MENU
klinika

Skemë për pensionet

Si do të njihen vitet e punës në komunizëm

21.10.2024 - 14:00

Elmas Bogdani

Të gjithë qytetarët që kanë punuar në ish-kooperativat dhe ndërmarrjet, por nuk e kanë të dokumentuar, do të kenë mundësi të njohin vitet e punës pa kaluar përmes gjykatave. Ministria e Ekonomisë është duke punuar aktualisht për një projektligj që synon njohjen e këtyre viteve të punës nga mosha 18 vjeçare deri në tetor 1993 për ndërmarrjet shtetërore, tetor 1992 për ato bujqësore dhe korrik 1991 për kooperativat. Kjo mund të sjellë mungesën e deri 14-16 viteve pune për burrat dhe 11-13 vite për gratë. Miratimi i projektligjit do të mundësojë njohjen e periudhave të sigurimit pa pengesa procedurale dhe pa shpenzime për përfituesit. Po ashtu, do të mundësojë përfitimin e një pensioni minimal, sa masa e pensionit social.

Regjistrat e këtyre kooperativave dhe ndërmarrjeve shpesh kanë qenë të mangët ose nuk janë dorëzuar fare. Disa regjistra janë shkatërruar gjatë trazirave të vitit 1997. Nëse ligji do të ketë efekt prapaveprues, ai do të krijojë një kosto të lartë financiare. Kostoja arrin në 1.7 miliardë lekë në vit për ata që kanë punuar në kooperativat bujqësore dhe 5.2 miliardë lekë për ata në ndërmarrjet shtetërore. Procedura për njohjen e kontributeve kërkon që individët të vërtetojnë se kanë qenë banorë të territoreve ku ka patur kooperativa dhe ndërmarrje. Gjithashtu, ata nuk duhet të kenë qenë në burg ose të kenë përfituar pension të plotë invaliditeti. Deklarimi i rremë i kohës së punësimit në këto kooperativa përbën vepër penale dhe dënohet sipas legjislacionit në fuqi.

Një ligj i ri dhe për pensionet e minatorëve

Nga ana tjetër deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, së bashku me një grup deputetësh të opozitës, kanë propozuar një ligj të ri që synon përmirësimin e skemës së pensioneve për minatorët. Ky propozim ligjor vjen pas dekadash premtimesh të pambajtura nga qeveria, e cila ka dështuar në përmbushjen e kërkesave të kësaj kategorie të rëndësishme të punëtorëve, duke i marrë votat me premtime të rreme për përmirësimin e pensioneve. “Për vite me radhë, minatorët janë mashtruar nga qeveria, që ka premtuar rritje reale të pensioneve, por në fakt, asgjë nuk ka ndryshuar për ta. Qeveria nuk ka bërë asgjë më shumë sesa një indeksim formal të pensioneve, i cili nuk e përmirëson realisht jetesën e tyre ,” tha Tabaku dje në një deklaratë për mediat. Sipas opozitës, janë mbi 1 mijë minatorë përfitues të pensioneve, ndërsa mbi 13 mijë të tjerë përfitojnë nga statusi i minatorit.

Pavarësisht kësaj, pensionet fillojnë nga 40 mijë lekë, një shumë e pamjaftueshme për të përballuar jetesën në kushtet e inflacionit të lartë dhe kostove gjithnjë e më të rritura të jetesës. Tabaku dhe deputetët e opozitës kanë theksuar se ky ligj synon një rritje të drejtë dhe të merituar për pensionet e minatorëve, duke vendosur një standard të ri që i përgjigjet realisht nevojave të kësaj kategorie punonjësish. Ata kritikojnë ashpër qeverinë për përdorimin e skemave të koncesioneve dhe PPP-ve, që sipas tyre kanë shpërdoruar miliarda nga buxheti i shtetit, ndërkohë që për minatorët janë ofruar vetëm premtime boshe dhe simbolike. “Minatorët meritojnë më shumë se 20 lekë shtesë në ditë ose premtime të rreme elektorale. Ky ligj është një hap drejt përmbushjes së kërkesave të tyre dhe rivendosjes së dinjitetit të humbur,” shtoi Tabaku.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN