MENU
klinika

Albin Kurti: Rrogat do shtohen deri me 20%!

Qeveria e Kosovës rrit pagat për sektorin publik!

29.10.2024 - 16:53

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të martën se Qeveria e tij ka vendosur t’i rrisë pagat në sektorin publik për 55 euro nga janari i vitit 2025.

“Do të bëjmë një rritje substanciale të pagave në sektorin publik në fillim të vitit të ardhshëm, duke ruajtur qëndrueshmërinë afatgjate të buxhetit dhe sipas ligjit në fuqi”, tha Kurti në një konferencë për media.

Ai theksoi se po e bën këtë për t’i mbështetur ata që kanë paga më të ulëta dhe për ta ngushtuar hendekun mes pagës më të ulët dhe asaj më të lartë.

“Ne kemi shkuar në maksimumin e lejuar të rritjes buxhetore për pagat dhe kemi vendosur të mos e rrisim vlerën e koeficientit, por ta rrisim koeficientin për një njësi. Pra, vlera e një koeficienti mbetet 110 euro. Mirëpo, rritet sasia e koeficienteve për njësi”, shpjegoi ai.

Sipas Ligjin për Pagat, niveli i koeficienteve është nga 2 deri në 18. Niveli shumëzohet me vlerën dhe përcakton pagën.

Kurti shpjegoi se “duke filluar nga janari i viti të ardhshëm koeficienti do të rritet për 0.5 njësi, pra për gjysmë njësie dhe pastaj nga korriku 2024 edhe për 0.5 njësi të tjera. Pra, dikush që e ka koeficientin 5.6, në janar i bëhet 6.1, kurse në korrik 6.6. Ngjashëm edhe për dikë që e ka koeficientin 10.5, në janar i bëhet 11 dhe pastaj 11.5″.

Ai tha se do t’i rrisë pagat edhe një herë verën e ardhshme, por vendi do të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare në shkurt 2025.

“Me fjalë të tjera, pagat për të gjithë të punësuarit në sektorin publik do të rriten për 55 euro duke filluar nga janari dhe për 110 euro nga korriku 2025. Kështu, rritjen buxhetore e shpërndajmë proporcionalisht tek ata që kanë paga më të ulëta, duke zvogëluar hendekun mes pagës më të ulët edhe asaj më të lartë”, tha ai.

Ai tregoi se Qeveria e tij ka planifikuar buxhet për shpenzim për vitin e ardhshëm në vlerë mbi 3.6 miliardë euro, që është më shumë se buxheti i vitit të kaluar prej 3.3 miliardë eurosh.

Nga kjo rritje do të përfitojnë mësimdhënësit, policët, ushtarët, infermierët dhe zjarrfikësit, të cilëve do t’u rriten pagat për 18 deri 20 për qind, sipas Kurtit.

Për pagat më të larta, tha ai, rritja do të jetë 6-7 për qind.

Kjo rritje e paralajmëruar nga ai do t’i kushtojë buxhetit rreth 120 milionë euro në vit, sipas Kurtit.

Ky njoftim i Kurtit u bë vetëm rreth dy muaj pasi Qeveria e tij i rriti për 20 për qind pensionet që financohen nga shteti.

Rritja e pensioneve hyri në fuqi në tetor.

Ai, gjithashtu, njoftoi në shtator se pensionet e përcaktuara me Ligjin për kategoritë e luftës, do të rriten për 20 për qind nga muaji janar 2025./REL