MENU
klinika

"Të aplikohet edhe në Tiranë"

PS jep dakordësinë për votimin elektronik në Durrës dhe Elbasan

16.10.2024 - 17:38

Rreth një javë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve iu drejtua me një letër partive politike, duke u shpjeguar se afati kohore e pamundëson aplikimin e votimit elektronik në 5 qarqe siç ato kanë kërkuar për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Partia Socialiste i është përgjigjur institucionit po me një letër.

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi propozonte në letrën e tij që votimi elektronik të kryhet vetëm në qarqet Durrës dhe Elbasan, raporton A2. Sipas tij, do të jetë më i lehtë që votimi elektronik të bëhet në Elbasan, pasi qytetarët janë të njohur me procesin, duke nisur nga eksperienca në zgjedhjet lokale të 14 Majit, ndërsa Durrësi rekomandohet për lehtësitë logjistike dhe njerëzore që ofron ky qark krahasuar me qarqe të tjerë të vendit.

Por, Partia Socialiste ka paraqitur një propozim ndryshe për votimin elektronik, duke hedhur idenë që procesi të kryhet në tre qarqe. Partia në pushtet në propozimin e saj mban në lojë qarqet Durrës dhe Elbasan, por shton edhe Tiranën.

“Së pari, shprehim dakordësinë tonë që votimi elektronik të shtrihet në qarkun e Elbasanit dhe Durrësit. Së dyti, kërkojmë që votimi elektronik të shtrihet dhe në Qarkun e Tiranës. Tirana, si qarku më i madh në Shqipëri prodhon një numër të konsiderueshëm mandatesh (37 mandate në listat shumëemërore të hapura). Nisur nga ky fakt, fleta e votimit do të administrohej me vështirësi nga votuesit dhe do të krijonte pengesa objektive, duke krijuar konfuzion në procesin e votimit”, argumentohet në letrën e dërguar për PS drejt KQZ.

Më tej PS i shkruan Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve se në rast institucioni e ka të pamundur sigurimin e kushteve për votim elektronik në këto tre qarqe, atëherë të majtët propozojmë që procesi të realizohet vetëm në Tiranë.

“Nëse nga ana juaj shihet e pamundur përfshirja e tre qarqeve në votimin elektronik, për shkak të kohës që keni në dispozicion deri në dekretimin e dates së zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, ju propozojmë që të miratoni si qark të vetëm, qarkun Tiranë, ku do të zhvillohet votimi elektronik”, thuhet më tej në letër.