Kryeministri Edi Rama ka kërkuar më shumë veprim nga vendet e mëdha lidhur me ndryshimet klimatike në botë, ku thekson se “ambiciet janë të mëdha, por veprimet konkrete nuk shihen”.
Gjatë fjalës së tij në samitin e OKB-së për klimën COP29, Rama tha se nuk do i përmbahet fjalimit të tij që kishte përgatitur për këtë rast dhe se mendjen e tij e ndryshuan “liderët e vendeve të mëdha që shikonin fjalimet nga ekranet e heshtura duke ngrënë dhe pirë, por pa arritur në asnjë marrëveshje konkrete lidhur me ndryshimet klimatike”.
Duke cituar deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së se emetimet e karbonit janë rritur ndjeshëm gjatë 2024, Rama ngriti pyetjen para liderëve të botës se “çfarë do të thotë kjo për të ardhmen e botës nëse ndotësit më të mëdhenj vazhdojnë si zakonisht?”
“Kam vendosur të lë mënjanë fjalimin tim të përgatitur për këtë rast, sepse dje po shikoja liderët e mëdhenj, të cilët shikonin ekranet e heshtura në dhomën ngjitur nga kolltukët e tyre të rehatshmë, fjalën e vendeve të vogla pa zë. Njerëzit atje hanë, pinë, takohen dhe fotografojnë së bashku, ndërsa imazhet e liderëve pa zë luhen vazhdimisht në sfond. Për mua, kjo më duket saktësisht si ajo që ndodh në botën reale çdo ditë. Jeta vazhdon, me zakonet e saj të vjetra dhe fjalimet tona, plot fjalë të mira për luftimin e ndryshimeve klimatike por asgjë nuk ndryshon. Më e keqja është se Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së theksoi se emetimet e karbonit u rritën midis samitit të fundit dhe këtij aktualisht. Çfarë do të thotë për të ardhmen e botës nëse ndotësit më të mëdhenj vazhdojnë si zakonisht?”, u shpreh Rama.
Kryeministri Rama vlerësoi faktin se Shqipëri ka energji 100 % të rinovueshme, ndërsa shtoi se nëse nuk ka vullnet të përbashkët politik nuk do të ketë veprime konkrete për të ndalur ndryshime klimatike.
“Vij këtu nga një vend i vogël, Shqipëria, dhe jemi krenar që kemi 100 % energji të rinovueshme. Nuk jam këtu për të dhënë leksione, kur jemi mësuar që të na bëjnë leksione, por pyetja ime është se çfarë do të bëjmë ne në këtë mbledhje, pa pushim, nëse nuk ka vullnet të përbashkët politik në horizont për të shkuar përtej fjalëve dhe për t’u bashkuar për veprime kuptimplota? Ajo që po ndodh në Europë dhe në botë sot nuk lë shumë hapësirë për optimizëm dhe optimizmi është rruga e vetme e mbijetesës që shqiptarët njohin. Ndërkohë që fjalimi im këtu po jepet në ekranet e heshtura në dhomën ngjitur ku rrinë liderët e mëdhenj, unë dua ta mbyll fjalën e atë që ka thënë profeti Muhamned: “Nëse dita e gjykimit vjen ndërkohë që njëri nga ju mban një lastar të njomë në dorë dhe ia del ta mbjellë atë para se ajo ditë të vijë, le ta mbjellin”, përfundoi Rama.