MENU
klinika

"Isha 7 muajshe shtatzënë dhe kam ndenjur 12 orë ulur në studio"

Eni Vasili rrëfen sfidat e profesionit gjatë shtatzënisë

25.11.2024 - 17:00

Gazetarja e njohur Eni Vasili është rikthyer në RTSH pas 20 vitesh, aty ku vite më parë ajo ishte një ndër spikeret më të pëlqyera të lajmeve në TVSH.

E ftuar në emisionin e Ermal Peçit, Vasili tregoi se tani që është bërë nënë është shumë më e ndjeshme dhe i ndodh edhe të përlotet në studio, gjë që nuk i ndodhte më parë.

“Më ka ndodhur edhe të kem vigonat e serumeve në krah. Por kur ti vendos të bësh këtë profesion, kjo është një zgjedhje, pra mbaj mend kur kam qenë rreth 7 muajshe shtatzënë dhe ishin zgjedhjet lokale, kam ndenjur 12 orë ulur në studio. Dhe më shkruanin zonja nga e gjithë Shqipëria: Çohu që aty! Çohu bëj diçka, bëj një xhiro, lëviz, si rri ulur 12 orë. Nuk është e thjeshtë, por unë pata fatin e madh të them të drejtën që nuk pata asnjë shqetësim mjekësor gjatë shtatzënisë, përveç atyre gjendjeve të para, që janë stomaku, të përzierave që janë normale”, tregoi gazetarja.

Kujtojmë se ajo është nënë e dy vajzave binjake Sofia dhe Nikol që sot janë 3 vjeç. Lidhur me ngjarjen e rëndë ku humbi jetën adoleshenti 14 vjeçar Vasili tha:

“Nuk e di si është e mundur që ne të prodhojmë ngjarje kaq të rënda kaq makabre, ku përfshihen për fat të keq edhe fëmijët. Ku po i rrisim ata? Nuk mjafton që ti të bësh maksimumin tënd brenda shtëpisë. Nuk e ke ti në dorë, pra ti e edukon brenda shtëpisë fëmijën tënd, e nxjerr jashtë dhe ai bëhet bir i shoqërisë”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN