KQZ i kaloi sot mandatin e deputetit Andrea Manos, i cili do të zëvendësojë Ervin Salianjin. Ish-kryetari i Degës së Partisë Demokratike të Korçës, Andrea Mano do të marrë në Kuvendin e Shqipërisë mandatin si deputet.
Sipas KQZ, kandidati Andrea Nesti Mano ka dorëzuar formularin e vetëdeklarimit brenda afateve të përcaktuara ligjore. Pas verifikimeve, është konstatuar se nuk ka ndryshime në gjeneralitete apo dënim me vendim të formës së prerë.
“Të dhënat e deklaruara konstatohet se nuk përbëjnë kusht për moszgjedhjen e tij si deputet i Kuvendit të Shqipërisë”, tha përfaqësuesja e KQZ-së gjatë mbledhjes sot.
Ndërkohë, Ilirjan Celibashi vendosi që Andra Mano të marrë mandatin e deputetit në Kuvendin e Shqipërisë për Qarkun Korçë.
Kujtojmë se Gjykata e Apelit dha vendimin për Salianjin, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për dënimin e tij me 1 vit burg, nën akuzën për “Kallëzim të rremë” mbi çështjen “Babale”.
Ish-deputeti i PD, i cili e cilëson dënimin të padrejtë dhe pa prova, pretendon se nuk i janë vënë në dispozicion aktet e dosjes dhe vendimit të Apelit, para se të burgosej.
Sipas tij Prokuroria dhe Gjykata kanë nxituar në ekzekutimin e vendimit, duke theksuar se duhet të pritej një herë zbardhja e vendimit apo rekursi në Gjykatën e Lartë.
Më 30 shtator, Parlamenti u njoftua për dënimin e formës së prerë nga Apeli i Tiranës, gjë që çoi edhe në humbjen e mandatit përfundimtar të Salianjit.