MENU
klinika

Si ndërhyri Beogradi

Regjistrimi i popullsisë në Malin e Zi, “fërkon duart” Serbia

16.10.2024 - 14:03

Regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi, është shndërruar në një çështje politike mes grupimeve më të mëdha politike, të pro-malazezëve dhe të atyre pro-serbe. Analistët theksonin se censi mund të përmbyste strukturën kombëtare të popullsisë në shtetin e vogël ballkanik, Malin e Zi. Regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi, e ka tejkaluar rëndësinë statistikore dhe është shndërruar në një çështje politike, thonë analistët. Kjo, sipas tyre është pasojë e fërkimeve të vazhdueshme rreth strukturës kombëtare të popullsisë. Për dekada të tëra, ata janë fiksuar pas përqindjeve të atyre që e konsiderojnë veten malazez në krahasim me serbët, sa shqiptarë jetojnë në vend dhe nëse myslimanët janë një kategori e veçantë nga boshnjakët. Tani, duket se disa nga pikëpyetjet e tyre kanë marrë përgjigje.

Rezultatet

41 për qind e malazezëve dhe pothuajse 33 për qind e serbëve jetojnë në Mal të Zi, por më shumë banorë flasin serbisht sesa malazezisht, sipas rezultateve të regjistrimit të popullsisë të vitit 2023, të publikuar të martën nga Administrata Shtetërore për Statistikat. Kroatët janë më pak se një për qind. Krahasuar me regjistrimin e vitit 2011, numri i malazezëve është zvogëluar për tre për qind, ndërsa numri i serbëve është rritur për tre për qind. 9,45 për qind e qytetarëve janë deklaruar boshnjakë, 4,97 për qind shqiptarë, 2,06 për qind rusë, 1,63 për qind myslimanë dhe 0,97 për qind kroatë. Shumica e banorëve të Malit të Zi flasin gjuhën serbe, 43.18 për qind e tyre. Pas saj vjen gjuha malazeze e folur nga 34,52 për qind e popullsisë. Krahasuar me regjistrimin e vitit 2011, numri i banorëve malazezë që flasin serbisht është rritur për 0,5 për qind, ndërsa numri i banorëve malazezë është ulur me 2,5 për qind. Gjuha Boshnjake është në vendin e tretë, me 6,97 për qind, shqip flitet 5,25 për qind, rusisht 2,36 për qind, serbo-kroatisht 2,08 për qind e popullsisë së Malit të Zi. Sipas regjistrimit të vitit 2011, 29 për qind e serbëve dhe 44 për qind e malazezëve jetonin në Mal të Zi. Boshnjakët ishin afër nëntë për qind, shqiptarët afër pesë për qind, myslimanët tre për qind dhe kroatët një për qind.

Tensionet politike

Regjistrimi i popullsisë është bërë në dhjetor të vitit të kaluar dhe në fillim të tetorit, banorët malazezë kanë mundur të kontrollojnë nëse informacionet për fenë, kombësinë dhe gjuhën, të cilat i kanë komunikuar në regjistrim, janë futur saktë përmes një aplikacioni në internet. Siç u njoftua më vonë nga Monstat, nuk u konstatuan parregullsi. Më shumë se 20 mijë qytetarë të Malit të Zi kanë shfrytëzuar të drejtën për të kontrolluar të dhënat e tyre. Krijimi i softuerit për verifikimin e të dhënave ishte një nga kushtet e opozitës për kryerjen e regjistrimit. Regjistrimi i rregullt ishte dashur të bëhej në vitin 2021, por u shty për shkak të pandemisë së koronavirusit. Pas kësaj, ai u shty disa herë për shkak të mosbesimit të partive opozitare dhe dyshimeve se të dhënat mund të falsifikoheshin, veçanërisht në pjesën e deklarimit kombëtar dhe fetar.

Fushata serbe

Opozita pro-malazeze, e udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve, kërcënoi të bënte thirrje për një bojkot të regjistrimit nëse nuk do t’u jepej kontrolli i plotë mbi procesin. ata pretenduan se qëllimi i vërtetë i regjistrimit ishte inxhinieria etnike për të rritur numrin e serbëve në Mal të Zi dhe për të ulur numrin e malazezëve. Forcat dhe mediat pro-serbe dhe pro-ruse kanë bërë fushatë prej muajsh, duke u bërë thirrje qytetarëve që të deklarohen si serbë. Fushatës iu bashkua edhe Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe (KPS) Porfirije, i cili u bëri thirrje qytetarëve që të identifikohen si anëtarë të popullit serb dhe besimtarë të KPS-së që flasin gjuhën serbe. Asokohe edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka folur vazhdimisht për “rëndësinë e regjistrimit për përcaktimin e numrit të serbëve në Mal të Zi”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN