Banka Botërore ka publikuar një raport të zgjeruar për ndërlidhjen në Europë dhe Azinë Qendrore ku përfshin edhe një indeks; atë të ndërlidhjes shumëdimensionale.
Indeksi bazohet mbi 6 nën-indikatorë të tjerë, secili prej të cilëve i lidhur ngushtë me ndërlidhjen, si në drejtim të njerëzve apo mallrave, ashtu edhe në drejtim të kapitalit.
Në indeksin e përgjithshëm, Shqipëria rënditet në vendin e 78-të në botë, dhe e fundit mes vendeve të rajonit. Mes nënindikatorëve, renditjen më të keqe e ka ai që i referohet investimeve të huaja direkte, ku Shqipëria është e 87-ta në botë, si dhe ai i rrjedhjës së portofolit, në vendin e 90-të në botë. Performancën më të mire ndërkohë, vendi ynë e regjistron në atë të teknologjisë së informacionit dhe komunikacionit, si dhe në atë të linjave ajrore, në vendin e 72-të dhe 75-të respektivisht.
Në nivel global, në vend të parë renditen Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që në Europë, Gjermania duket se nuk ka rivalë.
Në drejtim të ndërlidhjes mes vendeve dhe shkëmbimit të mallrave, njerëzve apo kapitalit, një impakt negativ ka dhënë edhe Brexit, por, siç e sqaron qartë Banka Botërore, Shqipëria është një prej vendeve më pak të ndikuara nga dalja e Britanisë nga Unioni.