Shqipëria tani përballet me sfidën e re të rritjes së aftësive konkurruese në tregun ndërkombëtar dhe me synimin për hyrjen në Bashkimin Evropian. Siç dihet, një faktor shumë i rëndësishëm që ndikon në rritjen ekonomike të një vendi dhe që pasqyron rritjen e aftësisë konkurruese është tregëtia e jashtme ose siç thuhet ndryshe eksporti.
Sa i përket shkëmbimeve tregtare, për vitin 2017, me vendet e BE zënë 66,3 % të gjithë tregtisë. Gjatë këtij viti, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 77,1 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 61,6 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (36,2 %), Greqia (6,8 %), Gjermania (6,8 %) dhe Kina (6,4 %).
Shqipëria është një vend kryesisht importues, që importon më shumë sesa eksporton. Në vitin 2017 eksportet e mallrave arritën vlerën 273 mld lekë, duke u rritur me 12,1 %. Krahasuar me vitin 2016 edhe importet e mallrave arritën vlerën 626 mld lekë, duke u rritur me 8,1 %, krahasuar me vitin 2016.
Rrjedhimisht vendi ynë është në kushtet e një deficit tregtar. Deficiti tregtar arriti vlerën 353 mld lekë, duke u rritur me 5,2 %, krahasuar me vitin 2016. Deficiti tregtar i muajit dhjetor është 39 mld lekë, duke u rritur me 14,2 %, krahasuar me dhjetor 2016 dhe me 32,5 %, në krahasim me nëntor 2017.
Sipas Instat gjatë këtij viti, importet janë rritur me 8,1 % krahasuar me 2016. Të gjitha grupet kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të importeve. Grupet që kanë ndikuar më tepër në rritjen vjetore të importeve, janë: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +32,3%, “Tekstile dhe këpucë” me +9%, “Produkte kimike dhe plastike” me +10,8%.
Ndërkohë përgjatë vitit 2017, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me vitin 2016, janë: Italia me (9,9 %), Kosova me (26,0 %) dhe Spanja me (87,5 %).
Vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Turqia me (-24,0 %), Zvicër me (-48,0 %) dhe Hollanda me (-4,0 %).
Sipas Bankës së Shqiperisë vendet kryesore partnere me te cilat shkëmbejmë mallra janë: Italia, Greqia, Gjermania, Turqia dhe vendet e rajonit si Kosova, Maqedoni, Serbia dhe Mali i zi.
Ne 5 vitet e fundit mesatarisht rreth 27 %e importeve tona kanë ardhur nga Italia, 15% nga Greqia, 7% nga Turqia, 2% nga vendet e rajonit dhe rreth 28% nga vendet e tjera evropiane. 68% e eksporteve tona kanë shkuar në Itali, 9% në Greqi, 10 % në vendet e rajonit dhe 5% në Gjermani.
Pjesën më të madhe të importeve tona në 5 vitet e fundit e zënë: makineri dhe pajisje(22%); ushqime, pije e duhan(17%), materiale ndërtimi(16%) minerale, lëndë djegëse, energji(15%); teksile dhe këpucë(11%).
Për këtë periudhë, eksportet tona janë kryesisht: tekstile dhe këpucë(50%); materiale ndërtimi dhe metale(16%); minerale, lëndë djegëse, energji(13%); ushqime, pije,duhan(7%).
Sa i përket vitit 2017, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me vitin 2016 , janë: Italia me (5,7 %), Turqia me (11,2 %) dhe Greqia me (9,2 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Gjermania me (-7,7 %), Kina me (-2,6 %) dhe Franca me (-4,4 %).
Me hyrjen në ekonominë e tregut dhe me hapjen ndaj tregtisë së mallrave dhe shërbimeve, fluksi i importeve në Shqipëri u rrit ndjeshëm si rezultat i boshllëkut (mungesës të mallrave në treg), i rritjes të kërkesës së brendshme dhe i pamundësisë së prodhimit të brendshëm për t’iu përgjigjur këtyre nevojave shpërthyese. Megjithëse rritjet që kanë shënuar eksportet gjatë kësaj periudhe, deficiti tregtar vazhdojnë të thellohen vit pas viti.