zyrtar i Xhamisë së Madhe të Tiranës do të jetë Teqja, njëkohësisht kreu i Fondacionit “që do të jetë autoriteti i vetëm administrues i këtij kompleksi”. Megjithatë, Bruçaj parashikon se kjo xhami do të jetë nën kontrollin e qeverisë turke. “KMSH u shty në një kompromis jo të hijshëm, duke lëshuar prej autoritetit dhe autonomisë së tij, por kjo është një sakrificë e përkohshme për t’u dhënë qytetarëve xhaminë,” tha ai, ndërsa shtoi: “Politikanët vijën e ikin, xhamia do të mbetet aty”!