MENU
klinika

Çifti holandez: Të mahnitur nga bukuritë e zonës

Turistët shijojnë natyrën dhe ushqimin në Bogë

09.11.2024 - 18:40

Një natyrë e mrekullueshme, rrugë gjarpërushe e veshur me të kuqërremtën e gjetheve të vjeshtës, ndërsa bluja e qiellit dhe grija e maleve shkëmborë të dhuronin një ndjesi magjike. Kështu mund ta përshkruajmë udhëtimin drejt zemrës së Alpeve, Thethit, i cili ndodhet 76 kilometra larg Shkodrës dhe 175 kilometra nga Tirana.
– Udhë e mbarë!
– Të priftë e mbara!
Ishin urimet me të cilat na përcollën me dashamirësi nga Shkodra, ku u ndalëm për një pushim të vogël dhe ku morëm jo vetëm kujtimin e mikpritjes, por pak dhe nga shija shkodrane e kulinarisë për ta patur me vetë n’mes të maleve.

Për të mbërritur në Theth, duhet medoemos shijuar Boga, një preambul e magjisë malësore shqiptare. Teksa i afrohemi Bogës, arteries hyrëse drejt zemrës së Alpeve, shquajmë lartësinë e maleve në horizont, majat e të cilave nga njëra anë duket sikur e gërvishtin qiellin blu, por nga krahu tjetër, duket si një shtrat në të cilin pushon apo përkëdhelet bluja qiellore.

Mbërrijmë në Bogë. Tashmë me shtimin e turizmit, shqipja dhe anglishtja përzihen mes tyre. Madje, në disa raste edhe mund të kesh vështirësi për të shquar një vendas nga një mik. Kjo edhe për vetë faktin se në Shqipëri, shtëpia është e mikut mbi të gjitha dhe miqtë ndihen sikur janë në habitatin e tyre dhe shijojnë vendin tonë dhe këtë zonë sa të egër, aq edhe të lidhur me traditën shqiptare, sikur të ishte vatra e tyre.

Natën e parë zgjedhim të ndalemi në Bogë. Aty njihemi me një çift turistësh, të cilët kishin udhëtuar nga Holanda, Eindhoven me kamperin e tyre. “Dëgjuam për Shqipërinë nga media online, por edhe nga miqtë tanë që kanë qenë këtu më herët dhe kanë shijuar bukuritë e këtij vendi magjik”, – u shpreh Tjerk Cloosterman.

“Ne erdhëm para dy ditësh në Shqipëri. Ky vend është kthyer në një destinacion turistik. Në Holandë flitet shumë për Shqipërinë, qoftë në media, qoftë mes nesh apo blogje. Miqtë tanë na kanë rrëfyer për këtë vend, por edhe të tjerë shkruajnë nëpër blogje që është një vend që duhet vizituar.

Ndenjëm një natë në Shkodër, – vijon Cloosterman, – ku shijuam një mbrëmje të veçantë në qendër të qytetit. Ishte shumë bukur, njerëzit shumë të sjellshëm, ushqimi ishte i mirë dhe pijet gjithashtu na shijuan.”

Holandezët tregojnë se janë surprizuar nga kontrasti mes Shkodrës dhe Bogës. “Ishte një habi, surprizë më shumë, do të thoja. Kur ishim në mes të qytetit, në mes atyre ndërtesave dhe më pas, pak minuta më vonë u gjendën në mes të maleve, të rrethuar nga kjo natyrë e egër, por me mikpritje të ngrohtë dhe ushqim po aq të mirë dhe bio. Jemi mahnitur nga bukuritë e kësaj zone. Kishim dëgjuar dhe parë shumë foto, por është gjë tjetër kur e jeton”, shton Cloostman.

Çifti na shpjegoi se do të qëndronte dhe një natë në Bogë, për të vijuar me një hiking në shtigjet e këtij fshati piktoresk, për të parë dhe pamje nga lartësia e Alpeve dhe më tej do udhëtonte drejt Tiranës dhe Beratit.

“Duam të shohim kryeqytetin dhe më pas Beratin, për të cilin na kanë thënë që është shumë bukur. Një qytet historik, ku udhëton në kohë. Thethin do të vijmë ta shohim një herë tjetër”, nënvizoi Cloostman.

Çifti na përshëndeti duke trokitur një gotë verë të zonës, ndërsa më tej vijuam në këmbë në një prej shtigjeve më të lehta të zonës. Ecëm përmes një shtegu me kalldrëm, duke mbërritur në një shpellë, që ishte pozicionuar në mes të një mali shkëmbor. Një xhep, nga ku mund të kundroje fshatin, të rrethuar nga ngjyra gjelbër e livadheve ku ushqehej gjëja e gjallë, ndërsa dielli niste të fshihej pas malit, duke marrë me vete edhe rrezet e fundit, e duke i hapur rrugë mbrëmjes. Yjet, sa afër ishin! Dukej sikur mund t’i prekje me dorë.

U kthyem në bujtinë. Nata nisi me vatrën të mbushur me gosti, verë e prodhuar nga zotëria që na mikpriti. Soba e drurit u kthye në burimin e ngrohtësisë, teksa muzika në sfond mbyste zërat e tavolinave të tjera, ku dëgjohej anglisht, frengjisht, apo dhe gjuhë të tjera.

David Toma, djali i pronarit të bujtinës ku qëndruam, na rrëfeu që zona është frekuentuar nga turistë që prej fillimit të vitit 2000 dhe se tashmë mund të konsiderohet si porta e Alpeve shqiptare për vizitorët e huaj dhe vendas.

“Turistët e parë kanë ardhur që prej vitit 2000. Kanë ardhur për kamping e rrinin në pyll. Këtu ka kenë shtëpia e vjetër. Vinin turistët dhe duke parë dhe formën, u ngjante me një bujtinë dhe na pyesnin nëse mund të merrnin një dhomë me qira. Kështu nisi dhe lindi ideja për të investuar”, tha Davidi.

“Kështu nisi, kështu vendosëm të mikprisnim turistët. Por, profesionalisht nisëm të punonim si një bujtinë e mirëfilltë me të gjitha kushtet në fillim të vitit 2014. Bashkëpunojmë me komshinjtë dhe banorët e zonës për të marrë produktin e parë”, shtoi ai.

“Mishin e kecit e marrim prej zonës, rriten nga barinjtë këtu. Po ashtu edhe mishin e derrit, djathin, perimet, janë të kopshtit që i bëjmë vetë. 95% e produkteve janë të zonës, pançeta është e jona. Vetëm pasta (makarona) nuk është e jona, por salca e domates apo elementët që u hedhim janë tonat. Ne prodhojmë shurup shege, thane, rakinë me rrushin e zonës dhe verën e kuqe, por edhe proshutën e pastës”, tregoi Davidi.

Ai tha se fillimisht ishin vetëm familjarët që ishin angazhuar, më tej ishin dhe banorë të zonës që u punësuan për të ndihmuar në shërbim dhe elemente të tjera të nevojës.

“Ne nisëm si biznes familjar. Në verë zakonisht kemi më shumë vizitorë dhe na duhet ndihmë dhe punësojmë në zonë. Qysh në mars nis vrullshëm, deri në shtator. Dhe tani ka, por përgjithësisht fundjava, ndërsa gjatë periudhës tjetër, çdo ditë është plot. Të huajt janë më të shumtë; nga Holanda, Gjermania janë shumica, por janë dhe nga Franca, Italia, Anglia, madje këtë kohë janë shtuar shumë nga Britania e Madhe. Bileta nuk u kushton shumë. Madje një prej tyre na tha që na kushton më lirë të marrim avionin nga Londra dhe të vijmë në Shqipëri dhe të qëndrojmë në Bogë, Theth etj., sesa një fundjavë në një nga zonat turistike të Anglisë”.

Davidi tha se turizmi gjithëvjetor është rruga drejt të cilës po ecet me vrull. “Është asfaltuar rruga deri matan Thethit dhe kjo ka rritur vizitorët. Gjatë dimrit mund të ketë bllokime, por vetëm 1 apo 2 ditë, ndërsa më përpara këtu rruga bllokohej me muaj të tërë”, shtoi ai.

“Zonat këtu janë fantastike: Maja e Radohinës. Kalon në Qafë-Thore. Shtegu të nxjerr në Tamarë, Theth, Razëm etj.

Avantazhet e zonës janë afërsia me Shkodrën, dogana dhe Thethi, duke e kthyer Bogën tashmë në një portë të Alpeve shqiptare”, – u shpreh David Toma.

Sa i takon mundësisë për t’u larguar nga vendi, Davidi rrëfeu se ishte një opsion që nuk i shkonte ndër mend, pasi të ardhurat dhe zhvillimi i infrastrukturës kanë nxitur turizmin në këtë zonë përrallore, duke u kthyer në një begati për zonën.

Me trokitje gotash dhe muzikë të zonës në sfond u mbyll darka. Nën shoqërinë e yjeve dhe shikimin lozonjar të hënës u kthyem në dhomë, duke mbyllur dhe pjesën e parë të vizitës sonë në mes të Alpeve të vendit tonë.

Largohen edhe 50 punonjës italianë

Boshatisen qendrat në Shëngjin e Gjadër

"Lejuan personin ‘misterioz’ të largohej, nuk kryen…"

Masakra në Dobraç/ AMP akuzë efektivëve në Shkodër

“Kthehu në shtëpi, të kërkon nëna…”

Ky është 15-vjeçari i zhdukur prej dy ditësh në Shkodër!

Temperatura deri në -4 gradë Celsius

Kur rikthehen rrebeshet e shiut në vend