Qytetarët e Shkodrës kanë paralajmëruar një homazh sot në ora 18:00 për të nderuar viktimën e vrasjes së ndodhur pasditen e djeshme dhe për të shprehur ‘kundërshtimin’ ndaj akteve kriminale. Në posterin e publikuar në rrjetet sociale, theksohet se homazhet do të jenë një thirrje kundër krimit, me sloganin “Shkodra i thotë jo krimit.” Kjo ngjarje pritet të mbledhë qytetarë, aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile që dënojnë aktet e dhunës dhe kërkojnë më shumë siguri në qytet.
Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme në Dobraç të Shkodrës, në rrugën kryesore që lidh qytetin me Malësinë e Madhe. Një automjet i zuri pritë një “Mercedes”-i dhe hapi zjarr me breshëri kallashnikovi. Hamza Lici, i cili ndodhej në timon, mbeti i vdekur në vend, ndërsa Arlind Bushati, pasagjer, ndërroi jetë më vonë në spital. Tragjedia përfshiu edhe kalimtarët, pasi Lici humbi kontrollin e makinës dhe përplasi motorin ku ndodhej çifti Bashkim dhe Flutura Basha. Flutura humbi jetën, ndërsa bashkëshorti i saj u plagos rëndë dhe po lufton për jetën.