Ekonomia informale nuk luftohet vetëm me fushata e aksione periodike. Ky është gjykimi i Dhomës Amerikane të Tregtisë, e cila i sugjeron Ministrisë së Financave të hartojë një politikë kundër informalitetit, që të zbatohet gjithë kohës.
“Synime të tilla si: “Zvogëlimi i hendekut të pajtueshmërisë së TVSH”; “Zvogëlimi i shmangies tatimore”; “Reduktimi i punës së padeklaruar” kanë qenë objektiv i qeverisë në vite por deri tani nuk kanë rezultuar shumë efektive”, thuhet në opinionin e AMCHAM.
Duke u fokusuar tek goditja e nëndeklarimit të pagave, sugjerohet që brenda këtij viti të rritet pragu i pagave të patatueshme që aktualisht është deri në 40 mijë lekë, si dhe të ndryshojnë fashat e pagave që tatohen me 13% dhe 23%.
Biznesi amerikan rekomandimet i ka bërë për Strategjinë Afatmesme të të ardhurave 2024-2027, ku theksohen se ulja e informalitetit do të arrihet vetëm nëse përmirësohet administrimi tatimor, dhe eliminohen përjashtimet në taksa të bëra për kategori të caktuara.
“Sektorët prioritarë do të duhet të mbështeten qartësisht përmes transfertave direkte nga buxheti, në mënyrë që të jenë më të lehta për t’u monitoruar, ndërkohë që eliminimi i përjashtimeve nga pagimi i taksave, nuk cenon integritetin e sistemit tatimor”, thonë ata.
Tjetër rekomandim është edhe ngritja e një skeme tatimi mbi të ardhurat të bizneseve të vogla e bazuar jo në xhiro por në fitim. Aktualisht janë të përjashtuar nga tatimi bizneset me xhiro deri në 10 milionë lekë, dhe nga tatimi mbi fitimin ata që kanë xhiro deri në 14 milionë lekë. Lehtësi kjo që do të zgjasë deri në 2029-ën.
“Duke i mbetur filozofisë se kush fiton (jo qarkullon) më shumë paguan më shumë, klasifikimi i biznesit të bëhet në bazë të fitimit. Kjo e shoqëruar me lehtësim të raportimit/ dokumentimit për bizneset me xhiro të vogël. Duke u tatuar fitimi dhe jo xhiro do të ketë efekt edhe në kërkesën më të madhe për të dokumentuar lëvizjet e mallrave dhe uljen e presionit për të fshehur të ardhurat/qarkullimin”, thuhet në rekomandim.
Sa i takon rishikimit të përjashtimeve nga TVSH-ja dhe lehtësive që mund të bëhen përmes këtij tatimi, biznesi amerikan sugjeron që të ulet norma tatimore e TVSH-së për produktet e shportës që aktualisht është 20%.