MENU
klinika

Ndeshje që lë për të dëshiruar

NOTAT E SHQIPËRISË/ Vlerësimet për zhgënjimin “kuqezi” në Çeki

12.10.2024 - 22:17

Shqipëria u mposht 2 me 0 nga Çekia në transfertë. Një sfidë e djemve të Kombëtares, që lë për të dëshiruar. Panorama Sport iu sjell dhe notat më poshtë.

STRAKOSHA 6 Nuk futi ekipin në panik dhe bënte më të sigurtën, duke goditur menjëherë topin e kthyer mbrapa. Mund të luante më shpesh me topin e shkurtër, duke qenë se çekët ishin të fortë në lojën në ajër. Pa faj te golat e pësuar, edhe pse po të kishte pritur të dytin, do të kishte bërë një mrekulli.

MITAJ 6 Një ndërhyrje e saktë në zonë duke u hequr mundësinë çekëve të shënonin. Ndizet vetëm në pjesën e dytë në inkursionet në krah, ku kombinon shumë mirë me Bajramin.

RAMADANI 6 Shumë mirë në rolin e tij, dylufton shpesh edhe pse has vështirësi dhe nuk ishte Ramadani që jemi mësuar të shohim. Kur çekët dilnin në kundërsulm ishte shpeshherë vetëm.

BAJRAMI 6 Një pjesë e parë e mirë ku shpesh del në krah dhe kombinohet mirë me Mitajn dhe Asllanin. Shënjestra nuk ishte me të këtë radhë, pasi shumë bukur tentoi barazimin në të parën. Pjesën e dytë ra disi fizikisht. (Muçi 87’, pa notë)

HYSAJ 6 I bën mirë detyrat mbrojtëse, por në disa raste duhet të jetë më i kujdesshëm. Jep një top të bukur për Asanin, duke e nxjerrë në kundërsulmin e ndeshjes. Një ndeshje e mirë për një lojtar i cili është jashtë listës së klubit të tij në Itali.

ISMAJLI 6 Ndoshta pritshmëritë ishin shumë të larta për Ismajlin, i cili po kalonte një formë shumë të mirë. Një ndeshje normale për mbrojtësin i cili dha maksimumin e tij, pavarësisht se çekët ishin të papërballueshëm në luftën në ajër këtë herë.

ASLLANI 5.5 Pritej më shumë nga Kristjan. Ndoshta nuk ishte në 100 % e tij por duhet të merrte më shumë përsipër. Një lojtar i cili ka armën më të fortë kontrollin e topit, duhet të bënte diferencën me çekët të cilët luanin vetëm me topin e gjatë. Disa topa ishin pa adresë.

ASANI 5.5 Jo shumë i qartë me topin në këmbë dhe të gjithë e kanë kuptuar futjen e tij nga qendra. Jep një top të bukur për Dakun, duke e nxjerrë përballë portierit dhe humbet një rast shumë të mirë për të barazuar. Lë pak për të dëshiruar në fazën mbrojtëse. (Hoxha 65’, Driblon gjithmonë dhe energjik, por haset me një Çeki, që është tërhequr mbrapa duke mbrojtur rezultatin duke mos lënë shumë hapësira).

LAÇI 5.5 Jo shumë mirë në topat e dytë, por gjithsesi lufton me aq sa ka mundësi. Nuk guxon shumë me pasimin vertikal, megjithatë vuajti ashtu si e gjithë mesfusha. (Seferi 79’, pa notë)

KUMBULLA 5 Nuk ishte në ritmin e ndeshjes dhe gjysmat e dueleve në ajër i humbet. Ndoshta në golin e parë kthesa e sulmuesit kundërshtar ishte e papritur, ndërsa te goli i dytë, ishte detyra e Kumbullës që Çori të mos lihej i lirë brenda në zonë. Nuk jep garancinë e dikurshme.

DAKU 5 I jepet mundësia për titullar dhe e nis me dëshirë të madhe dhe shumë i lëvizshëm, por gjatë ndeshjes e tepron me topin dhe e humbet shpesh. Kontrolli nuk është ai i duhuri në disa momente. Duhet më pjekuri! (Tuci 65’. U përpoq për aq minuta sa luajti dhe guxoi të tentonte edhe njëherë portën. Emocionet e ndeshjes së parë).

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Ky akt i rëndë përbën një sulm të hapur..."

Përdhosja e flamurit shqiptar, reagon FSHF