Autoriteti Rrugor Shqiptar me anë të një njoftimi ka dhënë informacion për gjëndjen e rrugëve në disa qarqe të vendit, pas reshjeve të dëborës.
Sipas ARRSH gjëndja në gjithë segmentet rrugore nga Qafë Mali deri në Qafë Muzinë është e rënduar për shkak të temperaturave të ulëta dhe reshjeve intensive të borës.
Gjëndja e rrjetit rrugor dhe kushtet e qarkullimit të automjeteve paraqiten si më poshtë:
Në Rajonin Verior Shkodër: Gjatë natës e deri më tani ka pasur reshje dëbore me intensitet.
Kontraktorët kanë bërë pastrimin dhe trajtimin me kripë të gjithë segmenteve rrugore. Qarkullimi kryhet pa zinxhir në akset Kukës – Bushtricë dhe Kukës – Ura e Zapodit, Qafë Laç– Koman, Koplik – Bogë, Dedaj – Razem.
Në segmentin Skuraj – Burrel – Klos – Bulqizë – Peshkopi aktualisht lëvizja e mjeteve kryhet pa zinxhirë por rekomandojmë përdorimin e zinxhirëve dhe gomave të borës pasi rreshjet po intensifikohen. Në rrugë Ura e Cerenecit – Steblevë, po punohet me borëpastruese dhe fadroma për pastrimin e rrugës dhe qarkullimi kryhet me zinxhirë vetëm në pjesën fundore.
Në segmentet e mëposhtme qarkullimi kryhet me zinxhirë:
Qafë Mali – Fierzë (ka rreshje me intensitet, rreth 20 cm borë), Qafë Qele – Pukë – Fushë Arrëz – Kukës, Shkodër – Hani i Hotit dhe Ura e Topojanit – Dogana Bllate. Firmat e mirëmbajtjes po punojnë intesivisht me borëpastruese e trajtim me kripë për pastrimin total të këtyre segmenteve.
Në Rajonin Qëndror Tiranë: Gjatë natës dhe tani , ka reshje shiu dhe bore. Në akset e Dajtit po punohet nga kontraktori për pastrim dhe trajtim me kripë. Segmenti Qafë Priskë – Qafë Mollë – Shëngjergj, Trau Dajt – Teleferik qarkullohet me zinxhirë.
Rreshje të dobeta ka patur në Gjinar dhe Steblevë. Po punohet intensivisht për pastrimin e akseve. Deri tani nuk ka probleme. Në Librazhd – Qafë Thanë, ka patur rreshje me intensitet. Qarkullimi rekomandohet me zinxhirë.
Në Rajonin Jugor Gjirokastër: Në Qarqet Korçë dhe Gjirokastër ka reshje me intensitet të lartë. Në akset e Korçës, trashësia e borës shkon rreth 20 cm. Në akset e Dardhës, Voskopojës, Korçë – Qafë Qarri – Ersekë, Liqenas –
Dogana Goricë, qarkullohen me zinxhirë. Aksi Kryesor Qafë Thanë – Pogradec – Korcë – Kapshticë, qarkullohet me zinxhirë. Edhe segmentet Tepelenë – Dorez – Qafë Dushk dhe Sevaster – Kalivac, Përmet – Carshovë, Ura e Leklit – Këlcyrë , Jorgucat – Muzinë – Syri i Kaltër, Gjirokastër-Tepelenë dhe Gjirokastër Kakavijë, qarkullohet vetëm me zinxhirë.
Rruga Dukat – Llogara – Sarandë është e hapur dhe qarkullohet pa zinxhirë.
Sipas parashikimit meteorologjik moti do të përkeqësohet, do ju njoftojmë herë pas here për ndryshimin e gjëndjeve të akseve kryesore.
Rekomandohen përdoruesit e rrugës të tregojnë kujdes dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore.
Të vendosin zinxhir në akset që përmendëm më sipër, të respektojnë udhëzimet e Policisë së Qarkullimit Rrugor, të lëvizin me shpejtësi të reduktuar dhe të përdorin gomat e dimrit.