MENU
klinika

Marrëveshja për emigrantët

KE: Duhet të respektojë normat dhe traktatet europiane!

21.10.2024 - 19:00

Masat e miratuara nga protokolli mes Italisë dhe Shqipërisë për menaxhimin e emigrantëve “duhet të jenë në përputhje me traktatet europiane”.
Kështu ka deklaruar Anitta Hipper, zëdhënëse e Komisionit të BE-së për Punët e Brendshme.

“Protokolli Itali-Shqipëri zbaton ligjin kombëtar, por sigurisht duhet të zbatohen edhe standardet e përcaktuara në mbrojtjen dhe procedurat e parashikuara nga ligji komunitar. Ne kemi thënë gjithashtu se të gjitha këto masa që autoritetet italiane po marrin duhet të jenë plotësisht në përputhje dhe duhet të mos komprometojë në asnjë mënyrë zbatimin e ligjit dhe traktateve të BE-së”, shtoi ajo.

“Jemi në dijeni të vendimit të gjykatës së Romës, e cila urdhëroi që emigrantët e dërguar në Shqipëri të kthehen në Itali, bazuar në marrëveshjen mes dy vendeve dhe jemi në kontakt me autoritetet italiane.

Tani përsa i përket vendimit, në fakt ai i referohet konceptit të ‘vendit të sigurt të origjinës’, dhe si zbatohet ai nga ana jonë, tani për tani nuk kemi lista të përbashkëta të BE-së për vendet e treta të sigurta”, shpjegoi zëdhënësja, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.