MENU
klinika

BSH deri në fund të vitit do të blejë 330 mln €

Kriza e euros, po këmbehet me 98 lekë!

13.10.2024 - 16:45

Kriza e euros do të ishte më e thelle nëse Banka e Shqipërisë, nuk do të kishte ndërhyrë në treg duke blerë valutë. Një euro këmbehet aktualisht afro 98 lekë, me rënie mbi 8% krahasuar me vjet, por situata thotë Banka qendrore do të ishte më problematike nëse s’do kishin blerë ata valutë në treg.

“Në vijim të flukseve të bollshme hyrëse të valutës, kursi i këmbimit të Lekut vijoi të mbiçmohet ndaj valutave kryesore gjatë periudhës, por shpejtësia e mbiçmimit u ngadalësua, edhe për shkak të blerjeve të valutës nga ana e Bankës së Shqipërisë”, thotë banka në raportin gjashtëmujor të stabilitetit.
Për të stabilizuar kursin, banka ka tërhequr nga tregu në gjashtëmujorin e parë të vitit 137.6 milionë euro por nuk arriti të ndalonte zhvlerësimin e monedhës evropiane përballë lekut.

Banka e Shqipërisë planifikon të blejë deri në fund të vitit të paktën edhe 196 milionë euro për të rritur rezervën valutore, pasi ka si objektiv që brenda vitit blerja për këtë qëllim të jetë 330 milionë euro, ndërkohë që nga janari deri në qershor ajo bleu për rritjen e rezervës 134.2 milionë euro.

Përballë fluksit të euros që po vjen nga turizmi, investimet, remitancat dhe paraja informale, monedha evropiane është në ditët e saj më të vështira. Pavarësisht këtyre ndërhyrjeve euro është zhvlerësuar me 8% krahasuar me tetorin e vitit të kaluar, kohë kur një euro kushtonte 106 lekë.

Euro ka dëmtuar por edhe favorizuar!
Institucionet thonë se shkaku kryesor i zhvlerësimit të euros por edhe të dollarit është turizmi, dhe fluksi i lartë i prurjeve valutore, si nga investimet ashtu edhe nga remitancat.

Fituesit e zhvlerësimit

Ky zhvlerësim i lekut për buxhetin e shtetit, bizneset e qytetarët ka avantazhe e disa avantazhe. Ka ndikim pozitiv në shlyerjen e borxhit në valutë, pasi këstet e kthimit janë më të lira, pasi konvertimi i euros në lekë është shumë më i ulët. Pra nëse vjet një këst prej 1000 euro kushtonte 106 mijë lekë, këtë vit kësti prej 1000 euro kushton 98 mijë lekë. Pra qeveria paguan më pak për të shlyer borxhin në valutë, dhe vetëm si rezultat i zhvlerësimit të monedhës evropiane Ministria e Financave deklaroi se borxhi publik për periudhën 2021-2023, ka rënën me 5.4% vetëm prej zhvlerësimit të euros e dollarit.

I njëjti efekt pozitiv është edhe për qytetarët që kanë kredi në euro, kësti i tyre vlen më pak kur e këmben në lekë. pozitivisht do të ndikonte edhe në pagesat e qirave në euro, nëse tregu do të ishte i formalizuar. Po ashtu kanë përfituar edhe importuesit pasi kanë blerë të njëjtën sasi malli me më pak lekë. Ndikim pozitiv ky zhvlerësim duhet të kishte dhënë edhe në uljen e çmimeve për mallrat e importuara, duke nisur që nga karburanti e deri tek produktet ushqimore.

Humbësit e zhvlerësimit

Zhvlerësimi i euros godet eksportuesit pasi për të njëjtin sasi malli që shesin jashtë vendit fitojnë më pak pasi këmbimi euro në lekë është shumë më i ulët se vjet. Qytetarët që kanë të ardhurat në euro po ashtu humbasin pasi përfitojnë më pak lekë, e po ashtu humbin edhe nga remitancat që ju sjellin të afërmit e tyre, pasi për një dërgesë prej 1000 euro, ata marrin vetëm 98 mijë lekë kur i konvertojnë.
Humbet edhe buxheti i shtetit pasi fiton më pak para nga të importet, për shkak të zhvlerësimit të euros mblidhen më pak para nga TVSH-ja në doganë dhe nga akciza. Përtej ndërhyrjeve në kursin e këmbimit duke blerë sasi eurosh, Banka e Shqipërisë thotë se duhet të merren masa për të kufizuar përdorimin e euros në ekonominë vendase. Përdorimi i euros për të blerë në dyqane, qendra tregtare apo për të paguar fatura restorantesh duhet të ndalohen në mënyrë kategorike. Kështu është përgjigjur më herët për Report TV, Banka e Shqipërisë Sipas Bankës, opsion është edhe vënia e një tavani për vlerën e pagesave që mund të lejohen në euro. Sipas bankës synimi është ndalimi veçanërisht i transaksioneve të brendshme individ-individ, individ-biznes apo biznes-biznes, për blerje me pakicë dhe në vlerë të vogël ku pagesa në euro është e panevojshme./Shqiptarja

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN