MENU
klinika

Qelitë bosh prej një muaji

The Guardian: Përfundon plani i Melonit për qendrat e emigrantëve në Shqipëri?

24.11.2024 - 20:40

Dhjetëra oficerë policie dhe punonjës socialë italianë, të vendosur nga qeveria në qendrat e emigrantëve në Shqipëri janë kthyer në shtëpi, pasi u zbulua se objektet për strehimin e emigrantëve të kapur nga Italia, kanë qenë bosh prej javësh.

The Guardian shkruan se pas më shumë se një muaj pas hapjes së qendrave të paraburgimit për azilkërkuesit, të cilat supozohej të strehonin deri në 3000 burra në muaj, më shumë se 50 oficerë policie u kthyen në Itali dy javë më parë, ndërsa dhjetëra punonjësve socialë janë larguar gjatë fundjavës, pasi prania e tyre në Shqipëri u cilësua si e panevojshme.

Që nga hapja e tyre më 11 tetor, vetëm 24 azilkërkues janë dërguar në qendrat në Shqipëri, me qëllim riatdhesimin e tyre në vendet e origjinës. Pesë kaluan më pak se 12 orë në një qendër paraburgimi, ndërsa pjesa tjetër qëndruan për pak më shumë se 48 orë.

Të gjithë u transferuan në Itali pasi gjyqtarët italianë e konsideruan të paligjshme ndalimin e tyre në Shqipëri përpara riatdhesimit në vende, si Bangladeshi dhe Egjipti, të konsideruara si “të sigurta” nga Roma. Duke vepruar kështu, gjyqtarët po mbështesnin një vendim të 4 tetorit nga gjykata e drejtësisë e BE-së.

Si rezultat, qendrat, të prezantuara nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si një model i ri për krijimin e qendrave të ndalimit për azilkërkuesit jashtë BE-së, janë bosh prej më shumë se një muaji.

Në një kohë kur qeveria italiane po përpiqet të balancojë buxhetin, duke shkurtuar fondet për arsimin, shëndetësinë dhe sigurimet shoqërore, partitë opozitare e kanë përshkruar marrëveshjen, që do të kushtojë rreth 1 miliardë euro gjatë pesë viteve, si një katastrofë financiare.

“Misioni u krye!” tha Riçardo Magi, presidenti i partisë së majtë opozitare Più Europa. “Qeveria ka pasur sukses në përpjekjet për riatdhesim. Emigrantët? Jo, operatorë italianë të dërguar në Shqipëri, të cilët do të kthehen në shtëpi brenda fundjavës. Qeveria fillimisht shpenzoi një shumë të madhe fondesh publike, më pas me qendrat e zbrazura, solli disa punonjës policie në Itali dhe tani edhe punonjësit socialë po kthehen në shtëpi. Ky është një dështim”, tha ai sipas The Guardian.

Skema ka çuar në një përplasje mes qeverisë dhe gjyqtarëve, të cilët janë akuzuar nga partitë e ekstremit të djathtë për pengim të projektit.

Nicola Gratteri, kryeprokurori i Napolit dhe një nga gjyqtarët më autoritativë në Itali, tha në një intervistë televizive këtë javë se: “Ne duhet të ndalojmë së sulmuari gjyqtarët vetëm sepse nuk na pëlqen një vendim. Nuk dua të jap një gjykim politik, por them që në këtë moment në Shqipëri janë 250 oficerë të rendit, që s’po bëjnë asgjë. Është humbje të mbash 250 oficerë policie në një mision në Shqipëri, ndaj mendoj se ata duhet të kthehen në Itali ku po luftojmë me mungesën e personelit për mijëra policë.”

Qeveria ka thënë se qendrat në Shqipëri “do të mbeten të hapura dhe funksionale” dhe se transferimet në Itali janë bërë sipas nevojave të personelit. Megjithatë, besueshmëria e kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, është në rrezik pasi ajo e bëri emigracionin një çështje qendrore të fushatës.

Në të kaluarën ajo ka kritikuar paraardhësit për shpenzimin e parave publike për menaxhimin e krizës së migracionit. Transporti nga deti në një anije ushtarake italiane me vetëm tetë burra që mbërritën në Shqipëri gjatë një fundjave në mes të nëntorit kushtoi 250,000 €, më shumë se 31,000 € për azilkërkues në bord.

Elisabetta Piçolotti, një deputete e partisë së Aleancës së Gjelbër dhe të Majtë, tha: “Qeveria ka dështuar duke e ditur se do të dështonte. Kanë shpenzuar një mal me para dhe kanë luajtur me të drejtat e njerëzve. Kjo do të mbetet në histori si një faqe e turpshme për vendin tonë.”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Largohen edhe 50 punonjës italianë

Boshatisen qendrat në Shëngjin e Gjadër