MENU
klinika

Shkencëtarët në Britani nisin një studim për ta zbuluar

A shkakton ndotja e ajrit demencë?

21.10.2024 - 09:15

Shkencëtarët britanikë janë gati të nisin një projekt të jashtëzakonshëm kërkimor, i cili do të demonstrojë se si ajri që thithim mund të ndikojë në trurin tonë. Kjo punë do të jetë jetike, thonë ata, për të kuptuar një problem të madh mjekësor: se si ndotja atmosferike mund të shkaktojë çmenduri.

Vitet e fundit, shkencëtarët kanë zbuluar se ndotja e ajrit është një nga kërcënimet më të dëmshme për shëndetin e njeriut dhe kanë treguar se është i përfshirë në shkaktimin e kancerit, sëmundjeve të zemrës, diabetit, nivelit të ulët të lindjeve dhe shumë kushteve shëndetësore.

Tani shkencëtarët në Intsitutin Francis Crick do të shikojnë përfshirjen e tij në fenomenin e neurodegjenerimit përmes një projekti kërkimor, të titulluar Rapid, i cili financohet nga shoqata bamirëse Race Against Dementia dhe do të nisë të hënën.

Rapid do të përfshijë shkencëtarët që do të shqyrtojnë proceset e sakta me të cilat grimcat e vogla ndotëse mund të çojnë në çmenduri, punë që mund të sjellë një pasqyrë në mënyrën se si grimcat e ajrit shkaktojnë sëmundje në përgjithësi dhe gjithashtu të ndihmojnë në zhvillimin e barnave të reja për të kundërshtuar përparimin e kushteve si p.sh. sëmundja e Alzheimerit.

“Ndotja e ajrit në përgjithësi nuk lidhet me demencën. Megjithatë, epidemiologët kanë zbuluar kohët e fundit se grimcat në ajër janë të lidhura mjaft fort me rrezikun e sëmundjes neurodegjenerative”, tha një nga drejtuesit e projektit, Prof Charles Swanton, zëvendësdrejtor klinik i Crick. “Ne duam të zbulojmë saktësisht se si grimcat e vogla në ajër mund të kenë ndikime kaq të thella në trurin tonë dhe ta përdorim atë njohuri për të zhvilluar ilaçe të reja për trajtimin e demencës.”

Një lloj kyç i ndotjes së ajrit përbëhet nga pezullimet e fragmenteve të vogla të lëndëve të ngurta dhe pikave të lëngshme. Këto prodhohen nga shkarkimet e makinave dhe kamionëve, fabrikat, pluhuri, poleni, vullkanet, zjarret dhe burime të tjera dhe njihen si grimca 2.5 ose thjesht PM2.5.

Këto grimca janë më pak se 2.5 milionta e metrit në diametër – rreth 30 herë më të imta se një fije floku e njeriut – dhe janë aq të vogla sa mund të udhëtojnë thellë në skutat e trupit të njeriut. Në rastin e demencës, PM2.5 thithen dhe besohet se hyjnë në tru përmes llambës nuhatëse, një masë e rrumbullakosur indi që ndodhet mbi zgavrën e hundës dhe luan një rol kyç në përpunimin e informacionit të nuhatjes.

“Në tru, PM2.5 duket se merren nga qelizat imune në sistemin nervor qendror dhe pas tyre, ne mendojmë se neurodegjenerimi mund të fillojë më pas”, tha Sëanton.

Megjithatë, saktësisht se si shpaloset ky proces dhe çon në çmenduri nuk është e qartë dhe një qëllim kryesor i projektit Rapid do të jetë zbulimi i procesit të saktë që shkakton PM2.5-të, të bëjnë që indet e trurit të formojnë grumbuj që janë shenjë dalluese e sëmundjes Alzheimer.

“Ne kemi prova të mira që e lidhin ekspozimin ndaj grimcave PM2.5 me sëmundjet e trurit si Alzheimer dhe Parkinson, por nuk e dimë ende nëse këto në të vërtetë po shkaktojnë drejtpërdrejt neurodegjenerimin, ose nëse ato po nxisin procesin që tashmë po ndodh tek individët vulnerabël. ”, tha Sonia Gandhi, drejtuese e Laboratorit të Biologjisë së Neurodegjenerimit në Kolegjin Crick dhe University College në Londër.

Studiuesit në Crick besojnë se një nga tre mekanizmat e ndryshëm është i përfshirë në mënyrën se si ndotja e ajrit shkakton demencën. Grimcat PM2.5 mund të përshpejtojnë drejtpërdrejt procesin me anë të të cilit, proteinat grumbullohen së bashku në tru – dhe po shkaktojnë Alzheimer.

Përndryshe, mund të ndodhë që ardhja e grimcave ndërhyn në aftësinë e trurit për të pastruar grumbullimin. Me fjalë të tjera, PM2.5 po ndërhyjnë në sistemin e pastrimit të qelizave të trupit dhe po e bëjnë më të vështirë pastrimin e proteinave të tjera që shkaktojnë sëmundje të tilla si Alzheimer.

Së treti, është sugjeruar se PM2.5 po merren nga qelizat imune të trurit, të quajtura mikroglia, dhe mund të çojë që këto qeliza të shkaktojnë inflamacion që nxit fillimin e demencës.

Hulumtimi për të gjetur se cili mekanizëm është i përfshirë në shkaktimin e demencës, do të fokusohet në eksperimentet in-vitro mbi qelizat burimore njerëzore, si dhe modelet e kafshëve.

“Pasi t’i kuptojmë ato mekanizma në detaje, ne mund ta përdorim atë njohuri për të zhvilluar trajtime që do të zbehin ndikimin e ndotësve të ajrit, dhe ndoshta një ditë do të parandalojnë efektin e mjedisit në sëmundjet e trurit,” tha Gandhi./ The Guardian.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Mënyrat që mund të ndihmojnë...

Si të largosh ankthin në kohë karantine!

Për çfarë kanë nevojë studiuesit?

Mjekët studiojnë pasojat afatgjata të koronavirusit