I vetmi lajm që përmbysi dje sherret politike, bëmat e bosëve të krimit dhe lakuriqësitë e ekraneve televizive dhe rrjeteve sociale ishte vrasja me thikë në zemër të një 14-vjeçari në oborrin e shkollës “Fan Noli” në qendër të Tiranës. Në pak orë u duk sikur Shqipërisë i doli dehja. Ajo rutina e përditshme u duk sikur u pre në mes. Të gjithë të shokuar dhe të gjithë të traumatizuar iu qepën si tutkall televizioneve, aparatit të celularit, Facebooku-t, Youtub-it, Instagram-it dhe Tik-tokut për të mësuar kush u vra, si u vra, si e vranë, me çfarë e qëlluan dhe përse e vranë atë djalë engjëll të cilit iu ndërpre jeta pa e nisur mirë atë. Në fakt prej 24 orësh e gjithë Shqipëria ndjehet e vrarë. Të gjithë ndjejmë po atë dhimbje që kanë në këto momente prindërit dhe të afërmit e atij djaloshi. Është pak të themi jemi shokuar. Ndjehemi të vrarë në shpirt dhe pikë. Por ç’po ndodh me Shqipërinë tonë? Si ka mundësi që ndodh me aq lehtësi një ngjarje e tillë në mes të kryeqytetit, e pasuar kjo edhe nga tre-katër të tjera gati me të njëjtin skenar, ndodhur muaj më parë në cepat e Shqipërisë? Vërtetë autori është ai që sipas policisë nguli thikën, por vrasësi i vërtetë i 14-vjeçarit nuk është ai. Vrasësit e atij engjëlli janë shumë më shumë dhe nisin që nga shoqëria shqiptare që po degradon, te familja që po shthuret, të prindërimi që po dështon, te shkolla që mëson por nuk edukon, te policia që vetëm siguri në në shkolla nuk garanton e deri te përdorimi i rrjeteve sociale që kanë dalë jashtë kontrollit dhe vret vetëm me një touch.
1.Së pari mendoj dhe besoj se shoqëria shqiptare është e zhytur në krizë të thellë. Kanë humbur vlerat më të mira të saj dhe prej dekadash ka pësuar deformacione nga më të rënda. Shoqëria jonë po rend drejt të keqes, të ligës dhe negatives dhe ka kthyer veset në virtute. Shoqëria jonë i thur didirambe të fortit të qytetit, të fortit të lagjes, të fortit të pallatit. Shoqëria jonë nderon kriminelët dhe bëmat e vrasësve i tregon so model suksesi. Shoqëria jonë pëlqen dhe vlerëson hajdutin, maskarain, atë që shkel ligjin dhe atë që nuk pyet për kërrkënd qoftë ai polic, prokuror a gjykatës. Shoqëria jonë quan të zotë atë që vjedh dhe vlerëson milionerin që i ka bërë paratë ose me drogë ose duke vjedhur shtetin. Shoqëria jonë vlerëson atë që i bën milionat pa mundim por që tërheq kartmonedha në bankomat pa derdhur asnjë pikë djersë. Shoqëria jonë është larguar githnjë e më shumë nga shembulli poziviv dhe ndaj të mirit dhe të paqtit. I miri në shoqërinë tonë cilësohet njeri koti, i dobët dhe I pavlerë. Atë që zbaton ligjin dhe që respekton shtetin dhe ligjin shoqëria jonë e quan frikacak. Me pak fjalë, kjo shoqëri vret. Është kjo shoqëri që vrau edhe atë 14-vjeçarin. Nëse do ishte një shoqëri e mirë, pa këto cene që renditëm vrasja nuk do kishte ndodhur. Por në një shoqëri me kaq shumë defekte edhe një vrasje e tillë quhet normale. Dhe kjo është pjesa më e rëndë akoma e kësaj ngjarje.
2.Së dyti, familja shqiptare ka pësuar goditje të mëdha në dekadat e fundit. Familja jonë po shthuret. Si qeliza bazë e shoqërisë, familja shqiptare po pasqyron dhe po rrezaton të gjithë atë që ne shohim me sy në çdo orë e çdo ditë. Kjo duket qartë kur burri rreh gruan, kur djali rreh prindërit kur vëllai vret vëllanë dhe kur krimi në familje nuk përbën më lajm. Familja jonë ka humbur vlerat më të mira. Familja jonë ka bërë kapërcime të mëdha morale teksa ka zëvendësuar edukimin e fëmijëve me pasurimin e fëmijëve. Është e dhimbshme por e vërtetë që në shumicën e rasteve, babai, nëna, vëllai, motra, gjyshi, gjyshja e deri të afërmit nuk kanë më për bazë edukimin e më të vegjëlve, por garën mes tyre se kush ka më shumë llogari bankare, apartamente luksoze, shtëpi në plazh, vila, resorte, hotele, biznese e deri te prona jashtë Shqipërisë. Të gjithë në familje konkurojnë se kush bën më shumë jetë qefi të shfrenuar dhe jo kush të jetë më i ditur. Në familje tani bëhen gara kush ka udhëtuar më shumë në botë dhe jo kush ka ka lexuar më shumë libra nga autorë të botës. Shoqëria jonë tenton të krijojë lehtësira dhe orienton fëmijët drejt qefit dhe jo drejt vlerave. Kjo ka sjellë shthurje të strukturës bazë, familjes. Statistikat flasin se Shqipëria ka gjithnjë e më pak familje, ndërsa familjet ekzistuese kanë gjithnjë e më shumë probleme sociale që nisin që nga përdorimi i drogës e deri te martesat brenda të nëjtin seks. Dhe në një farë mënyre, kjo lloj familje që rrethon këdo, krijon një presion negativ ndaj kujtdo. Ndërsa ai fëmijë që nuk i disponoin këto ndjehet keq, është i mënjanuar dhe i frustuar. Me pak fjalë, kjo lloj familje vret.
3. Së treti, por që në fakt është e para është fakti që prindërimi në Shqipëri ka pësuar devijacion të paimagjinueshëm. Ai nis nga divorcet që krijojnë traumat te fëmijët. Më pas vijon te synimi për një jetë luksi që babi dhe mami ia injektojnë fëmijës që në vegjëli. Jemi të rrethuar nga shumica baballarë dhe nëna që vetë bëjnë një jetë luksi dhe qefi dhe nuk investojnë për dije e kulturë as për vete e as për fëmijët. Mjaftojmë të shikojmë djem dhe vajza të rinj e të reja në timon. Syrri tërr, vozitje me 120 kilometra në orë dhe egërsi me atë që para dhe prapa duke drejtuar një makinë me kosto 100 mijë Euro. Si mund të jetë ndryshe një fëmijë 20 vjeç që babi dhe mami kanë investuar te ai apo ajo duke i dhuruar një makinë të tillë? Si mund të jetë jeta e një fëmije kur vetë babi dhe mami e kanë mendjen vetëm të jeta e luksit në bare, restorante dhe hotele me 5 yje dhe në udhëtime të shfrenuara për të parë bukuritë nga Maldives në Oqeanin Indian deri në Aruba të Karaibeve se këto në Shqipëri nuk quhen. Për ta, libri, teatri, kinemaja, sportet janë të huaja, por luksi dhe jeta e qefit janë jeta normale. Këto shndërrohen në modele aq negative se çduhet të bëjnë fëmijët. Dhe ky lloj prindërimi vret. Vret edhe atë fëmijën e atyre që e nxisin këtë jetë, por edhe të atyre që nuk e arrijnë dot këtë jetë. Ky lloj prindërimi është degradimi që çdon në çdo pasojë negative për fëmijët.
4.Së katërti, shkolla në Shqipëri është kthyer në vendin ku mësohet por jo në vendin ku edukohet. Për shkollën edukimi i fëmijëve është bërë gjithnjë edhe më i largët. Para, gjatë dhe pas mësimit, duket sikur shkolla lan duart dhe nuk ka të bëjë me fëmijët. Ndërsa puna e sociologut dhe psikologut në shkolla duket si një vend pëllumbash që dikush është punësuar vetëm për të marrë një rrogë duke mos bërë asnjë punë. Vrasja zbuloi shumë anë negative të shkollës. Nuk mund të rrimë pa thënë se stafi mësimor dhe jo vetëm, në shkollën “Fan Noli” ka dështuar në ekstrem. Jo vetëm nuk ka bërë fare atë që duhet të bënte por ngjarja përfundoi me një krim tejet të rëndë. Duket hapur që sherri mes të rinjve është marrë lehtë dhe duke mos e vlerësuar çoi në një krim që sigurisht që mësuesit dhe drejtoria e ndjejnë, por tashmë është shumë vonë. Është irrituese kur mëson detaje se si një debat fëmijësh u kthye në një krim të rëndë dhe stafi nuk mundi të bëjë asgjë. Nëse do ketë ndo pak lehtësi në këtë histori trishtuese është që përgjegjësit e stafit mësimor që nga mësuesit e deri te drejtuesit nuk duhet të jetë më pjesë e arsimit. Kjo do ishte më e pakta. Më tej, ristrukturimi dhe hartimi i një stradegjie të re në këtë drejtim do ishte më normalja.
5.Së pesti policia në këtë ngjare ka dështuar si në shume raste të këtij lloji. Togfjalëshat “siguria në shkolla”, “perimetri i sigurië” “mbrojtja e fëmijëve” janë të zhverësuara plotësisht. Me këtë që ndodhi ato planet e masave janë vetëm propagandë e dalë boje. Jam i bindur që pas kësaj ngjarje do merren masa, por jam po aq i sigurtë që ato do jenë qesharake. Kam një thirrje: Ore zotërinj, ju jeni aty për të parandaluar ngjarjet, jo për të mbledhur kufomat. Nuk e di se çdo bëjë ministri i ri Ervin Hoxha. Por nëse vërtetë është ashtu siç e tregojnë, i ndershëm dhe i rreptë, duhet që atë zinxhirin drejtues të asaj strukturës “siguria në shkolla” duhet ta shkrijë të gjithë. Një polici kur nuk arrin të parandalojë një ngjarje të tillë dhe aq më keq të mos shkojë shpejt në vendin e krimit që këkron ndihmë, ajo jo vetëm është e dështuar, por është fajtore në krim. Nëse dikush e kundërshton këtë kam një pyetje: Përse policia shkon për 30 sekonda te një makinë që ka parkuar gabim në rrugë? Kaq. Sigurisht që unë nuk e kam fjalën për të gjithë policinë. Por për ata policë përgjegjës që nuk kanë bërë asgjë për të shpëtuar jetën e 14 vejcarit. Këta policë dhe kjo lloj policie vret.
6.Rrjetet sociale janë kthyer një një burim krimi dhe me pasoja të rënda. Përdorimi i tyre nga fëmijët dhe të rinjtë është jo vetëm jashtë kontrollit, por pikërisht aty ka zanafillën dhe merr udhë çdo problem social. Sigurisht që kjo nuk është sëmundje vetëm shqiptare. Por në Shqipëri duket se ka një “over dose” deri në harlisje. Se ç’mund të pësojë një fëmijë vetëm 10 vjeç që ka llogari në tik-tok dhe instagram e kuptojmë të gjithë. Ai ka predispozitën të jetë viktimë e çdo problemi abuzimi. Por komunkimi i tij mund të jetë edhe indicie për çdo sherr dhe që më pas kthehet në ngjarje kriminale si ajo me 14-vjeçarin e “Fan Nolit”. Prandaj shteti duhet ta shikojë me shumë seriozitet raportin e fëmijëve dhe adoleshentëve me kanalet e komunikimit. Rrjetet sociale vrasin!