MENU
klinika

Shton 30 miliardë dollarë në fondin e saj të kredive

Banka Botërore ul normën e interesit të huave

16.10.2024 - 20:25

Banka Botërore po bën disa ndryshime me qëllim që të shtojë kapacitetin e saj huadhënës dhe t’i bëjnë huat më të përballueshme.

Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD) do të zbresë normën e interesit në 18 për qind, duke e ulur atë me një për qind nga shkalla e tanishme, një hap ky që do të shtojë 30 miliardë dollarë në fondin e saj të kredive.

Vendimi, sipas një komunikate të publikuar të martën nga Banka Botërore, krahas ndryshimeve paraprake, “do të krijojë mbi 150 miliardë dollarë fonde shtesë për kredi në 10 vitet e ardhshme”.

Presidenti i Bankës Botërore, Ajay Banga i tha agjencisë së lajmeve Reuters se reformat ishin rekomanduar nga një raport i pavarur, i hartuar për një grup prej 20 shtetesh, ku bëjnë pjesë shtetet më të pasura dhe ato në zhvillim e sipër. Ndryshimet po ashtu janë kërkuar nga palët e interesuara, përfshirë Shtetet e Bashkuara, sipas presidentit.

Norma më e ulët e interesit “na mundëson që të japim më shumë kredi”, tha zoti Banga.

Në vitin 2023, IBRD-ja e uli normën e interesit nga 20 në 19 për qind.

Krahas uljes së interesit, Banka Botërore njoftoi se do të mënjanojë disa pagesa, duke u krijuar më shumë lehtësi shteteve për “të marrë hua dhe paguar kreditë”.

Banka tha se “vendet më të vogla, që kanë më shumë nevojë, do të paguajnë më pak për kredinë… Këto masa do t’i bëjnë huat tona më të lehta dhe më të lira për t’u paguar”.

Zoti Banga tha se Banka Botërore synon të rrisë fondet për shtetet më të varfra të botës, përmes Shoqatës për Zhvillimin Ndërkombëtar, me mbi 100 deri në 120 miliardë dollarë.

Megjithatë, për ta arritur këtë qëllim, palët e interesuara në Bankën Botërore dhe shtetet donatore duhet të rrisin kontributet e tyre nga 24 në 30 miliardë dollarë, një sfidë në rrethanat e tanishme financiare ndërkombëtare. Danimarka, megjithatë, tashmë ka njoftuar se do ta rrisë me 40 për qind kontributin e saj./VOA

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Guvernatori i Bankës tregon përfitimet nga sistemi europian i pagesave

‘Hyrja në SEPA, kursejmë 20 mln euro vetëm vitin e parë’!