MENU
klinika

Caktohet data e seancës

Masa e ‘arrestit në shtëpi’ për Berishën, Kushtetuesja pranon kërkesën për gjykim të përshpejtuar!

26.11.2024 - 15:27

Gjykata Kushtetuese ka caktuar datën se kur do të shqyrtojë ankimimin e Sali Berishës për vlerësimin e masës ‘arrest në shtëpi’.

Gjykata Kushtetuese bën me dije se më datë 27 dhjetor të këtij viti do të shprehet me vendim pa praninë e palëve për kërkesën e Sali Berishës. ”

“Gjithashtu, po në datën 26.11.2024 Mbledhja e Gjyqtarëve, pasi mori në shqyrtim kërkesën për “Përshpejtimin e gjykimit”, të paraqitur nga kërkuesi Sali Berisha në datën 25.11.2024, ka vendosur:

– pranimin e kërkesës për përshpejtimin e gjykimit, si dhe reduktimin e afateve të palëve për paraqitjen e parashtrimeve dhe qëndrimeve të tyre, si dhe caktimin e seancë plenare mbi bazë të dokumenteve në datën 27.12.2024, ora 10:00″, thekson GJK.

NJOFTIMI I PLOTE I GJK

Kolegji i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenin 21, pika 1, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, njofton se në datën 26.11.2024 ka marrë në shqyrtim paraprak kërkesën e paraqitur nga kërkuesi Sali Berisha me objekt: “ Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimit nr. 520, datë 30.12.2023 dhe vendimit nr. 521, datë 27.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, të vendimit nr. 15, datë 25.01.2024 të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë dhe vendimit nr. 00-2024-667 (94), datë 09.04.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë (njoftuar në datën 29.07.2024)”, lidhur me masën e arrestit “Arresti në shtëpi” dhe ka vendosur:

– kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve (pa praninë e palëve), si dhe thirrjen si subjekt të interesuar në këtë proces të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, si edhe të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Gjithashtu, po në datën 26.11.2024 Mbledhja e Gjyqtarëve, pasi mori në shqyrtim kërkesën për “Përshpejtimin e gjykimit”, të paraqitur nga kërkuesi Sali Berisha në datën 25.11.2024, ka vendosur:

– pranimin e kërkesës për përshpejtimin e gjykimit, si dhe reduktimin e afateve të palëve për paraqitjen e parashtrimeve dhe qëndrimeve të tyre, si dhe caktimin e seancë plenare mbi bazë të dokumenteve në datën 27.12.2024, ora 10:00.

VENDIMI I PARE

Me date 21 nentor,Gjykata Kushtetuese interpretoi masat e sigurisë “detyrim paraqitjeje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit” nuk pengojnë punën e deputetit dhe mund të vendosen pa autorizim nga Kuvendi, duke rrëzuar pretendimet e ish-kryeministrit Sali Berisha se SPAK kishte shkelur Kushtetutën.

“Për rrjedhojë, gjykata njëzëri arriti në përfundimin se në rastin konkret, kjo masë nuk përbën kufizim të lirisë personale dhe, për pasojë nuk nevojitet autorizimi nga Kuvendi për zbatimin e saj ndaj deputetit,” thuhet në njoftim. Gjykata arsyetoi se mbrojtja nga imuniteti nuk shtrihej mbi këto dy masa të parashikuara.

“Për pasojë, kërkuesi në cilësinë e deputetit nuk gëzon mbrojtje të veçantë në këtë aspekt, ndaj Gjykata me shumicë votash vlerësoi se kërkimi i autorizimit të Kuvendit nga Prokuroria për këtë masë nuk ishte i nevojshëm,” thuhet në njoftim.

Gjykata Kushtetuese e interpretoi shprehjen “heqje e lirisë në çfarëdolloj forme” bazuar edhe në frymën e amendamentit kushtetues të vitit 2012, i cili synonte reduktim sa më të madh të imunitetit procedural të deputetëve. Sipas vendimit, neni 73/2 duhet të interpretohet ngushtësisht si një avantazh i përkohshëm procedural që e gëzojnë deputetët në funksion të mirëfunksionimit të Kuvendit në tërësinë e tij dhe jo si privilegj i deputetëve si individë.

Kushtetuesja po ashtu rrëzoi pretendimet e ngritura nga Berisha për anësinë e Gjykatës së Posaçme në vendimet e masës së sigurisë. Megjithatë, ajo pranoi pretendimin se bllokimi i pasaportës ishte joproporcional dhe se në rastin e Berishës, masa “detyrim paraqitje” ishte e mjaftueshme.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj shpjegoi se gjykatës i kishte mbërritur pak ditë më parë një kërkesë për vlerësimin e masës “arrest shtëpie” ndaj Berishës, po kjo nuk ishte shqyrtuar në këtë vendimmarrje. Zaçaj shpjegoi se mbledhja zgjati 7 orë dhe se pjesë të vendimit janë unanime e pjesë të tjera me shumicë.

Berisha ka kërkuar në Gjykatë Kushtetuese të shqyrtohet procedura e ndjekur në vendosjen e masës së sigurimit ndaj tij, prej Gjykatës së Posaçme pa marrë miratim nga Kuvendi. Masa e sigurisë është lënë në fuqi në të tre shkallët e gjyqësorit.

Berisha ndodhet në hetim prej tetorit të vitit të kaluar për akuzën e korrupsionit pasiv, kohë kur u vendos masa e sigurimit “detyrim paraqitje” dhe “bllokim pasaporte”. Masa e tij u rëndua në “arrest shtëpie” pasi ish-kryeministri Berisha refuzoi të zbatonte vendimin e gjykatës.