MENU
klinika

Heqjen e sekuestros dhe...

Objekti brenda bazës ushtarake të Shëngjinit, kërkesat e Prokurorisë

12.10.2024 - 13:37

Pas rreth tre vitesh hetime, Prokuroria e Lezhës kërkon heqjen e sekuestros preventive për objektin që po ndërtohej brenda bazës ushtarake të Shëngjinit dhe disa pronave të tjera aty.

Procedimi penal nisi nga SPAK për veprën penale “Shpërdorim detyre”, por më pas çështja i kaloi për hetim Prokurorisë së Lezhës. Organi i akuzës ka kryer një sërë veprimesh, ku u sekuestruan e analizuan të gjithë praktikat e ndjekura nga institucionet për privatizimin e pronës dhe dhënien e lejes së ndërtimit, brenda bazës detare ushtarake të Shëngjinit, por pas verifikimeve është dalë në konkluzionin se nuk ka element të veprës penale, për shpërdorim detyre.

Tashmë do të jetë gjyqtari, Ilir Përdeda i cili do të vendosë nëse do pranojë kërkesën e Prokurorisë apo do e kthejë sërish për plotësim hetimesh. Objekti katër katër brenda bazës detare ushtarake të Shëngjinit nisi të ndërtohet 4 vite me parë.

Rasti u denoncua nga Ish-zv.Komandanti i Forcës Detare Artur Meçollari e më pas u vunë në lëvizje Ministria e Mbrojtës dhe organet e drejtësisë, ku u konstatua se edhe prona të tjera në atë zonë ishin me certifikatë të rregullt pronësie.

Objekti është ngritur katër kate, por pasi çështja u bë publike dhe ndërhynë dhe Ministria e Mbrojtës puna ka stopuar.

Nga ana tjetër edhe shoqëria që po kryente investimin ka kundërshtuar vendimin e sekuestros më herët pasi pretendon se ka të gjithë dokumentacionin e rregullt , pronën me certifikatë pronësie dhe leje ndërtimi të dhënë nga Bashkia Lezhë.

Baza detare ushtarake e Shëngjinit mbahet nën monitorim të vazhdueshëm përgjatë 24 orëve nga forcat e ushtrisë.