Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në burg ish deputetin e PS, Jurgis Çyrbja dhe bashkëpunëtorin e tij, Ahmet Masha. Socialisti Çyrbja akuzohet për veprat penale “Tregimi i sekretit shtetëror nga shtetasit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer më tepër se një herë.
Sipas SPAK, zbërthimi i komunikimeve në aplikacionin Sky ECc, ka zbuluar në së paku, 7 raste, Jurgis Cyrbja ka nxjerrë informacione, të klasifikuara si “sekret shtetëror”. Këto informacione duke përdorur postin e deputetit Cyrbja, sipas organit të akuzës, i siguronte tek funksionarë publik, të cilët deri në këtë fazë hetimi nuk janë identifikuar. Pasi siguronte informacionet, Cyrbja dyshohet se komunikinte me anë të aplikacionit “Sky ECC”, me personazhe të botës së krimit duke I njoftuar që janë shpallur në kërkim.
Jurgis Çyrbja akuzohet nga Prokuroria e Posaçme, SPAK se në disa raste dyshohet të ketë bashkëpunuar me Ahmet Mashën një tjetër I arrestuar, për kryerjen e këtyre veprave penale. Po ashtu, Çyrbja akuzohet se edhe pse është në kërkim nga autoritetet, ka ndihmuar në këmbim të votave, Altin Hajrin, pronarin e resortit Golden në Shijak të akuzuar si pjesëmarrës në marrjen peng dhe zhdukjen e Jan Prengës, në 2020-ën .
Nga hetimet, ka rezultuar se Çyrbja është vendosur në dijeni edhe të disa planeve operacionale të Policisë së Shtetit, për aksione në zonën e Durrësi. Edhe këto informacione sipas SPAK, u janë transmetuar personave të shpallur në kërkim, si nga vetë Çyrbja, ashtu edhe përmes Ahmet Mashës.