MENU
klinika

Nga Mero Baze

Një histori nga ’97 me Berishën dhe debati Balla-Bardhi

11.10.2024 - 22:00

Më 1997, PD caktoi deputet në Sarandë, Filip Çakulin. Meqë zona ishte jashtë kontrollit dhe ligjin e bënin bandat, të cilat kishin marrë peng dhe Leonard Demin, Filipi vendosi të mos shkojë fare. Por për të mos e lënë pa humor këtë histori, sajoi bashkë me Koço Devolen dhe Agron Llakajn, një poster ku Filipi shfaqej i dhunuar dhe e botojnë në revistën Hosteni.

Sali Berisha e pa dhe fluturoi nga gëzimi. Doli në konferencë shtypi, dënoi dhunën e bandave në Sarandë dhe kërcënoi se kush prek Filip Çakulin, ka punë me të.

Pas Berishës e mori seriozisht dhe misioni i OSBE. Zbarkuan edhe ata në selinë e PD dhe takuan Berishën. Ua shpjegoi “fije e për pe” se si kishte ndodhur dhuna dhe çfarë i kishin bërë bandat Filipit.

Misioni u shqetësua edhe më shumë.

-A mund ta takojmë vetë këtë kandidatin, i tha shefi i misionit?

-Patjetër, tha Doktori. Dhe më thirri mua t’i gjeja Filipin që e kishin masakruar.

-I thashë që ishte humor dhe Filipi është shëndoshë e mirë. Nuk ka shkuar fare në Sarandë.

-Ashtu… Po këta e kërkojnë.

-U themi që është fshehur nga frika e bandave, i thashë.

Dhe ja tregova Filipit hallin tek “Guva e Qetë”.

Ai e çoi edhe më tej humorin e zi.

-Tani ai do thërras Izetin, tha, dhe do t’i thotë: Ma gjej Filipin dhe ma bë si ky posteri, se kështu e do OSBE-ja.

Mu kujtua ajo histori me humor të zi ndërsa shikoj kacafytjen pa lidhje mes Sokol Ballës dhe Gazment Bardhit, ku njëri e tepëron në përmbajtje e tjetri në gjuhë, dhe vigjilencën e Berishës për ta quajtur këtë kërcënim me vdekje për Gazment Bardhin.

Komenti i Sokol Ballës në TV nuk ishte kërcënim për Gazment Bardhin, por një paralajmërim se mund të keqpërdorej në luftën e pistë mes spekulimeve me përgjimet dhe luftën politike.

Reagimi i Gazment Bardhit po ashtu ishte një përpjekje për t’i dhënë rëndësi faktit që pushteti ishte shqetësuar prej tij, dhe gjuha kishte tepërimet normale të PD kur flet për gazetarë armiq. Pastaj vazhdimi është banalitet pasi hyn Sali Berisha, i cili në fakt Gazment Bardhin e do të vrarë me dorë të Edi Ramës, siç donte Azemin të vrarë me dorë të armiqve të tij.

Natyrisht asgjë e tillë nuk ka për të ndodhur. Por Berisha ndjehet i eksituar që më në fund po i ofrohet mundësia për një viktimë, për të cilin e ka gati autorin.

Rreziku më i madh që i vjen një politikani nga gazetari është përballja me të vërtetat publikisht dhe rreziku më i madh që i vjen një gazetari nga një politikan, është të përdorë pushtetin kundër tij. As Balla, as Bardhi, nuk janë në pozicione të tilla që mund të dëmtojnë njëri- tjetrin. I vetmi që i urren të dy është Sali Berisha, i cili njërin e do vrasës e tjetrin dëshmor. Si në rastin e Filipit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Vrasja e Martin Canit pranë shkollës ‘Fan Noli’

Caktohet data e seancës gjyqësore ndaj autorit 14-vjeçar

Grabitja e miliona eurove në Rinas

GJKKO dënon me 18 vite burg Talo Çelën

“Martini ishte i mbushur me ëndrra dhe jetë, ja morën të dyja”

U vra me thikë në zemër, nëna e 14-vjeçarit mesazh në protestën për të birin

Gjesti simbolik për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani

Fotolajm/ Hidhet bojë e kuqe mbi fëmijët dhe në rrugë