MENU
klinika

Një program ambicioz, i cili synonte kryerjen e…

Çfarë i kërkuan hebrenjtë në Shqipëri Mehdi Frashërit!

22.10.2024 - 14:42

NGA GIANLUCA BERTOZZI

Më 21 tetor 1935 u krijua qeveria e kryesuar prej Mehdi Frashërit. Emërimi i Frashërit në postin e Kryeministrit të Shqipërisë prej Mbretit Zog u mirëprit në shtypin e kohës, pasi ekzekutivi i ri premtonte përmbushjen e një programi reformash liberale. Kabineti “Frashëri” përbëhej nga subjekte progresiste, me një edukim elitar në universitetet e lakmueshme të Perëndimit. Krahas detyrës së kryeqeveritarit, Frashëri kishte edhe rolin e ministrit të Drejtësisë.

Përveç faktit se në përbërjen e qeverisë kishte shumë intelektualë, një tjetër cilësi e saj ishte përfaqësimi i të krishterëve në qeveri (3 katolikë, 1 ortodoks dhe 3 myslimanë) gjë që tregon edhe tolerancën dhe mirëkuptimin fetar në Shqipëri. Në përbërje të kabinetit ishin: Fuat Asllani, ministri i Punëve të Jashtme; Et’hem Toto, ministri i Punëve të Brendshme; Rrok Gera, ministri i Financave; Nush Bushati, ministri i Arsimit, Ndoc Naraçi; ministri i Punëve Botore dhe Dhimitër Berati, ministri i Ekonomisë Kombëtare. Ky formacion politik që do të qeveriste deri më 7 nëntor 1936 shpalosi një program ambicioz, i cili synonte kryerjen e një sërë reformash në ekonomi, në arsim, në politikën e jashtme dhe në shtypin e lirë. Programi përmbante 16 projektligje për modernizimin ekonomiko-financiar të vendit. Reformat mëtonin të arrinin të stabilizonin çmimet në tregun e brendshëm, të luftonin spekulatorët dhe të krijonin një kapital industrial në një klimë shoqërore e politike liberale. Në drejtim të politikës së jashtme, kjo qeveri mundi të kornizonte marrëdhëniet italoshqiptare, kur në mars të vitit 1936, u nënshkrua në Romë një marrëveshje bashkëpunimi mes Frashërit dhe Musolinit. Krisjet në rrafshin e pushtetit çuan në rrëzimin e qeverisë nga Parlamenti në vjeshtën e 1936-s dhe ky akt parlamentar shënoi edhe një precedent demokratik.

ANGAZHIMET

Mehdi bej Frashëri lindi në Frashër më 28 shkurt 1872, ishte nëpunës në administratën osmane, politikan e shkrimtar shqiptar. Sipas të plotfuqishmit të Gjermanisë naziste në Ballkan, Hermann Neubacher, Frashëri sajoi një kategori të re në ligjin ndërkombëtar, duke sugjeruar që Gjermania të njihte neutralitetin e Shqipërisë. Që të ishte një “neutralitet relativ”, duke bërë kësodore të mundur që përfaqësuesi gjerman t’i njihte Shqipërisë “sovranitet relativ”. Mehdiu ndoqi një shkollë private në Janinë dhe më pas në Idadijen e Manastirit, para se të fitonte të drejtën e studimit për në Shkollën Civile të Administratës Mbretërore “Mylkie-i-Sehahané” në Stamboll për Shkenca Politike-Administrative, ku u diplomua në vitin 1897.

Gjatë kohës kur ishte student, ndihte në përhapjen e të përkohshmes Albania të Faik Konicës. Stazhin e tij e nisi duke u emëruar së pari si atashe pranë qeveritarit të ishujve të Arkipelagut në Rodos, ku shërbeu deri në 1901, ku dha mësime historie, matematike, algjebre dhe shkencash në medresenë e vendit. Nga 1901 në Peqin me detyrën e kajmekamit/nënprefektit deri në vitin 1903 dhe nënprefekt në Ohër deri në 1906, ku u denoncua nga një grup myslimanësh të vendit si xhonturk dhe nacionalist shqiptar. Nga tetori i 1906 e deri në shpalljen e Kushtetutës pas revolucionit xhonturk, u caktua kajmekam ndër kaza të ndryshme të Trakisë, më pas autoritetet xhonturke e graduan mytesarif. U caktua me shërbim në Senixhe, në sanxhakun e Novi Pazarit, në Serres dhe më pas në Samsun. Më 1912 u caktua në Jerusalem, por hoqi dorë me t’u shpallur pavarësia e Shqipërisë. Më parë shkoi në Egjipt, ku qe caktuar nënkomisar i perandorisë.

KTHIMI NË SHQIPËRI

Mehdi Frashëri u kthye në Shqipëri prillin e 1913 dhe u caktua prefekt i Beratit nga administrata e Qeverisë së Vlorës dhe më tej zgjidhet si përfaqësues i qeverisë pranë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, detyrë që e mban deri në shtator të 1914-s, kur dhe u zëvendësua nga Mehmet bej Konica. Me ardhjen e Princ Vidit emërohet kryebashkiak i Durrësit. Me revoltat, zhvendoset në Lozanë ku gjen Mit’hat beun. Pas një përpjekjeje për kthim në atdhe në mbarim të Luftës I Botërore internohet në Shën Mitër Koronë, ku dha gjuhë dhe letërsi shqipe në kolegjin e mirënjohur arbëresh. Me qeverinë “Përmeti” emërohet ministër i Punëve të Brendshme dhe më pas si delegat i Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris.

Pas Kongresit të Lushnjës, në funksionin e ministrit të Brendshëm dha një kontribut të madh në organizimin e mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të vitit 1921, pas të cilave ai u zgjodh deputet. Në atë kohë, ai bashkëpunoi ngushtë me degët ekonomike të vendit dhe me iniciativën e tij personale bëri të mundur ndryshimin e monedhës shqiptare nga “Leka i madh” në “Lek”. Në atë periudhë, kur po hidheshin themelet e para të shtetit të ri shqiptar, Frashëri kryesoi të gjitha komisionet parlamentare për hartimin e ligjeve (kodeve) ekonomike dhe ishte i pari që paraqiti nevojën e reformës agrare e themelimin e një Banke në Shqipëri. Nga viti 1923 e deri në vitin 1939, me disa ndërprerje të shkurtra, Frashëri ishte në funksionin e deputetit të Parlamentit shqiptar dhe përfaqësuesit të Shqipërisë pranë Lidhjes së Kombeve në Gjenevë të Zvicrës. Në vitin 1929-1930 ka qenë kryetar të Këshillit të Shtetit dhe më 1935, Mbreti Zog e thirri dhe e emëroi në postin e Kryeministrit të Shqipërisë.

DEKRETIMI

Dekretimi i Mehdi Frashërit në krye të qeverisë shqiptare, asokohe u përshëndet nëpërmjet shtypit edhe nga Át Gjergj Fishta, u konsiderua si një qeveri me frymë thellësisht liberale dhe e kohës. Programi i kryeministrit ishte i përbërë prej 16 projektligjesh e prej po aq sqarimesh, por mbi të gjitha po inauguronte një mënyrë krejt të re komunikimi politik në Shqipëri: ai ia bënte të ditur popullit projektligjet e nuk u mjaftonte me shpallë ligjet e aprovuara, siç kishin bërë qeveritë e mëparshme. Reformat që mëtonte të bënte qenë: individualizimi i dhjetë plagëve të bujkut shqiptar, organizimin e shoqërive bujqësore, luftën kundër fajdexhinjve dhe spekulatorëve, krijimin e Bankës Bujqësore, transformimin e të dhjetave në detyrime fiskale, stabilizimin e çmimeve në tregun e brendshëm, krijimi i kapitalit industrial në një klimë shoqnore e politike liberale. Qeveria dështoi e Zogu ngarkoi Koço Kottën me formue një qeveri të re.

PUSHTIMI

Më 6 prill të vitit 1939 kur Italia filloi agresionin fashist ndaj Shqipërisë, në atë kohë ishte deputet i Parlamentit Shqiptar, u takua me Mbretin Zog dhe i kërkoi që të fillonte rezistenca e armatosur ndaj italianëve, duke i thënë që Shqipëria nuk duhej të ndiqte shembullin e Tunizisë, e cila nuk shtiu asnjë pushkë kur u pushtua nga Italia. Pas takimit me Mbretin Zog, Frashëri shkoi dhe kreu një takim me ministrin Fuqiplotë të Italisë në Tiranë, duke i kërkuar atij që të ndërhynte pranë Qeverisë së tij që Musolini të tërhiqte ultimatumin që i kishte dhënë Qeverisë shqiptare. Mbasi nuk e bindi dot atë, Mehdi beu ndërmori dhe disa takime të tjera me trupin diplomatik të akredituar në Tiranë, duke u kërkuar atyre që të ndërhynin pranë qeverive përkatëse, me qëllim që të dënohej agresioni fashist që Italia po ndërmerrte ndaj një vendi të vogël e sovran siç ishte Shqipëria. Në mëngjesin e 7 prillit 1939, kur u dha lajmi se anijet luftarake italiane mbërritën në Portin e Durrësit, Frashëri shkoi në Radio Tirana dhe që andej me anë të një fjalimi iu drejtua gjithë popullit shqiptar duke i bërë thirrje që të ngrihej me armë kundër pushtimit fashist. Pas atij fjalimi patriotik dhe tepër prekës, Mehdi Beu nuk u largua nga Shqipëria, ndonëse i kishte të gjitha mundësitë, por preferoi dhe u fut në Legatën turke në Tiranë, duke u kërkuar atyre strehim politik.

Më pas, autoritetet italiane që u vendosën në Shqipëri, duke e konsideruar Mehdi beun si një antifashist e person politik me mjaft rrezikshmëri dhe kundërshtar potencial të tyre, e internuan atë në Itali, duke e mbyllur në kampet e përqendrimit, ku ai qëndroi deri në vitin 1943. Më 1943 kur kapitulloi Italia dhe në Shqipëri hynë trupat gjermane, disa figura të politikës shqiptare të asaj kohe, si Rexhep Krasniqi, Xhafer Deva, Bedri Pejani etj. gjatë bisedimeve që patën me Neubacher, i kërkuan atij që të ndërhynte pranë Qeverisë së tij që Frashëri, i cili ndodhej i internuar në Itali, të sillej në Tiranë për të kryesuar Këshillin e Lartë të Regjencës, pasi ai konsiderohej si një nga politikanët më të aftë që kishte Shqipëria në atë kohë. Autoritetet gjermane u bindën për këtë dhe e sollën Mehdi Frashërin në Tiranë dhe ai, së bashku me Lef Nosin, at Anton Harapin dhe Fuat Dibrën, të cilët konsideroheshin si persona politikë me të kaluar të pastër, kryesuan Këshillin e Lartë të Regjencës, i cili u zgjodh pas mbajtjes së një Kuvendi Kushtetues, ku për herë të parë morën pjesë me mandat të rregullt dhe përfaqësuesit e Kosovës. Në funksionin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Regjencës, Frashëri qëndroi deri në fillimin e nëntorit të vitit 1944. Gjatë asaj periudhe, si dhe më përpara, në vitet e Monarkisë, Frashëri ka banuar në Tiranë në një shtëpi te Rruga e Dibrës, të cilën ia kishte marrë me qira familjes Petrela, pasi shtëpinë e tij, ai e kishte lëshuar me qira për të përballuar jetesën e familjes.

EMIGRIMI

Në fillimin e nëntorit 1944, kur forcat partizane u përgatitën të sulmonin Tiranën, Frashëri së bashku me gruan e tij dhe tre fëmijët u larguan nga Shqipëria dhe nëpërmjet Shkodrës kaluan dhe u vendosën në Itali, e cila në atë kohë kontrollohej nga Forcat Aleate. Në Itali, si familje përfituan statusin e azilantit politik dhe kur mbërritën në Romë, u vendosën në një apartament (afër stacionit të trenit) në Piazza “Regina Margherita”. Ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Romë në 25 maj të vitit 1963 kur ishte 91 vjeç dhe në varrimin e tij, ku fjalën e rastit e mbajti Dhimitër Berati, morën pjesë shumë personalitete politike të diasporës shqiptare në Europë e Amerikë, si dhe disa përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Itali. Ai ishte përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku mbrojti me dinjitet të drejtat e minoritetit shqiptar në Çamëri, që shkeleshin nga qeveria greke. Pasi autoritetet ushtarake gjermane kërkuan zyrtarisht jo vetëm listat, por edhe grumbullimin e gjithë hebrenjve në një fushë përqendrimi, dy përfaqësues të komunitetit hebre që kishte gjetur strehë në Shqipëri, Rafael Jakohel dhe Mateo Mathatia, iu drejtuan Mehdi Frashërit për ndihmë, i cili i këshilloi të takoheshin me ministrin e Brendshëm, Xhafer Devën, i cili më pas mori përsipër të kundërshtonte kërkesën e autoriteteve gjermane.

KONTRIBUTI

Gjatë shërbimit të tij në Samsun, Mehdi Frashëri shkroi një libër mbi kapitulacionet në Perandorinë Osmane (tr. Imtiyazati ecnebiyenin tatbikat-i Haziresi, Samsun, 1325). Më tej, gjatë qëndrimit në Shën Mitër Koronë, shkroi romanin e titulluar Nevruzi në gjuhën shqipe. Shkroi tekste të shumta politike, historike e letrare dhe thuhet të ketë shkruar një libër në gjuhën turke mbi filozofinë e Revolucionit Xhonturk. Në gjuhën shqipe shkroi pamflete mbi kulturën greke në Shqipëri (1924) dhe Epir, mbi zgjedhjen e Tiranës kryeqytet dhe mbi bujqësinë. Përktheu nga frëngjishtja veprën e Vaso Pashës, e vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, botuar së pari më 1878. Më tej shkroi një ese historike mbi Lidhjen e Prizrenit më 1927 dhe më pas vëllimin e parë mbi historinë e Shqipërisë më 1928. Arriti të botonte rreth 600 artikuj publicistikë e studimorë në gazeta e revista të ndryshme, si dhe librin “Koka e Prerë e Ali Pashë Tepelenës” dhe në mërgim vijoi të hartonte një tekst të historisë së Shqipërisë, mbetur në dorëshkrim. Kujtimet e shkruara të tij mbijetuan në dorëshkrim për shumë vjet në familjet e Haki dhe Gani Karapicit dhe u kanë shpëtuar kontrolleve të dy arrestimeve, të fshehura midis librave të fëmijëve të tyre. Rreth vitit 1960 kujtimet iu dërguan nipit të tij të internuar në Gradishtë, Tefik Çelos. Kujtimet u botuan së pari më 2005 me titullin Kujtime (Vitet 1913-1933). Ai shkroi në kujtimet e tij se qe nismëtari i Protokollit të Korfuzit, me të cilin qeveria shqiptare e Durrësit pranonte autonominë e Vorio-Epirit, Korçë-Gjirokastër, si krahinë greke dhe me një protokoll tjetër autonominë e Himarës. Dihet se këtë akt qeveria shqiptare e Durrësit e konsideroi kapitullim.