Vendet anëtare të BE-së nuk arritën marrëveshje për hapjen e grupit 3 në negociatat për anëtarësim me Serbinë, por bisedimet për këtë çështje do të vazhdojnë, mësoi RTS nga burime diplomatike në Bruksel. Sipas shërbimit publik, në takimin në nivel ambasadorë, disa vende anëtare nuk e kanë pranuar propozimin e presidencës hungareze të Bashkimit Evropian për fillimin e procedurës së hapjes së klasterit 3.
Midis tyre janë Holanda, Estonia, Letonia, Finlanda dhe Kroacia, ndërsa një numër i konsiderueshëm vendesh deklaruan se duhet të shqyrtojnë më tej situatën përpara se të marrin një vendim përfundimtar, sipas burimeve diplomatike.
Refuzimi i hapjes së klasterit
Si arsye kryesore për refuzimin e hapjes së klasterit, vendet anëtare treguan mospërputhjen e Serbisë me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian dhe sanksionet ndaj Rusisë , problemet në sundimin e ligjit dhe marrëdhëniet me Prishtinën. Sipas burimeve diplomatike evropiane, “një numër i madh i vendeve anëtare theksuan se Beogradi duhet të bëjë më shumë në këto fusha kyçe”.
Presidenca hungareze e BE-së konfirmoi se bisedimet për hapjen e klasterit do të vazhdojnë në nivel të ambasadorëve në ditët në vijim. “Pas një diskutimi të gjatë sot, nuk pati konsensus të nevojshëm, por kjo çështje mbetet në agjendën e komitetit të ambasadorëve (koreper)”, tha përfaqësuesi i presidencës hungareze.
Në raportin e tij vjetor, Komisioni Evropian së fundmi vlerësoi për herë të katërt se Serbia përmbush kërkesat teknike për hapjen e grupit 3 të negociatave. Vendet anëtare nuk kanë dhënë dritën jeshile për hapjen e këtij grupi për tre vitet e mëparshme. Hera e fundit që Serbia hapi kapitujt e rinj të negociatave ishte në dhjetor 2021.
“Drita e kuqe”
Arsyet të cilat më së shpeshti janë përmendur për të mos ia dhënë dritën e gjelbër Serbisë tani për tani, janë dështimi i Beogradit për t’i përshtatur qëndrimet e veta me ato të BE-së në fushën e politikës së jashtme, sidomos me sanksionet ndaj Rusisë, si dhe nevoja që Serbia të bëjë më shumë në fushën e lirisë së shprehjes dhe sundimit të ligjit.
Disa vende kanë kërkuar që Serbia të bëjë më shumë edhe për të sjellë para drejtësisë përgjegjësit për sulmet në Banjskë në veri të Kosovës në vjeshtën e vitit 2023.Një grup i armatosur serbësh e sulmoi Policinë e Kosovës në shtator 2023 në fshatin e Zveçanit, duke e vrarë një rreshter. Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-politikan serb në Kosovës. Ai përballet me aktakuzë në Kosovë dhe besohet se ndodhet në Serbi.
Kosova e akuzon Serbinë se ka gisht në këtë sulm, gjë që mohohet nga Beogradi zyrtar.Për të ndihmuar në arritjen e konsensusit të nevojshëm për Serbinë, Hungaria – e cila kryeson presidencën e BE-së – e ka qarkulluar një non-paper në të cilin ka përmendur disa rezultate që Serbia, sipas saj, i ka bërë dhe obligimet që ka marrë përsipër për t’i përmbushur në të ardhmen.
Përfundimet në “non-paper”
Në këtë non-paper, në të cilin thuhet se Serbia vitin e ardhshëm do të përshtatet më shumë me BE-në në fushën e politikës së jashtme dhe se Serbia ka shprehur përkushtim që ta respektojë obligimet që dalin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën. Por, për momentin një grup vendesh të BE-së nuk e kanë ndryshuar qëndrimin e tyre.
Kjo çështje, sipas burimeve brenda presidencës hungareze të BE-së, do të mbetet në rend dite në takimet e ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së.Ndërkohë, vendet anëtare të BE-së kanë arritur pajtim për të hapur kapituj të rinj në procesin e negociatave me Shqipërinë. Ato kanë kërkuar që Shqipëria ta shpalosë pozitën e vet negociuese me qëllim që më 17 dhjetor të hapen kapitujt që kanë të bëjnë me fushën e politikës së jashtme dhe të mbrojtjes.
Në tetor, Shqipëria e hapi kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian.Hapja e kapitujve për Shqipërinë erdhi pas një pritjeje të gjatë, pasi ajo kishte aplikuar për anëtarësim më 2009 dhe e kishte marrë statutin e vendit kandidat më 2014.