Për vitin e ardhshëm fiskal qeveria ka parashikuar të shpenzojë jo më shumë se 3 miliardë lekë që përkthehen në 0.1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Fatura është thuajse e përgjysmuar nga viti i kaluar në të cilin u ndanë veç 5 miliardë lekë, jo të gjitha të ezauruara. Ky fond është ende larg ezaurimit të çështjes së ish-pronarëve, i premtuar për t’u mbyllur brenda vitit 2026, nëse ecet me të njëjtat ritme. “Shpenzimet e fondeve speciale që përfshin shpenzimet totale për Fondet e Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore dhe kompensimin në vlerë të ish-pronarëve, janë planifikuar në vlerën prej 263.8 miliardë lekë. Niveli i shpenzimeve për Skemën e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2025, parashikohet në masën 192.3 miliardë lekë ose 7.3% e PBB-së.
Nga ky fond, për indeksimin e pensioneve është parashikuar niveli prej 1.6 miliardë lekë dhe 3.75 miliardë lekë për bonusin e fundvitit për pensionistët. Ndërsa, shpenzimet e Skemës së Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2025 janë parashikuar në masën 63.1 miliardë lekë ose 2.4% e PBB-së. Së fundi, shpenzimet për fondin e kompensimit në vlerë të pronarëve parashikohen në total në masën 3 miliardë lekë ose 0.1% e PBB-së”, – citohet në projektbuxhetin e dorëzuar për miratim në Kuvend. Ajo çfarë bie në sy nga krahasimi i buxheteve në të dy vitet e fundit është fakti që në asnjërin prej tyre fondi për këtë kategori nuk realizohet në masën 100 për qind. Një ndër arsyet për vitin e kaluar ishte pezullimi për disa muaj i ligjit të kompensimit, pas padisë nga komuniteti mysliman. Veç tyre janë mijëra të tjerë që nuk bien dakord me faturën e kompensimit dhe kërkojnë rishqyrtim. Agjencia e Trajtimit të Pronave duket se e ka pasur më të lehtë punën me ish-pronarët që kërkojnë kompensim të shpejtë në këmbim të marrjes së një pjese të faturës financiare jashtë radhe. Nga ana tjetër, faturën totale e kanë rënduar jo pak ish-pronarët që e kanë dërguar çështjen e tyre në Strasburg. “Vendimet e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg (GJEDNJ) kryesisht çështje dhe vendime që lidhen me kthimin dhe kompensimin e pronave tek ish-pronarët.
Sipas Avokaturës së Shtetit, risqet financiare që burojnë nga vendimet e GJEDNJ-së janë të kushtëzuara nga një aftësi e dobët parashikuese, për sa kohë që kjo gjykatë nuk funksionon me një kalendar të përcaktuar për komunikimin e çështjeve dhe nxjerrjen e vendimeve. Ministria e Financave ka respektuar në vazhdimësi të gjitha vendimet e miratuara nga GJEDNJ-ja përmes zbatimit të VKM-ve respektive miratuar në mbështetje të tyre, me përpikmëri dhe brenda afateve strikte të përcaktuara prej këtij organi. Kjo, duke konsideruar faktin se kur pagesat nuk kryhen brenda afatit tre mujor nga data kur vendimi përkatës merr formën e prerë, shteti shqiptar ngarkohet me pagesën e një kamatëvonese për çdo ditë vonesë.
Sidoqoftë, për garantimin e shlyerjes në kohë të këtyre vendimeve, MF ka rekomanduar vazhdimisht përdorimin e të gjitha kanaleve të mundshme institucionale dhe procedurale, brenda hapësirave që siguron kuadri ligjor në fuqi, duke sugjeruar sipas mundësive të buxhetit të shtetit skedulimin me këste të detyrimit financiar, në negocim me përfituesit. Edhe për vitin 2024, likuidimi i detyrimeve të këtij lloji përballohet nga Fondi Rezervë i buxhetit të shtetit”, – thuhet në relacionin e projektbuxhetit, i cili përmend më tej faktin që hyrja në fuqi më datë 30.12.2018 e ndryshimeve në ligjin “Për Avokaturën e Shtetit”, përmban një kre të veçantë dedikuar ekzekutimit të vendimeve të GJEDNJ-së, ku specifikisht në nenin 19/5 përcaktohen dy mënyra ekzekutimi të shpërblimit: Detyrimet financiare që burojnë nga vendimet e GJEDNJ-së mbulohen nga buxheti i shtetit, sipas përcaktimeve të parashikuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për ekzekutimin e vendimit përkatës të GJEDNJ-së. Përjashtimisht, për detyrimet financiare deri në 10.000 (dhjetë mijë) euro, pagesa ekzekutohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ministria përgjegjëse për financat, pas njoftimit nga Avokatura e Shtetit.
BUXHETI 2025
Vijimi i konsolidimit fiskal me qëllim uljen e borxhit publik është prioritet i qeverisë në librin e financave për 2025-ën. Nga Konferenca e Kryetarëve e mbajtur javën e kaluar, ku prezantoi projektbuxhetin për vitin e ardhshëm, ministri i Financave, Petrit Malaj tha se pritshmëritë e qeverisë janë për uljen e deficitit dhe rritjen ekonomike. “Për 2025 buxheti do të bazohet në objektivat e politikës fiskale duke ulur defiçitin dhe të ruajë bilancin për të ulur borxhin dhe sipas pritshmërive tona do të jetë nën nivelin 56% të GDP. Parashikojmë një rritje ekonomike me 3.5% me një konvergjencë në 3.9%”.
Qeveria ka planifikuar 822 miliardë Lekë në buxhet, ndërkohë që flet për tregues pozitiv në rritje për të ardhurat, që sipas kreut të financave parashikohen me rreth 40.6 miliardë Lekë më shumë. “Projektbuxheti tejkalon shifrën e 8 miliardë Eurove të planifikuara”. Malaj foli për risqe të balancuara dhe një perspektivë inkurajuese afatmesme të financave shqiptare, bazuar në vlerësimet e fundit të bëra në raportet e agjencisë së vlerësimit të kreditit “Standard and Poors dhe Moody’s.
Të ardhurat kapin vlerën e 754 miliardë Lekëve, ndërkohë që projeksionet sipas ministrit Malaj flasin për parashikime edhe më pozitive, për shkak të parave që qeveria synon të mbledhë nga tatimet dhe kontributet e sigurimeve shoqërore. Krahasuar me buxhetin aktual, qeveria ka vendosur të ndajë më shumë para edhe për investimet infrastrukturore, të cilësuara me rëndësi strategjike. Libri i financave nuk parashikon rritje të pensioneve por vetëm indeksim të tyre në vlerën e 1.6 miliardë Lekëve, ndërkohë që do mbështesë rritjen e pagave. Pas prezantimit të draftit në Konferencën e Kryetarëve, i hapet rruga diskutimeve në komisionet parlamentare.