MENU
klinika

“Nuk e imagjinoj të arratisem”

Ilir Meta kërkon lirinë, zbardhet dëshmia e tij në Gjykatë

19.11.2024 - 13:23

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i cili prej më shumë se një muaji ndodhet në burg, pasi u arrestua me urdhër të SPAK ka paraqitur argumentet e tij në Apelin e GJKKO ku kërkon lirimin.

Argumentet e plota te mbrojtjes

Zonja Gjykatëse, jepini fund
kësaj sjellje paragjyqësore ndaj
ish-Presidentit të Republikës!

Kulmi i papërgjegjshmërisë të SPAK-ut dhe sidomos të kallëzuesit tim në SPAK për çështjen CEZ-DIA, të dënuarit nga gjykata për dhunë në familje, Romeo Kara, si edhe dëshmitarit kryesor, që i referohet SPAK, Elvis Mataj, i cili ishte krahu i djathtë i Kastriot Ismailajt në menaxhimin e DIA dhe i denoncuar nga ky në prokurori për vjedhje dhe mashtrim, është pikërisht ky paragraf i shkruar nga vetë SPAK në faqen 34, paragrafi i parë:

“Nga deklarimet e shtetasit Romeo Kara, ka rezultuar se në biseda me shtetasin Elvis Mataj, ky i fundit i ka thënë që Kastriot Ismailaj me çantën e Elvisit i ka dërguar një sasi të konsiderueshme parash në shtëpi Ilir Metës, gjë e cila në deklarimet e Elvis Mataj nuk është pranuar”.

Pra në një paragraf kaq konçiz të shkruar nga SPAK-u, ose kallëzuesi i përzgjedhur nga Qeveria dhe SPAK-u për të regjistruar këtë çështje mashtron, ose dëshmitari i përzgjedhur nga Qeveria dhe SPAK-u për të shpifur për personin tim gënjen.

Por që të jemi seriozë dhe jo si SPAK-u, ata gënjejnë kryesisht që të dy nga fillimi në fund lidhur me personin tim për qëllime politike të regjimit dhe ekonomike të atyre vetë.

Të dy kanë qenë bashkëpunëtorë të ngushtë të Kastriot Ismailit në drejtimin e DIA-s dhe pasi hynë në konflikte me të për punë parash u përdorën nga Damian Gjiknuri si Ministër i Energjisë, si dëshmitarë në Arbitrazh në Vjenë kundër Kastriot Ismailit.

Me këtë rast Romeo Kara fitoi vendin e punës në shtet në sektorin energjitik ndërsa Elvisit iu pushuan çështjet me drejtësinë dhe jo vetëm atij, por edhe bashkëshortes, e cila ishte e paditur po ashtu për mashtrime dhe kishte interesa direkte me CEZ-in.

Është po ky Romeo Kara që në procesin gjyqësor ku u dënua Kastriot Ismailaj asnjëherë nuk e ka përmendur emrin tim si të lidhur me DIA apo Kastriot Ismailin.

Madje në një deklaratë të tij nën betim kur ai kujton se si Kastriot Ismailaj i bëri ofertë të punonte me të te DIA, pyetjes së Romeos se a ishte i lidhur me politikanë, Kastrioti i ishte përgjigjur se jo, ai ishte i lidhur me amerikanët për DIA.

Fakti, që ai në këtë biznes ishte i lidhur me amerikanët, është e provuar edhe në deklaratat e Z. Josef Hejsek në Gjykatën e Arbitrazhit në Vjenë. Sidomos në kapitullin e IV “Shareholders of DIA”.

Pra përfshirja e partnerëve të tij amerikanë në këtë biznes, që nga fillimi, është e konfirmuar edhe në Gjykatën e Arbitrazhit në Vjenë, krejt ndryshe nga sa përpiqet të manipulojë SPAK, si një biznes i Kastriot Ismailit dhe Arjan Laçit.

Këtë gjë e ka pohuar edhe ish-bashkëshortja e tij Vojsava Ismaili duke përmendur partneren e tij në të gjitha bizneset, amerikanen Rebecca Gaskin.

Ndërsa për Elvis Matajn mund të them se nuk e kam takuar asnjëherë që nga viti 2005 kur të rinjtë e LSI e përjashtuan nga radhët e tyre si mashtrues dhe intimidues femrash, gjë që e kam deklaruar edhe në SPAK.

Po kështu në përpjekje për të krijuar idenë se Kastriot Ismaili po fitonte një mbështetje të madhe nga Ministri i Energjisë dhe Ekonomisë, Ilir Meta, SPAK bie në kontradiktë me vetveten kur i jep një rol që kurrë Kastriot Ismaili nuk e ka patur si anëtar i Këshillit Mbikqyrës nga METE apo kandidat zëvendësues.

Në faqen 15, SPAK shkruan se më 15 shtator: “sipas procesverbalit të mbledhjes përshkruhet ‘Mbledhja u hap nga z.Hejsek, i cili informoi anëtarët e Këshillit Mbikqyrës (“Anëtarët”) mbi ndryshimin më të fundit të Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, kërkoi falje për mosprezencën e z.Ciko në mbledhjen e Këshillit Mbikqyrës dhe prezantoi shkurtimisht z.Kastriot Ismailaj, i cili është kandidati i ministrisë për zëvendësimin e z.Ciko në Këshillin Mbikqyrës”.

Ndërkohë unë kam hyrë në zyrën e Ministrit pas datës 16 shtator kur Kuvendi miratoi dekretin për emërimin.

Vetëm pak rreshta më pas vetë SPAK e përgënjeshtron këtë të pavërtetë kur shkruan se: “Në datën 25.11.2010 mbahet mbledhja e Këshillit Mbikqyrës të OSHE sh.a., ku sipas procesverbalit të mbajtur, rezulton se kanë marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit, anëtarët, ku i pranishëm është edhe Ilir Ciko.”

Pra Ilir Ciko as nuk është shkarkuar nga Këshilli Mbikqyrës dhe aq më tepër që nuk mund të zëvendësohej nga një person privat si Kastriot Ismailaj.

Emërimi i çdo anëtari në Këshillat Mbikqyrës bëhej me akt zyrtar nga Ministri dhe jo me copa procesverbalesh që i pëlqen SPAK-ut të përfshijë vetëm për arsye politike dhe spekulative.

Dua të theksoj faktin, që e shkruan edhe vetë SPAK-u në faqen 25 lidhur me deklarimin e Z. Ilir Ciko gjatë vizitës në Pragë, se: “Gjatë kohës që Ilir Ciko ka qenë i pranishëm në takime, nuk është diskutuar në lidhje me marrëveshjen e CEZ Shpërndarje me shoqërinë DIA, për mbledhjen e borxhit”.

Në përpjekjet e tij manipuluese SPAK-u insinuon se pas vizitës time në Pragë, e cila përfundoi më 2 Dhjetor, pikërisht më 7 dhjetor 2010 për llogari të DIA-s, janë transferuar nga CEZ shuma 69.102.000 lekë në Bankën Veneto me përshkrimin “likuidim pjesor, fatura N23 datë 3 Dhjetor”.

SPAK e di shumë mirë se më 7 dhjetor 2010 ishte mbledhja e ERE që vendoste për çmimin e energjisë.

SPAK në të gjitha dëshmitë e të përzgjedhurve të tij që ishin bashkëpunëtorë të ngushtë të Kastriot Ismailit te DIA si Elvis Mataj, Romeo Kara apo dhe bashkëshortes së tij ka denoncimin apo informacionin se DIA do i jepte 500.000 Euro, Bordit të ERE, për të favorizuar për çmimin e energjisë, CEZ-in.

Por SPAK-ut nuk i intereson kjo e dhënë sepse targeti i SPAK është vetëm kundërshtari politik i regjimit, Ilir Meta.

Ndërkohë ekzistojnë dy fakte që anashkalohen qëllimisht në dosje, të cilat unë ia kam theksuar SPAK-ut gjatë marrjes në pyetje.

Së pari, ERE ishte institucion i pavarur nga Qeveria dhe s’kishte asnjë varësi nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë (METE).

Së dyti, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë, që drejtohej nga Ilir Meta, dhe Qeveria iu kundërvu vendimit të ERE të marrë më 7 dhjetor 2010.

KESH me pronar të vetëm (100% të aksioneve) Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë (METE) me shkresë 8276/1 në 20.12.2010 i ka kërkuar ERE rishikimin e vendimit Nr.97, datë 7.12.2020 “Për përcaktimin e tarifës së energjisë elektrike për furnizuesin publik me shumicë për periudhën 1 Janar deri 31 Dhjetor 2011”.

Pasi ERE e hodhi poshtë kërkesën e KESH-it, atëherë KESH e ankimoi vendimin e ERE në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe më pas në Gjykatën e Apelit, që rrëzuan kërkesën e KESH.

Kjo përplasje midis Qeverisë dhe ERE solli më pas dorëheqjen e Kryetarit të ERE.

Drejtori i Përgjithshëm i KESH, përveçse profesionist, më duhet të theksoj, siç ia kam deklaruar SPAK-ut, ishte edhe eksponent i LSI.

Të mos harrojmë atë që thekson te dëshmia e tij Hejsek në Gjykatën e Arbitrazhit, te paragrafi 10, se kur mbërriti në Tiranë, Ambasadori Tepshi e prezantoi me Kastriot Ismailaj dhe më pas takimi i parë i realizuar nga Kastriot Ismailaj për z.Hejsek ishte pikërisht me Kryetarin e ERE dhe këshilltarin e tij kryesor.

Njëkohësisht, siç është provuar nga Gjykata e Arbitrazhit në Vjenë, vëllai i këtij këshilltari kryesor të Kryetarit të ERE, ish-Kryeministër rezultoi përfitues nga fondet e DIA dhe këtë SPAK e di shumë mirë.

Kjo u keqpërdor nga BIRN që financohet nga SOROS për të hapur lajmin e pavërtetë se ky ish-Kryeministër ishte Ilir Meta.

Më pas “Clifford Chance”, kompania ligjore që mbrojti shtetin shqiptar në Gjykatën e Arbitrazhit në Vjenë, bëri një deklaratë zyrtare duke e përjashtuar personin tim si të implikuar e përfitues nga DIA.

Njëkohësisht SPAK e ka të provuar me dokumenta dhe shkresa lidhjen e fortë të Kastriot Ismailaj me këshilltarin kryesor të Kryetarit të ERE deri edhe në ortakëri në një kompani të përbashkët.

Por të gjitha këto fakte dhe lidhje injorohen nga SPAK-u se targeti i vetëm që duhet patjetër të dyshohet e akuzohet është Ilir Meta, kur faktet flasin krejt ndryshe.

Në mënyrë të qëllimshme SPAK-u gënjen edhe kur thotë se Arjan Laçi ishte përkrahës i LSI dhe madje financues i saj, kur kjo nuk është aspak e vërtetë.

Për ta bërë gjoja lidhjen time me Arjan Laçin edhe më të fortë, SPAK-u përmes manipulimeve e shpall Arjan Laçin qëllimisht edhe nga Skrapari, që është një manipulim i qëllimshëm (në faqen 27).

Ndërkohë që Arjan Laçi është 200 vite durrsak, ortodoks dhe i ardhur nga Greqia.

Asgjëkundi SPAK-u nuk përmend partneren amerikane të Kastriot Ismailit dhe në DIA, Rebecca Gaskin edhe pse ka të gjitha faktet lidhur me përfshirjen e saj në këtë biznes që në fillim edhe nga vetë deklaratat e bëra nga Hejsek në Gjykatën e Arbitrazhit në Vjenë.

Të njëjtin manipulim të qëllimshëm SPAK-u e bën edhe në insinuatat që bën për raportet e mia me Agron Çelën, i cili sipas tyre ka përfituar indirekt nga DIA, përmes një kompanie të caktuar, një shumë të caktuar parash duke e lidhur me kandidimin e tij për LSI, si deputet në vitin 2013.

Qëllimisht nuk përmendet distanca kohore e këtij përfitimi që pretendon SPAK-u nga kompania e lidhur me Agron Çelën, në 21 shtator 2010, me momentin kur ai kandidon për LSI, që është më shumë se dy vjet e gjysëm më pas, në qershor 2013, ndërkohë që Z. Çela e ka sqaruar shumë qartë këtë raport dhe faktin se asnjëherë nuk ka financuar për LSI.

E gjithë kjo platformë manipulimesh me tjetërsime rrethanash dhe krijimtari mashtrimesh bazohet në deklarimin e ish-ministrit, Dritan Prifti, në 2.10.2015, i cili ishte në shërbim të Edi Ramës për përfitime ekonomike dhe politike.

Të gjithë personat e përdorur për dëshmitarë apo intervista dhe gazetarë, si Artan Hoxha, ishin lidhje të ngushta të tij dhe të vëna në lëvizje nga ai, nga Damian Gjiknuri, si Ministër i Energjisë dhe përgjegjës për faljen e 600 milion eurove CEZ, së bashku me Edi Ramën.

Si mund të besohet ky se nuk e dinte që në 1 shtator 2010 kur ai ishte Ministër i Ekonomisë, ishte firmosur marrëveshja midis CEZ dhe DIA?

Të gjithë e dinë se ai edhe një mizë po të hynte në Ministri e merrte vesh dhe i vendoste gjobën e radhës. Për më tepër që anëtari i Këshillit Mbikqyrës ishte njeri i besuar i tij.

Për më tepër që ai kishte miqësi shumë të ngushtë me Kastriot Ismailin që në vitet 1998-2000 kur punonin bashkë në Ministrinë e Punës.

Se cili ishte integriteti i tij e dinë të gjithë, pasi eksperti amerikan në orën e tij ku kishte regjistruar përgjimin me mua, i gjeti edhe përgjimin e tij me zv/ministrin e tij të Ekonomisë.

Përgjim me filmim të cilin ia kishte bërë në shtëpinë e tij ku e kishte ftuar për darkë dhe ku i merrte 70 mijë Euro për të cilën nisi edhe një çështje penale.

Ndërsa për shtetasen Vojsava Ismaili ndjej një keqardhje të thellë për vështirësitë që hasi pas burgosjes së bashkëshortit në atë kohë, por edhe keqpërdorimin e saj nga Dritan Prifti me porosi të Edi Ramës, i cili i burgosi të shoqin për dy qëllime. Së pari, që ai të tërhiqej nga padia kundër CEZ-it dhe së dyti, që të shmangte vëmendjen nga afera që Rama e Gjiknuri bënë duke i falur 600 milion Euro, CEZ-it.

Edhe më keqardhje për SPAK-un që e ul nivelin e hetimit në intervista ordinere dhe të pavlera të saj, si ajo e datës 4.04.2018, që kjo shtetase i paska dhënë një gazetari, të quajtur Fatos Mahmutaj.

Qëndrimin ekstremisht joprofesional dhe të instrumentalizuar politikisht, SPAK e provon në faqen 24 ku i referohet gazetarit Fatos Mahmutaj, i pyetur në 22.01.2024 lidhur me rrethanat e intervistës së shtetases Vojsava Ismaili, ku ky ka deklaruar se ajo i tha: “Tani që Kastrioti është në burg, ai vazhdon të kërkojë para me forma presioni. Unë nuk kam para për të paguar këto shantazhe të Ilir Metës, ndaj zgjodha që të ikja për sigurinë e djalit tim”.

Kjo është tërësisht absurde pasi dihet publikisht dhe institucionalisht që unë jam kujdesur maksimalisht për sigurinë e saj që në shtator 2015 kur u “shpik” skandali CEZ-DIA pas shkrimit të BIRN, që sponsorizohet nga SOROSI e në vazhdim.

Duke e patur të gjithë informacionin për keqpërdorimin që po i bënin pozitës së saj të vështirë, Dritan Prifti dhe persona të tjerë për llogari të Edi Ramës dhe rrezikun e një eleminimi të saj prej tyre me qëllim akuzimin tim si fajtor për të zhdukur gjoja një dëshmitare, i kam kërkuar Kryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Kuvend t’u bënte një letër të gjithë institucioneve respektive për t’u kujdesur për sigurinë e saj.

Njëkohësisht më duhet të sqaroj se jo vetëm s’i kam bërë ndonjëherë shantazh dhe as kam tentuar të komunikoja me të, por edhe kur ajo më ka kërkuar takim me sms në celular me një përmbajtje të orientuar, i kam dërguar shkresë Prokurorisë së Përgjithshme duke i dërguar mesazhin e saj, duke i shpjeguar rrethanat ku ajo mund të ndodhej dhe duke i kërkuar që të kujdeseshin për sigurinë e saj duke patur parasysh rrezikshmërinë e personave që e ndikonin.

Dhe kam evituar çdo kontakt e komunikim me të.

Pas këtyre veprimeve të mia të dokumentuara edhe nga organi i akuzës, ajo filloi të jepte intervista në shërbim të atyre që e përdornin për qëllimet e tyre politike.

Por të mos harrojmë se ajo ka thënë në intervistën e datës 12.02.2016 se “lidhja e Katriotit me CEZ në Pragë ishte krijuar falë lidhjeve të tij dhe jo politikanëve shqiptarë”. Dhe këtu nuk gënjen.

Në këtë intervistë ajo thotë se Rebecca Gaskin ishte bashkëpunëtore me Kastriotin në të gjitha bizneset, përfshi edhe DIA.

Po kështu në këtë intervistë ajo thotë se: “Në dhjetor 2014, Rebecca njohu marrëveshjen e bërë nga shteti për tërheqjen e DIA nga Arbitrazhi”.

Edhe këto deklarata janë të vërteta dhe të provueshme, por SPAK-ut nuk i ka interesuar t’i përfshijë sepse zonja në fjalë është shtetase amerikane dhe në dijeninë time edhe prezantuese e Kastriot Ismailit me CEZ në Pragë për shkak të lidhjeve dhe përvojës të saj në Çeki. Lidhja e saj dhe amerikanëve të tjerë me DIA konfirmohet edhe nga Z. Josef Hejsek në deklaratën e tij për Gjykatën e Arbitrazhit në Vjenë.

Po kështu përpjekjet paragjyqësore të SPAK-ut përmes dëshmitarëve të ndryshëm për të provuar njohjet e mia me Kastriot Ismailin janë absurde, pasi unë e kam deklaruar edhe në SPAK, por edhe më parë publikisht se njohjet e mia me Kastriot Ismailin janë të hershme, që në fillim të viteve ’90, por ai asnjëherë as ka kërkuar dhe as ka përfituar nga unë asgjë dhe anasjelltas.

Frekuenca e kontakteve tona telefonike në vitet ’95-’97, kur isha në opozitë, është shumë herë më e lartë se ajo e viteve 2010-2011, që referon SPAK-u.

Por SPAK-ut i intereson vetëm manipulimi i fakteve dhe rrethanave për të fajësuar me çdo shpifje dhe shpikje Ilir Metën dhe justifikuar sjelljen e tij me çdo çmim, si edhe masën ekstreme të arrestit në burg të Ilir Metës, si Kryetar i Partisë së dytë opozitare, për t’i shërbyer qëllimeve të Edi Ramës për shkatërrimin e pluralizmit politik dhe zgjedhjeve të lira e konkurruese në Shqipëri, që po afrojnë.

Në përpjekjet e tij për të më përfshirë mua si ndërmjetësin midis Kastriot Ismailit dhe CEZ-it, SPAK-u i referohet në mënyrë spekulative dhe jashtë kontekstit një deklarate të shtetasit çek Josef Hejsek e dhënë para Abritrazhit të Vjenës, ku ai ka deklaruar më 26 tetor 2014:

“Ne diskutuam këto çështje me përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë së Shqipërisë (METE). Qeveria shqiptare propozoi të udhëzonim dikë me dije të shëndoshë të botës së biznesit në Shqipëri.

Tepshi, në atë kohë Ambasador i Shqipërisë në Pragë, pas diskutimeve me eprorin e tij, Ministrin e Punëve të Jashtme (Z. Ilir Meta), kreu rolin e tij si këshilltar i Qeverisë shqiptare në veprimet me menaxhimin e aktiviteteve ndërkombëtare në Pragë të CEZ sh.a. Ai rekomandoi Z. Kastriot Ismailaj si mbledhës i jashtëm i borxheve dhe e prezantoi atë si një aleat të ngushtë të Ministrit të Punëve të Jashtme dhe të Kryeministrit Berisha. Kjo mund të ketë ndodhur në vjeshtë të 2009.”

Më pas Hejsek thotë se Z. Tepshi më prezantoi mua me Z. Kastriot Ismaili në Tiranë.

Në paragrafin 10 pas kësaj Hejsek thotë:

“Zoti Ismailaj u prezantua si specialist i mbledhjes së borxheve dhe njohës i biznesit dhe politikës shqiptare. Së bashku me Z. Ismailaj unë gjithashtu takova Z. Nepravishta, Kryetar i ERE dhe këshilltarin e tij, Petrit Ahmeti”.

Edhe këtu përpara se të kalojë te biseda me Ambasadorin Tepshi, ai thekson se biseduam për këto çështje (pra për mbledhjen e borxheve) me Ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë (METE).

Dihet se në këtë kohë unë nuk kam qenë Ministër i METE dhe nuk mund të isha i përfshirë në këto çështje që nuk më takonin mua.

Ndërsa tre vjet më përpara se të bënte këtë deklaratë në Arbitrazhin e Vjenës, Z. Hejsek i marrë në pyetje nga prokurori Ndini Tavani, në 20 dhjetor 2011, do të deklaronte: “Kështu duke u bazuar në rekomandimet e METE ne filluam të gjenim një partner. Kjo ishte gjithmonë në mbikqyrjen e Bordit Mbikqyrës, ku pjesëmarrësi i shtetit shqiptar ishte gjithmonë i pranishëm, kështu që përzgjedhja e DIA ka qenë gjithmonë transparente, me të gjitha detajet e njohura nga METE.”

Pyetjes së prokurorit Ndini Tavani se:

A e kujtoni personin konkret që ka bërë propozimin për këtë shoqëri? Zoti Hejsek i përgjigjet: “Nuk më kujtohet personi konkret dhe disa propozime kanë shkuar në Pragë”.

Pra si shpjegohet që Z. Hejsek më 20 dhjetor 2011 nuk e mban mend personin konkret që ka bërë propozimin për DIA dhe Kastriot Ismailin, ndërsa tre vjet më vonë e mbaka mend?

Si rregull, kujtesa me kalimin e moshës dobësohet dhe nuk forcohet apo jo?

Është e qartë se në Gjykatën e Arbitrazhit në Vjenë për të justifikuar veten dhe CEZ-in për konfliktin që u krijua me DIA, edhe Hejsek edhe CEZ ishin të interesuar të paraqisnin Z. Ismaili si të rekomanduar nga Qeveria shqiptare dhe jo të përzgjedhur nga vetë ata për shkak të interesave të tyre.

Njëkohësisht më 19 janar 2016, pas spekulimeve në shtypin shqiptar lidhur me këtë deklaratë të tij në Vjenë duke përmendur emrin tim në kllapa (Ilir Meta), pas funksionit të Ministrit të Punëve të Jashtme, Z. Hejsek ka bërë një deklaratë sqaruese për Drejtorin tim të Kabinetit, si Kryetar Parlamenti në atë kohë ku e ka përjashtuar emrin tim.

SPAK-u mashtron qëllimisht kur ka shkruar në faqen 14 se: “Hetimet kanë provuar se ka qenë shtetasi Ilir Metaj, ai që i ka sugjeruar CEZ që të zgjidhte kontraktor për mbledhjen e borxheve, pikërisht shtetasin Kastriot Ismailaj. Ky fakt rezulton nga dëshmia e shtetasit Josef Hejsek dhënë para Gjykatës së Arbitrazhit në Vjenë.”

Nga e gjithë përmbajtja e deklaratës së Hejsek në Gjykatën e Arbitrazhit në Vjenë është e qartë se ai ia atribuon Ambasadorit shqiptar Z. Tepshi këtë prezantim dhe po kështu më pas dëshmon se bashkë me Z.Tepshi takuan në Tiranë Z.Kastriot Ismailaj dhe po kështu se takimi i parë që Z.Ismailaj u bëri, ishte me Kryetarin e ERE dhe këshilltarin e tij kryesor, që SPAK-u e di shumë mirë që rezulton nga hetimet edhe ortak me Kastriot Ismailaj.

Hejsek asgjëkundi nuk thotë se Kastriot Ismailajn na e sugjeroi apo prezantoi Ilir Meta.

Po kështu në dijeninë time, jo vetëm nga unë që është e sigurt, por nga askush nga Qeveria shqiptare, Ambasadori ynë në Çeki nuk ka qenë i autorizuar, siç i referohet Hejsek në këtë deklaratë, si këshilltar i Qeverisë shqiptare në veprimet me menaxhimin e aktiviteteve ndërkombëtare në Pragë të CEZ sh.a.

Njëkohësisht nuk ka asnjë akt, asnjë shkresë dhe asnjë autorizim nga ana ime për ish-Ambasadorin që të provojë një udhëzim të tillë.

Ishte dhe mbetet e qartë se marrëdhëniet me CEZ mbaheshin vetëm përmes Ministrisë të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë (METE), që kishte edhe anëtarin e saj në Këshillin Mbikqyrës.

Gjithçka tjetër është manipulim dhe jo provë.

Akoma më absurd dhe i turpshëm është pretendimi i SPAK-ut për veprime të paligjshme të miat për ndërhyrje në një ligj për minierat.

Në faqen 120, SPAK shkruan: “Veprimi i paligjshëm i Monika Kryemadhit dhe Ilir Meta konsiston në miratimin e ligjit Nr.134/2014 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr.10304, datë 15 korrik 2010, ‘Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë’”, ndërhyrjen e paligjshme në favor të Saimir Manes te Zyra e Përmbarimit dhe konkretisht përmbaruesi Saimir Xhuglini, ndërhyrja e paligjshme e Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta te Kryetari i AKEP, Piro Xhixho në favor të kompanisë ‘Plus Communications’”.

Po në faqen 112, SPAK-u shkruan vetë: “Në datën 8 korrik 2014 deputetja Esmeralda Shkjau depoziton në sekretarinë e Kuvendit amendamentet për dy nene, nenin 19 dhe 27 të projektligjit.”

Në përfundim të procedurës parlamentare, neni 35 i ligjit Nr.10304, datë 15 korrik 2010 “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, është miratuar sipas amendimeve të deputetes, Esmeralda Shkjau.

Dihet se kjo deputete ishte e PS dhe jo e LSI.

Po kështu për të miratuar këto ndryshime nuk mjaftonin 16 votat e LSI, por ky ndryshim ka marrë të gjitha votat e PS.

Nuk e kuptoj përse duhet të dyshohem unë për këtë rast kur nuk ekziston emri im si Ilir Meta apo Kryetar Kuvendi në asnjë komunikim që SPAK-u përshkruan midis deputetëve Monika Kryemadhi, deputetit të Bulqizës, Përparim Spahiu, deputetit tjetër nga Bulqiza, Ardit Kaja dhe përfaqësuesit të shoqatës së minierave që ishte i interesuar për ligjin.

Ky është vetëm një dyshim PARAGJYQËSOR

Po kështu, lidhur me akuzën për ndërhyrje në zyrën e përmbarimit në interes të një biznesmeni, emri im nuk ekziston as direkt dhe as indirekt në komunikimet që u referohet SPAK-u.

Pra SPAK ka vetëm një target politik, Ilir Metën, i cili duhet të qëndrojë me çdo çmim, presion dhe manipulim në burg në kushtet e një izolimi ekstrem, jo vetëm për t’iu vështirësuar mbrojtja përballë këtyre dyshimeve absurde pa asnjë provë, por për t’iu paralizuar sa më shumë aktiviteti politik si Kryetar i Partisë së dytë opozitare në vend.

Një pretendim tjetër, jo vetëm tendencioz por edhe paragjyqësor i SPAK është edhe ai për ndikimin tim për kompaninë PLUS.

Në faqen 106, SPAK shkruan: “Në datën 18 prill 2014, Piro Xhixho informon Monika Kryemadhin lidhur me një sms që i ka dërguar një person i quajtur Duka, tekstin e plotë të të cilit ia dërgon Monikës: “Piro mbrëma! Në tatimet e Tiranës na kanë bllokuar rikthimin e TVSH për arsye të borxhit që i kemi AKEP. Për çudi në të njëjtën ditë na ka ardh një propozim diskriminues nga VF dhe një shantazh nga R.B. Duhet patjetër ta varrosni këtë muaj Plus?”

Sipas deklaruesit, Saimir Mane dhe Armando Duka shkonin te Monika dhe i kërkonin që ajo të ndërhynte te Piro për të zgjidhur problemet e kompanisë Plus.

Saimiri dhe Armando fajësonin Piro Xhixhon dhe AKEP-in dhe sipas deklaruesit, i ankoheshin Monikës se ai nuk donte t’i ndihmonte.

Piro Xhixho edhe në email-in e mësipërm e informon Monikën se me ndërmjetësimin e saj dhe të “shefit”, që Piro i referohet Ilir Metës, është bërë e mundur që të gjitha kompanitë telefonike të mbeten të kënaqura ku përmend se Kompania Plus do të ketë asimetri në treg në drejtim të tarifimit të thirrjeve telefonike me vlerën 6,52 lekë dhe kjo pa afat.

Për këto probleme bën fjalë edhe mesazhi i datës 19 shtator 2014, që i ka dërguar Monika Kryemadhit, ku i ka shkruajtur se kishte takuar edhe të madhin bashkë me dy operatorët e tyre. Për këtë mesazh Piro Xhixho deklaroi se ndoshta takimi ishte zhvilluar me Kryeministrin Rama të cilit i referohet “i madhi”

Nuk e kuptoj se çfarë favorizimi i kam bërë unë të vetmes kompani në fushën e celularëve me 20 aksionerë shqiptarë që të mos diskriminohej dhe të falimentonte për shkak të monopolit të dy kompanive të huaja?

Ishte detyra ime institucionale si Kryetar Kuvendi të interesohesha për ankesat e tyre në respekt të ligjit dhe AKEP varej nga Kuvendi.

Nuk e kuptoj se ku qëndron paligjshmëria ime kur pas një pretendimi të një kompanie shqiptare (me 20 aksionerë) se po diskriminoheshin dhe falimentonin, sipas tyre prej AKEP-it, t’ia përcillja këtë shqetësim Kryetarit të AKEP-it, që ata thjesht të mos diskriminoheshin duke respektuar gjithmonë ligjin por edhe për të rritur konkurrencën, që ishte dhe është interes publik.

LOBIMET

Lidhur me dyshimet për përfshirjen time në veprime të paligjshme me lobimet, distancohem me neveri nga përpjekjet e qëllimshme të SPAK-ut, pa asnjë provë, për të më implikuar përmes hamendësimeve kur e ka patur të gjithë kohën për të paraqitur prova që më ngarkojnë mua me përgjegjësi penale.

Përgjegjësia penale është individuale.

Edhe tani që unë ndodhem në këtë sallë gjyqi dikush apo disa persona mund të kryejnë veprime spekulative pa dijeninë dhe autorizimin tim diku në shkelje të ligjeve.

Është e sigurtë që çdo veprim, vendim Kryesie i LSI, autorizim i lëshuar nga unë ka qenë i ligjshëm dhe transparent në respekt të ligjeve shqiptare dhe amerikane.

Siç është e sigurtë që një shtetas greko-amerikan, avokat Fidetzis, kishte firmosur pa dijeninë time një kontratë me McKeon Group, që u denoncua nga ana ime te Presidenti i këtij grupi dhe i cili më pas i bëri letër zyrtare Departamentit të Drejtësisë (të cilën do e keni bashkëngjitur) duke i thënë se pasi u takuam me Kryetarin e Parlamentit dhe të LSI, Z. Meta, ai na informoi se personi që ka firmosur në emër të LSI nuk ka qenë i autorizuar prej tij dhe po kështu edhe fushat e bashkëpunimit janë të ndryshme. Ndaj kërkojmë që ajo të konsiderohet e pavlefshme.

Ndërkohë pagesa 15,000 USD për llogari të kësaj kompanie është bërë në mënyrë transparente nga Kryesia e LSI me kërkesën e Z. Vangjel Tavo, anëtar i Kryesisë dhe deputet, i cili ishte edhe ndërmjetësi që insistoi për takimin me Fidetzis në Athinë në fund të Nëntorit ose Dhjetor 2016.

Po kështu ishte Z. Tavo që insistoi për një pagesë 15,000 USD për McKeon Group bazuar në premtimet e avokatit greko-amerikan se kjo kompani do të ishte shumë me ndikim.

Por kur shkuam në Uashington për inagurimin e Presidentit Tramp, ftesat për të cilën ishin siguruar më parë nga Kongresi, u çudita kur u njoha nga Presidenti i McKeon Group me marrëveshjen që kishte firmosur Fidetzis në emër të LSI dhe i kërkova atij që ajo marrëveshje të anullohej sepse nuk ishte e autorizuar nga unë dhe se fushat e bashkëpunimit që ne ishim të interesuar ishin të ndryshme nga ato që kishte firmosur Fidetzis.

Kontaktet me kompaninë McKeon Group vazhduan edhe pak kohë por kurrë nuk u finalizua një marrëveshje për arsye se ofronin shërbime shumë të shtrenjta dhe që nuk ishin të përballueshme nga ne.

Ndërsa lidhur me pretendimin se më pas u bë një marrëveshje me McKeon Group përmes “Dorelita” të Fidetzis ky është një mashtrim dhe manipulim skandaloz.

Për herë të parë ekzistencën e “Dorelita” e kam dëgjuar kur “Mother Jones” publikoi një shkrim të sponsorizuar.

Që Fidetzis ishte mashtrues, për këtë u binda që në takimin e dytë në Uashington kur e denoncova te Presidenti i McKeon Group.

Asnjëherë se kam autorizuar këtë person për të më përfaqësuar pranë McKeon Group e kujtdo, direkt apo indirekt.

Po kështu, as numrin e telefonit të tij apo adresë email nuk kam patur edhe nuk isha i interesuar.

Çdo kontakt e kam patur me të vetëm përmes Z. Tavo, i cili ishte edhe ndërmjetësi i takimit me të në Greqi, në Nëntor ose Dhjetor 2016.

Po kështu, në Mars-Prill 2017 unë nuk kam qenë në SHBA, nuk kam bërë takime dhe as kisha interes sepse isha zgjedhur President më 18 Prill.

Dua të nënvizoj se me manipulimet e çështjeve CEZ-DIA dhe këtë të McKeon Group është marrë personalisht Charles McGonigal, ish-zyrtar i lartë i FBI, sot në burg.

Po kështu, ai u mor edhe me çështjen e atentatit gjoja kundër deputetëve Doshi-Fufi me kërkesë dhe porosi të Kryeministrit, kryekorruptuesit të ndërkombëtarëve, me qëllim eleminimin e opozitës dhe garantimin e pandëshkueshmërisë së tij.

Ndaj jo rastësisht çështja CEZ-DIA që ishte gjykuar disa herë më parë dhe për të cilën ishin dhënë dënime, u rihap pikërisht në vitin 2018 përmes një kallëzuesi si Romeo Kara.

Prandaj jo rastësisht në 2018 u inskenua një intervistë në mërgim e Vojsava Ismailit me një gazetar, Fatos Mahmutaj dhe jo rastësisht këtë çështje e mori përsipër Altin Dumani në dhjetor 2019 në kulmin e konfliktit tim si President me Kryeministrin Rama dhe McGonigalët, për të mos lejuar kapjen e Gjykatës Kushtetuese.

Lidhur me marrëdhëniet e LSI me dy kompani të tjera lobuese të prezantuara nga shqiptaro-amerikani, Adrian Shatku, çdo vendim dhe autorizim i lëshuar nga unë për këto marrëdhënie ka qënë në respekt ekstrem të ligjeve shqiptare dhe amerikane.

Nëse ka veprime të paligjshme nga ky person apo kushdo tjetër, SPAK-u t’i vendosë përpara përgjegjësisë penale në Shqipëri apo SHBA në bashkëpunim me drejtësinë amerikane.

Dua të sqaroj se asnjëherë nuk kam përfituar asnjë gjë nga ky person përveç njohjes që kemi patur për arsye të origjinës së tij dibrane dhe miqësive që kishte me të afërm të mi për këtë shkak.

Siç e kam deklaruar në SPAK prej kohësh, kisha vënë në dyshim seriozitetin e tij dhe ftohur marrëdhëniet me të dhe për këtë kisha paralajmëruar edhe të afërmit, por edhe bashkëpunëtorët e mi, që kishin kontakte të afërta me të.

Lidhur me pretendimet për mosdeklarime
të shpenzimeve, i konsideroj tërësisht tendencioze.

Së pari, nuk mund të mbaj unë përgjegjësi për çdo shpenzim apo pakësim llogarish të familjarëve të mi apo edhe të ish-gruas dhe ish-vjehrrës time.

Së dyti, siç e kam shpjeguar në SPAK me plotësimin e formularëve të pasurisë merrej ish-bashkëshortja ime, e cila i ndiqte edhe me avokat edhe me noter të gjitha veprimet, edhe për arsyen se shumica e pronave dhe rrjedhimisht llogarive bankare ishin të saj dhe i ndiqte ajo.

Unë kam qenë në mirëbesim të plotë se ajo çdo gjë e bënte sipas ligjit.

Unë asnjëherë nuk kam refuzuar si individ të bëj deklarimin sipas nenit 5 të ILDKPI.

Po kështu, sipas nenit 22 të ILDKPI nuk mbaj përgjegjësi për deklarimin e familjarëve dhe po kështu asnjëherë nuk kam patur sipas nenit 32 as njoftim dhe as gjobë, as nga ILDKPI dhe as nga Tatimet.

Si përfundim Zonja Gjykatëse, pas këtyre shpjegimeve që ju dhashë, unë kërkoj nga ju që me vendimin e sotëm të respektoni Kushtetutën, Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, parimin e prezumimit të pafajësisë dhe një proces të rregullt ligjor për të ardhmen.

Ky hetim skandaloz i sponsorizuar nga Qeveria dhe McGonigalët, i bazuar në mashtrime, manipulime dhe njëanshmëri ekstreme, i konkluduar me një rrëmbim banditesk, siç e kanë parë të gjithë nga banditë me maska, që hyjnë dhunshëm në makinë me armatim të rëndë, që nuk identifikohen, që nuk japin asnjë shkresë apo akt zyrtar, që nuk të lejojnë të kontaktosh avokatin, që nuk të njohin me të drejtat e tua dhe që dhunshëm të fusin në një makinë private për të të çuar në Drejtorinë e Policisë, ku vetëm pas dy orësh vijnë oficerët e Policisë Gjyqësore, duhet të marrë fund.

Unë asnjëherë nuk i kam refuzuar ftesat e SPAK-ut.

Unë nuk kam asnjë pozitë, mundësi të prish provat, sepse prova as nuk ka përveç intervistave dhe hamendësimeve.

Unë as e imagjinoj të arratisem dhe nëse ekziston ky shqetësim ju mund të vendosni të bllokoni pasaportën time.

Por unë jam ish-President, gëzoj këtë status ende dhe juridikisht dhe President i Partisë së dytë opozitare në vend dhe Partia e tretë prej 20 vitesh.

Ndaj ju duhet të më lejoni në bazë edhe të përvojës amerikane të ushtroj detyrimet e mia ndaj atyre qytetarëve që më kanë zgjedhur mua të drejtoj dhe të cilët paguajnë taksa që ju të jepni drejtësi dhe jo afërmendsh të jeni nën diktatin e SPAK-ut, siç e ka deklaruar për gjykatat publikisht Z. Dumani.

Çdo vendim nën diktat jo vetëm do të rëndonte parregullistë e këtij procesi por dhe minonte parimet e shtetit të së drejtës.

Kjo sjellje paragjyqësore e deritanishme (nga SPAK-u dhe Policia) duhet të marrë fund dhe ky proces hetimi dhe gjykimi duhet të vendoset në shinat e procesit të rregullt ligjor në respekt të parimit të prezumimit të pafajësisë.