Agjencitë imobiliare apo njohur ndryshe ndërmjetësuesit e pasurive të paluajtshme ngrenë shqetësimin se paqartësia me nismën e deputetes Blerina Gjylameti për realizimin e një procesi të ri rivlerësimi të pronave në vend, ka futur gjithë tregun në një situatë të vështirë.
Përmes një deklarate për mediat shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë thekson se një zvarritje e tillë pothuajse 6 mujore, jo vetëm që ka futur në një ngërç total gjithë sektorin e pasurive të paluajtshme, por për më tepër ka rritur në mënyrë të konsiderueshme riskun e një kolapsi në këtë industri.
“Një ngërç i tillë, pasojë e funksionimit të një tregu nën paqartësinë dhe mungesën e vendimmarrjes për fillimin e procesit të Rivlerësimit brenda muajit Shtator 2024, ka dhënë efektet e tij duke filluar me mungesën e transaksioneve, në procedurat pezull pranë zyrave Noteriale, në mungesën e performancës së sektorit financiar si dhe në mungesën e arkëtimit të ardhurave në arkën e shtetit”.
Më tej, në këtë deklaratë nënvizohet se si pasojë e kësaj situate të paqartë, i gjithë zinxhiri i transaksioneve me pasuritë e paluajtshme, përfshirë edhe shtetin, po humbet.
“Përtej mungesës së arkëtimeve dhe nevojës ose jo për këto, një fakt i tillë duhet të shqetësojë jo vetëm NAREA, por këdo që kupton se rënia e besimit të konsumatorit, kolapsimi i tregut të rishitjes ka efekte të sigurta domino mbi sektorin financiar, mbi sektorin e ndërtimin, atë të turizmit dhe mbi gjithë ekonominë”.
Ndaj për t’i dhënë fund një situate të tillë agonie, Shoqata e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme i bën thirrje Ministrisë së Financave dhe Këshillit të Ministrave, për një vëmendje të zgjeruar ndaj këtyre rreziqeve që po i kanosen kësaj industrie.