BBC ka bërë një investigim lidhur me kalimet e paligjshme me gomone nga Gjermania drejt Anglisë.
“Kushton 15,000 € (12,500 £) për të gjithë”, na thuhet, thotë gazetarja e BBC.
Për këtë do të na jepej një gomone e fryrë, me një motor dhe 60 xhaketa shpëtimi, për të kaluar përtej Kanalit Anglez.
Ky është “çmim i mirë” i ofruar nga dy kontrabandistë me varka të vogla për një gazetar të infiltruar të BBC-së në Essen, një qytet në Gjermaninë perëndimore ku jetojnë ose kalojnë shumë emigrantë.
Një hetim pesë-mujor i BBC-së ka ekspozuar lidhjen e rëndësishme gjermane me tregtinë vdekjeprurëse të kontrabandës me njerëz nëpër Kanalin Anglez.
Ndërsa qeveria e re e Mbretërisë së Bashkuar premton të “shpartallojë bandat”, Gjermania është bërë një vend qendror për ruajtjen e anijeve dhe motorëve të përdorur në kalimet e Kanalit, konfirmohet për BBC nga Agjencia Kombëtare e Krimit të Britanisë.
Gjatë xhirimeve të fshehta, kontrabandistët zbuluan se i ruanin varkat në magazina të shumta sekrete, teksa luajnë lojëra “macja-miu” me policinë gjermane.
Shifrat e OKB-së tregojnë se ky është viti më vdekjeprurës për emigrantët që tentojnë të kalojnë Kanalin, ndërsa më shumë se 28,000 njerëz deri më tani e kanë bërë udhëtimin me varka të vogla, të mbushura në mënyrë të rrezikshme.
Gazetari i fshehtë i BBC priste jashtë stacionit qendror në qytetin e Essen.
Ai kishte një kamerë sekrete dhe pretendonte se ishte një emigrant nga Lindja e Mesme, i etur për të kaluar Kanalin për në Mbretërinë e Bashkuar me familjen dhe miqtë e tij.
Ai ka mbetur anonim, për sigurinë e tij, por BBC i shtë referuar si Hamza.
Është dikush me të cilin Hamza ka qenë në kontakt prej muajsh, përmes telefonatave në WhatsApp, pasi ka marrë numrin e tij përmes një kontakti brenda komunitetit të emigrantëve, por kjo është hera e parë që ata takohen.
Emri i këtij njeriu, ose të paktën emri që ai ka dhënë, është Ebu Sahar.
Që kur Hamza e kontaktoi atë, ata kanë diskutuar se si Sahar mund të ndihmojë në sigurimin e një gomone për të shkuar në bregun jugor të Anglisë.
Sahar ka dërguar një video të një gomoneje të fryrë, e cila, sipas tij, është “e re”, e disponueshme dhe që mbahet në një magazinë në zonën e Essen.
Hamza ka thënë se dëshiron të kontrollojë vetë cilësinë e artikujve që ofrohen dhe për këtë arsye ka insistuar për një takim personal.
Një ekip i BBC-së është afër, duke monitoruar lëvizjet e Hamzës, në rast se ndonjë gjë shkon keq.
Ndërsa dy burrat ecin nëpër qendrën e Essen, Sahar deklaron se është shumë “e rrezikshme” të shkosh në magazinë për të parë varkën, edhe pse ai thotë se është më pak se 15 minuta larg me makinë.
Kur Hamza pyet përse mbahen varkat në këtë pjesë të Gjermanisë, Sahar flet për “siguri” dhe “logjistikë”.
Essen është vetëm katër deri në pesë orë me makinë nga zona e Calais, mjaft afër për të arritur anijet atje shpejt, por jo shumë afër plazheve më të monitoruara të Francës veriore.
Ministria e Brendshme në Berlin argumenton se, për shkak se Gjermania dhe Britania e Madhe nuk janë fqinjë gjeografikë, “nuk ka kontrabandë të drejtpërdrejtë”, por një burim i Zyrës së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar i tha BBC-së se ka “frustrim” për kuadrin ligjor të Gjermanisë.
Sahar e çon Hamzën në një kafene ku porosisin kafe dhe ndezin cigare, megjithëse lëvizin tavolinat sepse pranë tyre ka arabisht folës dhe Sahari nuk dëshiron të dëgjohet.
Pak më shumë se 35 minuta më vonë, Sahar ngrihet nga karrigia dhe i thotë Hamzës: “Ule zërin, ai po vjen.”
Ky njeri u prezantua si “al-Khal”, që do të thotë xhaxhai
Një burrë i veshur mirë me kapele bejsbolli po afrohet. Ai përmendet si “al-Khal”, që do të thotë “xhaxhai” , një frazë në arabisht që nënkupton dikë që ka respekt të konsiderueshëm.
Khal shoqërohet nga një burrë tjetër i cili qëndron i heshtur, por duket se është truproja e tij.
Hamzait i thuhet të dorëzojë telefonin e tij, i cili është vendosur në një tavolinë të veçantë.
Truproja ulet pranë Hamzës dhe do të kalojë pjesën më të madhe të 22 minutave të ardhshme duke e parë me vëmendje.
Gjatë takimit, për shkak të ligjit të rreptë gjerman, BBC mund të regjistrojë vetëm video, jo audio.
“Mos e ngri zërin,” thotë Khal ndërsa e udhëzon Hamzën të shpjegojë se kush është dhe çfarë dëshiron.
Hamza përsërit historinë e tij, me sa duket bindshëm.
Ai sugjeron gjithashtu se blerja e anijes që ata po diskutojnë tani, në fakt, nuk mund të jetë as e paligjshme për shkak të zonave gri në ligjin gjerman.
Por Khal e hedh poshtë këtë sugjerim.
“Kush ju tha këtë?” pyet ai. “Nuk është e ligjshme.”
Edhe nëse ka boshllëqe ligjore në Gjermani rreth kontrabandës me varka, duket se këta burra e dinë se janë të përfshirë në një rrjet më të gjerë kriminal.
Gjatë bisedës së tyre kontrabandistët zbulojnë se kanë rreth 10 magazina në zonën e Essen.
Kjo, është një mënyrë për të ndarë mallrat e tyre në rast të një bastisjeje policore.
Kontrabandistët flasin për aftësinë e tyre për të marrë pajisje në Calais brenda “tre, katër orësh”, gjë që tregon se ata ndjehen mjaft të guximshëm për të përdorur autostradat, në vend të rrugëve të pasme.
Shumica e anijeve, zbuluan ata, janë prodhuar në Kinë përpara se të dërgoheshin, me kontejnerë, në Turqi dhe më pas të zhvendoseshin në Evropë.
Një nga autorët e raportit, Tuesday Reitano, thotë se roli i Gjermanisë si qendër është rritur për arsye të ndryshme, duke përfshirë “kontrollet e fuqishme kundër kontrabandës” në Francë, të cilat kanë shtyrë bandat gjithnjë e më të organizuara të veprojnë në distanca më të gjata.
Ajo gjithashtu beson se autoritetet gjermane janë më pak të angazhuara me çështjen e kalimit të Kanalit sepse, “Nuk është një problem që është në kufirin e tyre”.
Khal me sa duket është i kënaqur që Hamza është legjitim dhe fillon të flasë për para.
Preferenca e tij është që Hamza të marrë marrëveshjen “paketë” e cila do të kushtojë 15,000 € (12,500 £).
Kjo përfshin blerjen e varkës pranë Calais, së bashku me një motor, karburant, pompë dhe 60 xhaketa shpëtimi, më shumë se sa Hamza ka thënë se i duhen, por kjo është oferta e përgjithshme.
Fitimet e këtyre kontrabandistëve janë potencialisht “të jashtëzakonshme”, sipas Global Initiative.
Nëse një marrëveshje arrihet tani, Khal pretendon se ai mund të marrë një varkë në një vend që është vetëm 200 metra nga bregu francez, deri nesër.
Khal dhe Sahar i referohen gjithashtu një “pike të re kalimi”, duke sugjeruar se ata kanë gjetur një vend i cili është larg syrit të autoriteteve franceze, megjithëse ata nuk e zbulojnë vendndodhjen e saj.
Ekziston një alternativë e dytë, më e lirë, të cilën Hamza e ka përgatitur gjatë gjithë kohës.
Për rreth 8,000 € (6,670 £) Hamza mund ta merrte vetë varkën, këtu në një magazinë në Essen, dhe ta çonte atë në Francën veriore në mënyrë të pavarur.
Nëse kapeni, i thonë kontrabandistët, nuk kemi përgjegjësi.
Biseda kthehet në mënyrën se si Hamza do ta paguante bandën, pasi të ketë vendosur se çfarë të bëjë.
Khal dëshiron që paratë e gatshme të paguhen në Turqi, sepse “të gjitha gjërat” vijnë nga atje.
Paratë, sugjeron ai, mund të depozitohen përmes sistemit Hawala, një metodë pagese që shmang bankën formale dhe në vend të kësaj mbështetet në një rrjet agjentësh për të ofruar para përtej kufijve.
Më vonë, Hamzës i dërgohet një emër llogarie në WhatsApp.
Në atë që duket të jetë një taktikë e presionit të shitjeve, Hamzës i thuhet gjithashtu se kontrabandistët kanë stoqe “të kufizuara”, por shumë blerës.
Khal është më i kujdesshëm në komunikimet e tij, por në një shënim të vetëm, të përcjellë nga Sahar, ai shpreh shqetësimin pas takimit me Hamzën, duke thënë: “Shoku yt, ai duket se nuk është në rregull”.
Megjithatë, ai e udhëzon Saharin që të marrë një vendim nga Hamza nëse dëshiron të blejë një varkë apo jo: “Pyete atë në një ose dy orët e ardhshme”.
Përfundimisht, Hamza u thotë atyre se nuk mund të vazhdojë më me marrëveshjen.
BBC nuk pagoi asnjë para për këta burra, identitetet e të cilëve ne nuk kemi qenë në gjendje t’i përcaktojmë përfundimisht.
BBC ia kemi treguar pamjet e marra nga varkat Kryetarit të Shoqatës Kombëtare të Varkave të Shpëtimit, Neil Dalton.
Duke i krahasuar me një “kurth vdekjeje”, ai thotë se do të ishte “tmerrësisht e rrezikshme” për të hipur dhjetëra njerëz në këto varka për një kalim në Kanal.
Ndërkohë, diplomatët këmbëngulin se bashkëpunimi midis Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, për trajtimin e këtyre bandave, është përmirësuar.
Arrestimet dhe bastisjet e magazinës kanë ndodhur në Gjermani, në partneritet me vende të tjera, ndërsa i ashtuquajturi “krim kolateral”, si dhuna ose pastrimi i parave, mund të ndiqet penalisht brenda Gjermanisë.
Shkurti pati një bastisje të madhe ku në Gjermani u sekuestruan varka, motorë, jelek shpëtimi dhe pajisje për fëmijë, me 19 arrestime, por këto u kryen nën urdhrat e drejtësisë belge dhe franceze. Një gjyq i veçantë, pas një operacioni të ngjashëm në vitin 2022, po ndiqet penalisht në Francë.