MENU
klinika

Analiza e REL

Çfarë do të thotë për Kinën prania e trupave koreanoveriore në Rusi

01.11.2024 - 21:00

Pas shumë javësh lajme ballinash për vendimin e Phenianit për t’i dërguar mijëra trupa për të luftuar përkrah Rusisë në Ukrainë, NATO-ja dhe Pentagoni thanë këtë javë se ushtarët koreanoveriorë janë në Kursk, rajonin rus të kontrolluar pjesërisht nga trupat ukrainase.

Ja pse kjo është e rëndësishme për Kinën:

Pentagoni tha se Koreja e Veriut i ka dërguar më shumë se 10.000 trupa në Rusi për t’u stërvitur dhe pastaj për të luftuar në Ukrainë “brenda pak javësh”. Ndërkohë, shefi i NATO-s, Mark Rutte, konfirmoi pas një takimi me zyrtarët e lartë të inteligjencës së Koresë së Jugut se disa ushtarë ndodhen në Kursk.

Edhe Pentagoni tha se një numër ushtarësh ndodhen në Kursk tashmë.

“Thellimi i bashkëpunimit ushtarak mes Rusisë dhe Koresë së Veriut është kërcënim për sigurinë Indo-Paqësore dhe Euro-Atlantike”, tha Rutte për gazetarë në Bruksel më 28 tetor.

Ndërkohë, Pentagoni tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të vendosin kufizime të reja ndaj Ukrainës në lidhje me përdorimin e armëve amerikane, nëse Koreja e Veriut i bashkohet luftës së Rusisë.

Paraprakisht, zëdhënësi për sigurinë kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha javën e kaluar se, nëse trupat koreanoveriore “dërgohen për të luftuar kundër Ukrainës, ato do të jenë shënjestër e ligjshme”.

Zyrtarët e Koresë së Veriut nuk kanë komentuar ende lajmet për dërgimin e trupave, të cilat janë përmendur gjithashtu nga Kievi dhe Seuli, ndërsa Kremlini fillimisht i hodhi poshtë ato, por presidenti rus Vladimir Putin nuk e mohoi dërgimin e tyre kur u pyet në samitin e BRICS-ut javën e kaluar.

Pikëpamja nga Pekini

Lin Jian, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës, tha më 1 nëntor se zhvillimi i marrëdhënieve mes Rusisë dhe Koresë së Veriut është çështje e tyre so dy vende të pavarura.

“Koreja e Veriut dhe Rusia janë dy shtete të pavarura sovrane. Se si i zhvillojnë ato marrëdhëniet dypalëshe është çështje e tyre”, tha ai, sipas AFP-së.

Pekini ka qenë aleati më i rëndësishëm i Phenianit për një kohë të gjatë, duke i dhënë mbështetje tregtare, ushtarake dhe diplomatike Kim Jong Un-it.

Marrëveshja e vitit 1961 për bashkëpunim dhe mbështetje të përbashkët mes Kinës dhe Koresë së Veriut është traktati i vetëm për mbrojtjen që Kina ka nënshkruar me një vend tjetër.

Por, Pekini është edhe i zemëruar me Phenianin dhe paqendrueshmërinë që sjell, posaçërisht me programin e saj bërthamor dhe me kërcënimet për ta shfarosur Korenë e Jugut.

Tani, Pheniani po e bën të njëjtën gjë duke sjellë paparashikueshmëri në Ukrainë, pasi dërgimi i trupave të saj atje rrezikon përshkallëzim të gjerë, i cili mund të zhvillohet edhe në Evropë, edhe në Azi.

Pse ka rëndësi?

Dërgimi i trupave koreanoveriore në luftën ruse nënkupton akt balancues për Kinën.

Derisa Kina po e mbështet Rusinë tërthorazi në luftën e saj në Ukrainë, përfshirja e Koresë së Veriut është diçka e paparashikueshme dhe disi kokëçarje strategjike për Pekinin.

Lidhjet më të ngushta të Koresë së Veriut me Moskën mund të nënkuptojë se ndikimi i Kinës mbi Phenianin të jetë më i vogël, ndërsa përfshirja e trupave koreanoveriore do ta forconte më tej partneritetin e Putinit me Kim Jong Un-in, i cili nënshkroi një marrëveshje me udhëheqësin rus në qershor.

Dërgimi i mijëra ushtarëve koreanoveriorë në luftën në Ukrainë mund gjithashtu të ndezë tensione gjeopolitike në Gadishullin Korean dhe në rajonin më të gjerë Indo-Paqësor, përfshirë Japoninë dhe Australinë.

Koreja e Jugut tha se po e shqyrton tani mundësinë e përmirësimit të mbështetjes për Ukrainën nga ndihma jovdekjeprurëse në mbështetje me armë mbrojtëse dhe mbase edhe sulmuese.

Asnjëra nga këto nuk është lajm i mirë për Pekinin. Kjo jo vetëm që e dobëson narrativin e tij se Kina është forcë paqësore krahasuar me Shtetet e Bashkuara, por gjithashtu e minon argumentin e saj se vendet perëndimore duhet të qëndrojnë larg çështjeve të mbrojtjes aziatike, tani që rajoni Indo-Paqësor po përfshihet vetë në bisedat për sigurinë e Evropës.

Në listën e shqetësimeve të mundshme për Kinën është edhe pyetja se çfarë ka rënë dakord Moska të ofrojë në këmbim të trupave koreanoveriore.

Rusia mund të jetë pajtuar ta ndihmojë Korenë e Veriut t’i përmirësojë kapacitetet bërthamore, diçka që mund ta përshpejtojë garën e armatimit në rajon.

Por, disa analistë besojnë se Pekini mund të jetë duke e toleruar furnizimin e Rusisë me armë dhe personelit nga Koreja e Veriut, për ta lehtësuar trysninë mbi Kinën që ajo t’i ofrojë vetë ndihmë ushtarake drejtpërdrejt Moskës.

Në këtë kontekst, Kina mund të jetë duke lëvizur në një terren shumë më të paqëndrueshëm, por ajo vazhdon t’i ketë frenat në dorë. Si Moska, ashtu edhe Pheniani do të vazhdojnë t’i japin prioritet lidhjeve të tyre me Pekinin para lidhjeve me njëra-tjetrën, dhe nëse Kina dëshiron vërtet t’i ndalë me forcë Korenë e Veriut dhe Rusinë në rrugën që kanë ndërmarrë, ajo ende ka peshë për ta bërë këtë./REL

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Me identitete të rreme dhe uniforma ruse

Rreth 10.000 ushtarë koreano-veriorë gati kundër Ukrainës!