Edhe pse politikanët në Kosovë e kanë mirëpritur fitoren e Donald Trump në zgjedhjet e SHBA, duket se ka ende dyshim për mandatin e dytë të tij dhe ndikimin në vend, si dhe në lidhjet m Serbinë. Rikthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, duke marrë për bazë edhe trashëgiminë kontraverse të ish-përfaqësuesit të posaçëm amerikan për rajonin, Richard Grenell, sipas analistëve, mund të jetë sfiduese për Kosovën, duke qenë se ai ka shtyrë përpara propozimin e diskutueshëm për ripërcaktimin e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në kuadër të përpjekjeve për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve historike, përveç konfliktit të gjatë midis Izraelit dhe vendeve arabe, gjatë mandatit të parë të Trumpit, administrata e tij u përqendrua edhe në rajon, duke nxitur Kosovën dhe Serbisë drejt normalizimit ekonomik. Kjo përpjekje rezultoi në Marrëveshjen e Uashingtonit. Të pyetur nëse Shtetet e Bashkura të Amerikës do të vazhdojnë të angazhohen në dialogun Kosovë-Serbi të udhëhequr nga Bashkimi Evropian, apo do të anojnë drejt zgjidhjes unilaterale të konfliktit, njohësit e çështjeve politike kanë dilemat e tyre, por pritshmëritë janë që Trumpi të vazhdojnë qasjen transaksionale në politikën e jashtme.
Marrëveshja e Uashingtonit 2
Media serbe “Danas” shkruan se bashkëpunëtori i OJQ-së “Nisma e Re Shoqërore” Aleksandër Shluka vlerëson se administrata e re amerikane e Donald Trumpit mund të përpiqet të ringjallë një formë të Marrëveshjes së Uashingtonit nga viti 2020 dhe të nisë një proces që do të ecë paralel me procesin e udhëhequr nga Bashkimi Evropian, por vëren se Marrëveshja e Uashingtonit do të kufizohet në periudhën fillestare për shkak të problemeve të tjera shumë më të rëndësishme me të cilat përballet SHBA dhe se ajo do të vijë më vonë.
Siç tregon, shumë dispozita të Marrëveshjes së Uashingtonit mbetën të pazbatuara sepse ajo u nënshkrua afër fundit të mandatit të parë të Trumpit. “Projektet që do të sjellin përfitime ekonomike janë diçka për të cilën Trump do të insistojë, dhe nëse do të jetë një referencë e drejtpërdrejtë ndaj Marrëveshjes së Uashingtonit, duke marrë pjesë të caktuara nga ajo marrëveshje apo ndoshta duke bërë ndonjë marrëveshje të Uashingtonit 2, nuk jam i sigurt. Mbetet të shihet se deri në çfarë mase do të ringjallet, por mendoj se do të jetë diçka për të cilën Trump do të insistojë”, thotë Shluka.
Shkëmbimi i territoreve
Për mundësinë e ringjalljes së idesë së shkëmbimit të territoreve gjatë qeverisjes së Trump, ai thotë se edhe nëse do të ringjallet, rruga drejt realizimit të saj do të jetë shumë e gjatë. “Nëse kjo ide bëhet përsëri në jetë, pyetja është se sa do të trajtohet në Uashington dhe kur do të jetë radha e tyre atje, ndoshta kur çështjet si Ukraina dhe Lindja e Mesme të zgjidhen. Ka probleme shumë më të mëdha në Amerikë dhe ne ende nuk e dimë se kush do të merret me Ballkanin.
Pritej të ishte Richard Grenell, por atij nuk i janë dhënë postimet më të rëndësishme këto ditë. Ndoshta ai do të gjejë dikë tjetër që do ta drejtojë të merret me Ballkanin, kështu që ndoshta ai do të përpiqet ta ringjallë atë ide përsëri. Rezistenca në Kosovë sigurisht që do të ekzistojë, të paktën me këtë qeveri. Nëse nuk shohim një ndryshim në zgjedhjet e shkurtit, do të thosha se do të duhet të ushtrohen presione të mëdha nëse duam që ose kjo qeveri të bëhet më konstruktive në këtë kuptim”, thotë Shluka.
Pritshmëritë e Serbisë
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka shprehur pritje pozitive nga mandati i dytë i Donald Trumpit, duke theksuar se kjo mund të krijojë një situatë më të favorshme për Beogradin dhe t’i mundësojë Serbisë të dëgjohet më mirë. Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriç, ka vlerësuar se Marrëveshja e Uashingtonit e nënshkruar në vitin 2020 në Shtëpinë e Bardhë në mes të Kosovës dhe Serbisë gëzon ende mbështetje në Beograd. Megjithatë ai ka pretenduar se Qeveria aktuale e Kosovës “nuk do t’i qaset në mënyrë konstruktive” kësaj marrëveshjeje.