Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Engert Pëllumbi (kryesues), Daniela Shirka (anëtare) dhe Florjan Kalaja (anëtar), sot më datë 18.11.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 44 akti, datë 23.07.2024 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesit/të pandehurit A.H., kundër vendimit nr. 4, datë 24.01.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka vendosur:
Deklarimin fajtor të të pandehurit A.H. lidhur me veprën penale “Fshehja e të ardhurave” parashikuar nga neni 180 paragrafi i parë i Kodit Penal, për deklaratën e tatimit të thjeshtuar për periudhën tatimore 2012, dhe dënimin e tij me 4 (katër) muaj burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit A.H. lidhur me veprën penale “Fshehja e të ardhurave” parashikuar nga neni 180 paragrafi i parë i Kodit Penal, për deklaratën e tatimit të thjeshtuar për periudhën tatimore 2016, dhe dënimin e tij me 4 (katër) muaj burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit A.H. lidhur me veprën penale “Fshehja e të ardhurave” parashikuar nga neni 180 paragrafi i parë i Kodit Penal, për deklaratën e tatimit të thjeshtuar për periudhën tatimore 2017, dhe deklaratat e TVSH-së për vitin 2017, si dhe dënimin e tij me 6 (gjashtë) muaj burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit A.H. lidhur me veprën penale “Fshehja e të ardhurave” parashikuar nga neni 180 paragrafi i parë i Kodit Penal, për deklaratën e tatimit të thjeshtuar për periudhën tatimore 2013-2015 dhe TVSH-së për periudhën 2014-2016, si dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit A.H. lidhur me veprën penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a paragrafi i dytë i Kodit Penal, lidhur me deklaratën e dorëzuar në ILDKPKI, më datë 12.07.2017, dhe dënimin e tij me 6 (gjashtë) muaj burgim.
Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, bashkimin e dënimeve në një të vetëm duke u dënuar përfundimisht i pandehuri A.H., me 1 (një) vit burgim;
Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim për të pandehurin A.H., duke e vënë në provë për një periudhë kohe prej 2 (dy) vjetësh;
Urdhërohet i pandehuri A.H. t’i përgjigjet thirrjeve dhe kërkesave të Zyrës Vendore të Shërbimit të Provës gjatë kohës së provës dhe të mos kryejë vepër tjetër penale.
Një kopje e vendimit i dërgohet Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë dhe Zyrës Vendore të Shërbimit të Provës të vendbanimit të të pandehurit.
Shpenzimet gjatë fazës së hetimit dhe gjykimit i ngarkohen të pandehurit.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga e nesërmja e marrjes e njoftimit të vendimit të arsyetuar.”
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
Prishjen e vendimit nr. 4, datë 24.01.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pikat 1 dhe 4, të dispozitivit të tij dhe pushimin e çështjes për këtë pjesë;
Lënien në fuqi të vendimit nr. 4, datë 24.01.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pikat 2, 3 dhe 5, të dispozitivit të tij;
Ndryshimin e vendimit nr. 4, datë 24.01.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në pikat 6 dhe 7 të dispozitivit të tij, si më poshtë:
– Në aplikim të nenit 55, paragrafi 3, të Kodit Penal, bashkimin e dënimeve në një të vetëm, duke u dënuar përfundimisht i pandehuri A.H., me 6 (gjashtë) muaj burgim;
– Në aplikim të nenit 59, paragrafi 3, të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim për të pandehurin A.H., duke e vënë në provë për një periudhë kohe prej 1 (një) viti;
Shpenzimet procedurale edhe të gjykimit në apel i ngarkohen apeluesit;
Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.