MENU
klinika

Lindshmëria në Shqipëri

Këshillat e ekspertëve për çiftet e reja

25.11.2024 - 23:20

Shqipëria po përballet me një rënie të ndjeshme të shifrave të lindshmërisë vitet e fundit. Fenomeni nisi të ndihej pas viteve ’90, por ai lëshoi sinjalet e para shqetësuese në vitin 2011. Rënia e lindshmërisë është faktori i dytë, pas emigracionit, që po ndikon në tkurrjen e popullsisë shqiptare. Ndaj, nisur nga nevoja për të diskutuar të dhënat dhe politikat që duhen ndjekur, mjekë, demografë e përfaqësues të UNFPA Shqipëri analizuan, gjatë emisionit të katërt të ciklit “Shpopullimi”, rrugët e mundshme për të adresuar sfidat e lidhura me lindshmërinë në vendin tonë.

Dorina Toçaj, Analiste e Programit të Shëndetit Seksual dhe Riprodhues dhe të Rinjve në zyrën e UNFPA Shqipëri, theksoi se rënia e lindshmërisë nuk është vetëm fenomen i Shqipërisë, pasi shihet në vendet e Evropës dhe Ballkanit Perëndimor mjaft i shprehur. Mbetet e rëndësishme që fokusi i politikave dhe programe që zbatohen në vend të jetë respektimi i të drejtave dhe zgjedhjeve të informuara. Në studimin më të fundit demografik dhe shëndetësor DHS 2017 – 2018, realizuar nga UNFPA e aktorë të tjerë kyç në vend, një nga treguesit kryesorë lidhet me madhësinë ideale të familjes për çiftet e reja. Kjo e dhënë është 2,5 fëmijë për familje.

“Ne jemi të rrethuar me miq, shokë, familjarë e shohim që struktura familjare bazohet në shumë faktorë. Familjet me më shumë fëmijë janë ato ku burri dhe gruaja ndajnë role të barabarta në familje, familjet ku ka dashuri e respekt, e ku prindërit marrin përgjegjësitë për mirërritjen e fëmijëve të tyre. Ndërkaq, shohim shumë raste ku burrat apo djemtë nuk marrin përgjegjësitë e tyre në mbajtjen e familjes së bashku apo në mbështetjen ekonomike për një mirëqenie sociale e psikologjike të mirë të familjes. Gratë, në shumë raste në realitetin tonë, janë edhe të vetme përballë gjithë sfidave në mbarëvajtjen e familjes. E, në këto raste, ne shohim familje që qëndrojnë me një fëmijë ose me asnjë fëmijë. Dua të theksoj atë që del nga studimi demografik dhe shëndetësor: nuk është se djemtë dhe vajzat nuk duan të kenë fëmijë. Ata duan të kenë fëmijë, dëshira është për familje më të mëdha se sa një fëmijë, por ndoshta faktorët social-ekonomikë, ndikojnë”, – theksoi znj. Toçaj.

Në vitet ’50, Shqipëria njohu një bum demografik, kryesisht për shkak të politikave nxitëse që favorizonin lindjet. Pas viteve ’90, me rënien e regjimit komunist, ky trend ndryshoi. Ndryshimi i strukturës sociale dhe ekonomike ndikoi edhe në përmasat e familjeve shqiptare. Sot, faktorë të ndryshëm social-ekonomikë dhe personalë i shtyjnë çiftet të kenë më pak ose aspak fëmijë. Shumë gra po zgjedhin të mos kenë fëmijë ose të vonojnë shtatzëninë për të ndjekur karrierën dhe për të siguruar stabilitet financiar. Ka edhe nga ato gra që, për shkak të stilit të jetës, nuk sjellin në jetë fëmijë. E tillë është edhe personazhi i dokumentarit për rënien e lindshmërisë në ciklin “Shpopullimi”, Teuta Borova.

“Nuk ka ardhur si vendim. Ka ardhur natyrshëm nga stili i jetës që unë bëj. Sepse unë mendoj kështu: ne nuk vijmë në jetë vetëm për t’u martuar dhe për të bërë fëmijë. Sigurisht fëmija është bekim, është një ndjesi, domethënë që Zoti femrën e ka bekuar, por jo të gjitha. Shumë femra kanë vendosur me dëshirë të mos bëhen nëna. Dhe kjo ka ardhur edhe tek unë. Nuk e kam parë në asnjë aspekt, edhe pse kanë kaluar gjithë këto vite, nuk e kam parë asnjëherë si ‘ah çfarë i kam bërë vetes’, nuk më ka munguar. Kam gjetur gjithmonë mënyra të jem me energji, të jem e mbushur, pse jo të jem dhe e lumtur”.

Emigracioni mbetet një faktor kyç në zvogëlimin e popullsisë, me ndikim edhe në lindshmëri. Shqiptarët në moshë riprodhuese po vazhdojnë të emigrojnë, duke e lënë Shqipërinë me një popullsi të plakur dhe me më pak të rinj për të marrë vendimin për të krijuar familje. Në qytete si Gjirokastra, emigracioni ka ndikuar drejtpërdrejt në uljen e lindshmërisë. Familjet që kthehen nga jashtë, shpesh, sjellin me vete vetëm pensionistë, gjë që rëndon më tej skemën e pensioneve, pa sjellë ndikim pozitiv në rritjen e lindshmërisë.

Demografi Arjan Gjonça pohon: “Kur bëj analizën demografike në disa studime, ndarjen e vendos para dhe pas viteve ’90. Kjo për arsye të fakteve të ndryshëm. Pas viteve ’90 u ndje rënia e lindshmërisë për disa faktorë. Gratë dolën në masë të papuna, 24% – 28%, dhe kjo influencoi vendimin për të bërë një fëmijë të dytë. Gjithashtu, tranzicioni demokratik u shoqërua me emigracion të lartë. Pastaj janë edhe teoritë ekonomike dhe ato psikologjike. Ne nuk jemi të vetëm në këtë fenomen. Ne po i ngjajmë të gjithë vendeve perëndimore ose vendeve të zhvilluara në tranzicionin tonë demografik. Është një rënie graduale që ka ardhur nder vite. Është e pritshme, por shifrat tona nuk janë aq favorizuese, sepse lindjet kanë rënë më shumë se sa vdekjet dhe, në shifra absolute, kjo përbën një problem për të ardhmen”.

Ndërsa mjekët obstetër–gjinekologë, të ftuar në studion e “Shpopullimi”, e vunë theksin në faktin se çiftet duhet të mendohen para se të sjellin në jetë një fëmijë e jo ta bëjnë për shkak të presionit të shoqërisë apo familjarëve.

Dr. Maksim Jani, Shef i Shërbimit të Obstetrikës në maternitetin e Korçës, theksoi: “Pëlqyeshmëria në marrjen e shërbimit shëndetësor në lindjen e parë është e lidhur drejtpërdrejtë dhe është një nga faktorët kryesorë, që përcakton sa shpejt dhe nëse gruaja do të sjellë në jetë fëmijë të tjerë. Ndaj ne, si ofrues shërbimi, duhet të fokusohemi te aksesi dhe cilësia e shërbimeve shëndetësore gjatë shtatzënisë dhe, veçanërisht, gjatë procesit të lindjes, duke respektuar të drejtat e gruas”.

Dr. Enkeleda Prifti, shefe e shërbimit të gjinekologjisë në maternitetin “Koço Gliozheni”, theksoi se: “Është shumë e rëndësishme të mendojmë se ku do të vijë në jetë ky fëmijë. Pra, fëmija që do të vijë në jetë duhet të ketë një ambient të shëndetshëm, si nga ana financiare, sociale dhe emocionale. Po ashtu, është e rëndësishme që edhe prindërit që do të sjellin në jetë një fëmijë të vazhdojnë të jetojnë në mënyrë të shëndetshme edhe pas lindjes së fëmijës/ve”.

Statistikat tregojnë se për të mbajtur të qëndrueshëm numrin e popullsisë, çdo grua duhet të sjellë në jetë mesatarisht 2.1 fëmijë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Politikat që duhen ndërmarrë për rritjen e lindshmërisë

Eksperti: Bonusi i bebes nuk sjell asgjë pozitive!


Nga shërimi i diarresë tek infeksionet vaginale

Arrat ndihmojnë në shërimin e këtyre sëmundjeve

Flasin mjekët për faktet që duhet t’i dini

A është gjenetike sëmundja e depresionit?