MENU
klinika

Nga Fatos Çoçoli

Pse nuk jane më problematike kreditë me probleme?

12.10.2024 - 13:44

Një kredi bankare klasifikohet në çdo treg bankar në botë si me probleme, kur këstet e saj kalojnë 90 ditë ose tre muaj kalendarikë pa u shlyer. Në fund të muajit gusht 2024, kreditë me probleme në sistemin tonë bankar zbritën në 4.6 përqind të totalit të huave bankare. Ky është niveli më i ulët historik i tyre. Dhjetë vjet më parë, në vitin 2014, kreditë me probleme ishin në nivelin e tyre më të lartë, në 25 përqind, ose një të katërtën e të gjithë kredive të dhëna. Ne vitet 2014-2015, në kushtet e rëndimit të pasojave të krizës financiare dhe bankare në Greqi, si dhe të efekteve të saj në sistemin tonë financiar, ky nivel përbënte një minë lundruese tejet të rrezikshme. Mina kishte fuqinë të cënonte drejtpërdrejti parametrat kryesorë të shëndetit bankar të Shqipërisë, duke u kthyer në një kërcënim serioz ndaj miliarda eurove dhe lekëve kursime të qytetarëve, të depozituara pranë bankave të nivelit të dytë.

Stoku i kredive me probleme në atë kohë konsiderohej me të drejtë si problem i një rëndësie kombëtare. Në shtator të vitit 2015, u miratua “Plani Kombëtar për Reduktimin e Kredive me Probleme”. Në zbatim të këtij plani, Banka e Shqipërisë e pa të domosdoshme marrjen e masave të menjëhershme, për të ulur stokun e kredive me probleme. Një ndër masat më kryesore ishte përshirja në rregulloret e bankës qendrore, të detyrimit të bankave tregtare për të fshirë nga bilancet e tyre të kredive që kishin mbi 3 vite që nuk ktheheshin. Me këtë masë të Bankës së Shqipërisë, brenda dy viteve, në fund të dhjetorit 2016, bankat tregtare arritën të fshijnë kredi të këqija në shumën mbi 35 miliardë lekë, ose mbi 255 milionë euro, me kursin e vitit 2016. Vetëm për periudhën janar-nëntor 2016, bankat e nivelit te dyte fshinë 14 miliardë lekë kredi të humbura. Kjo shifër i shtohet 21 miliardë lekëve të tjera hua, të fshira në vitin 2015.

Fshirja e kredive të këqija nuk nënkuptoi faljen e tyre. Bankat vazhduan t’i ndjekin ato njësoj si më parë, por thjesht nuk i pasqyronin më në bilancet e tyre. Si rezultat, bankat tregtare çliruan fonde ne dhjetera milione euro, duke rritur investimet e tyre. Me perpara, keto fonde mbaheshin ngrire, si garanci, per te ulur rrezikun e kredive te keqija ne bilanc. Prej vitesh me radhë, bankat tregtare në Shqipëri e kanë patur të ndaluar t’i fshijnë kreditë e këqija, te klasifikuara te humbura, pasi nuk ka ekzistuar baza ligjore. Në janar të vitit 2015, Banka e Shqipërisë miratoi një rregullore, që i detyroi ato të fshijnë çdo kredi, që ka më shumë se tre vjet, e klasifikuar si e humbur. Kjo masë ishte pjesë e planit kombëtar për uljen e kredive të këqija, të bashkëfirmosur nga kryeministri dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë. Asnjëherë në historinë e sistemit tonë bankar, bankat tregtare nuk kanë zbatuar me aq dëshirë një detyrim të rregulloreve të Bankës së Shqipërisë, sa ky për fshirjen nga bilanci të kredive të këqija. Fshirja e huave bankare të konsideruara të pashpresa, së bashku me ndihmën e Bankës së Shqipërisë, dhënë bankave tregtare për të ristrukturuar shumë kredi me probleme me klientët e tyre, duke ua zgjatur afatin e shlyerjes klientëve të shëndoshë e me të ardhme, solli uljen e treguesit zyrtar të kredive me probleme, nga 25 përqind që ishte në shtator të vitit 2014, në 18 përqind në dhjetor të vitit 2016. Sipas Bankës së Shqipërisë, ndikim pozitiv në rënien e kredive problematike deri në gusht të këtij viti, ka dhënë jo vetëm fshirja e kredive të humbura, por edhe shlyerja e disa huave të mëdha me probleme. Kredia me probleme në sektorin bankar sot llogaritet në 37 miliardë lekë ose 370 milionë euro, në një total prej mbi 8 miliardë euro kredi bankare në lekë, euro dhe dollarë.

Lexo edhe : Katërfishohet taksa për ata që kanë më shumë se 1 pronë
Qytetarët dhe bizneset po i paguajnë në kohë këstet e kredisë, madje edhe kredimarrësit problematikë, kanë nisur t’i paguajnë borxhet e tyre pranë bankave. Kreditë me probleme zbritën edhe më shumë se gushti i vitit të kaluar. Në vlerë, në bilancet e bankave janë 37.4 miliardë lekë kredi me probleme, nga 38.4 miliardë lekë që ishte vlera në gusht të vitit të kaluar, duke u ulur me afro 1 miliardë lekë, ose 10 milionë euro. Brenda këtij stoku, kreditë me probleme të klasifikuara “të humbura”, pra kreditë që nuk rekuperohen më, u tkurrën me 1.8 miliardë lekë ose 18 milionë euro, kryesisht si rezultat i shlyerjeve të detyrimeve nga klientët dhe i fshirjeve të tyre nga portofoli i bankave. Më problematikët në shlyerjen e detyrimeve janë sipërmarrësit, të cilët mbajnë edhe peshën më të lartë të kredive me probleme. Për të shmangur rritjen e kredive me probleme, bankat tregtare po tregohen më të kujdesshme në kredidhënie, duke shtrënguar kushtet, sidomos për sipërmarrësit, në mënyrë që të mos rrezikojnë një tjetër rritje të kredive me probleme. Banka e Shqipërisë e mbikqyr rreptësisht këtë aktivitet, duke këshilluar dhe monitoruar nga afër bankat tregtare.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN