Këtë muaj, presidenti rus Vladimir Putin do të presë samitin e parë të BRICS+ nga 22 deri më 24 tetor në qytetin Tatarstan të Kazanit. Atje, anëtarët themelues të BRICS-Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut- do të mirëpresin zyrtarisht në grupin e tyre pesë anëtarë të rinj: Egjiptin, Etiopinë, Iranin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA). Putin ka ftuar gjithashtu dhjetëra vende të tjera që kanë aplikuar ose po shqyrtojnë anëtarësimin në klubin në zgjerim. Takimi ka për qëllim të dërgojë një sinjal të pagabueshëm: Pavarësisht përpjekjeve më të mira të Perëndimit për ta izoluar atë, Rusia ka shumë miq në mbarë botën. Megjithatë, në samit duket se do të mundojë një nga miqtë, për të cilët deri vonë presidenti “vinte dorën në zjarr”, Aleksandër Vuçiç. Sipas shumë analistëve, ky është një mesazh nga Serbia, për kthimin e saj, nga Lindja drejt Perëndimit.
Shtyrja e vendimit
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ende nuk ka zbuluar nëse do të shkojë në samitin e vendeve të BRICS, ndonëse në fillim të shtatorit kishte paralajmëruar se do të vendosë më 10 apo 15 tetor nëse do të shkojë apo jo. Presidenti i Rusisë Vladimir Putin e ftoi personalisht në samit . “Ne presim Presidentin Vuçiç në ngjarjet e BRICS në Kazan në një format të zgjeruar. Ne dërguam një ftesë dhe shpresoj që ta pranojnë”, theksoi presidenti rus. Me atë rast ai përkujtoi se kontrata për furnizim me gaz skadon në muajin mars. “Ne jemi të interesuar në vlerësimin tuaj të ngjarjeve në rajon në kontekstin e sigurisë dhe përmbushjes së marrëveshjeve ndërkombëtare siç është Marrëveshja e Dejtonit dhe do të ishte interesante dhe e dobishme të dëgjojmë qëndrimin tuaj për këto çështje”, shtoi Putin. Kur Putini dërgoi ftesën përmes zëvendëskryeministrit Aleksandër Vulin, Vuçiç deklaroi se pikërisht në kohën e samitit, nga 22 deri më 24 tetor, ka shumë të ftuar në Beograd. Ai nuk e ka refuzuar shprehimisht ofertën, pasi kuptohej justifikimi i tij ndaj të ftuarve, por as nuk e pranoi, ndaj e shtyu vendimin për 10 ose 15 tetor.
Zgjedhja e Perëndimit
Që atëherë është publikuar lajmi se Vulin do të udhëtojë drejt Kazanit, çka nuk do të thotë automatikisht se Vuçiç nuk do të shkojë. Siç shkruan media serbe “Danas”, në çdo rast, Vuçiç i detyrohet publikut një përgjigje të qartë nëse do të shkojë apo jo në Kazan. Aq më tepër që muajt e fundit mund të krijohej përshtypja se Vuçiç është më afër Perëndimit se sa me Putinin, sepse ai arriti një marrëveshje me gjermanët dhe BE-në për shfrytëzimin e litiumit, bleu aeroplanë nga Franca dhe nënshkroi një marrëveshje me SHBA-të. për bashkëpunimin strategjik në fushën e energjisë, dhe po punon për diversifikimin e furnizuesve të gazit dhe redukton varësinë e energjisë nga Rusia.
Dilema e presidentit
Siç shkroi “Danas” në shtator, mund të ndodhë që Vuçiç të pranojë ftesën e Putinit, por të marrë gripin vetëm një ditë para largimit të tij . Dhe tani Dragan Šormaz, themeluesi i Këshillit Euro-Atlantik të Serbisë, thotë se Vuçiç vështirë se mund të përballojë të paraqitet në samitin në Kazan. “Është një gjë të gënjesh qytetarët e Serbisë se si udhëheq një “politikë të pavarur dhe liridashëse”, ndërkohë që i shet municione artilerie Ukrainës dhe zbaton marrëveshjen Bruksel/Ohër, dhe lajmi për pjesëmarrjen në BRICS ka një peshë krejtësisht tjetër në Uashington dhe Bruksel. Mendoj se ai tani është i pavendosur mes dëshirës për të mos prishur pozicionin e tij në pushtet dhe emocioneve personale, dashurisë edhe për kriminelin dhe diktatorin Putin. Do të shohim se çfarë do të fitojë tek Vuçiç: frika apo dashuria”, thotë ai. I pyetur nëse Vuçiç do ta shpallë qartë vendimin apo jo, ai përgjigjet se duhet të thotë diçka, por çfarëdo që të thotë do të jetë gënjeshtër. Duke folur për BRICS-in, Vuçiç tha se Serbia do të jetë në rrugën evropiane derisa ai të jetë president. Por ai shtoi se është mirë që Serbia të mbajë marrëdhënie me vendet e BRICS.