Këshilli i Ministrave miratoi këtë të mërkurë dy akte me rëndësi që kthejnë në xhepat e qytetarëve miliona euro.
Si asnjëherë tjetër, njëqind milionë euro në thesar do të lëvrohen për pensionet e të gjitha llojeve. Sakaq, pesë milionë eurot e vjela si taksë për profesionet e lira do t’u kthehen 6450 tatimpaguesve brenda muajit dhjetor. Ishin ministrat e Financave dhe Ekonomisë që bënë publikë lajmet dje, në një konferencë për mediat fill pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
100 MILIONE EURO
Jo 3.7 miliardë lekë sa janë dhënë vitet e tjera si shpërblim për pensionistët, por plot 100 milionë euro për 724 mijë e 933 pensionistë në të gjithë vendin. Pensionistë, iu referohet të gjitha qytetarëve që trajtohen me pension, të çfarëdolloji: pension pleqërie, invaliditeti, pension të pjesshëm, familjar e shumë të tjera. Të gjithë do të marrin minimalisht 100 euro shpërblim së paku e maksimalisht 150 euro.
Do të jetë vlera e pensionit mujor me të cilin ata trajtohen që do të bëjë diferencën e bonusit. Ata që marrin më pak, nën kufirin 20 mijë lekë do shpërblehen me bonus maksimal në vlerën e 150 eurove. Nuk janë pak, por dy e treta e totalit të pensioneve, 511 mijë. Pjesa tjetër, 213 mijë do të kenë në llogari 100 euro shtesë veç pensionit mujor. Edhe në këtë pikë, qeveria ka vendosur të bëjë disa përjashtime duke futur në kategorinë e pensioneve nën 20 mijë lekë invalidët, pensionet familjare, gra e burra të ve, fëmijë jetim të cilët do të shpërblehen në vlerë maksimale, pavarësisht shumës mujore me të cilën trajtohen.
“Krenar që miratuam sot në qeveri bonusin e fundvitit për pensionistët që është më i madhi ndonjëherë. Përfitojnë 724.933 pensionistë, nga të cilët 511.173 me pension deri në 20 mijë lekë do të marrin këtë fundvit bonusin 150 euro dhe 213.760 pensionistë me pensione mbi 20 mijë lekë, përfitojnë bonusin 100 euro.
65.763 pensionistë invalidë dhe 44.561 pensione familjare pavarësisht sa pension marrin do kenë bonusin e plotë 150 euro. Përfshihen në këtë bonus fundviti dhe 2,900 pensionet e parakohshme të ushtarakëve”, deklaroi ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhja duke shtuar se më këto bonuse rritet automatikisht edhe vlera e pensionit nga 9 deri në 35 për qind.
“Praktikisht, efekti i fondit prej 100 milionë euro të bonusit të fundvitit që miratuam sot, rrit me 9% mesatarisht një pension prej 15,000 lekësh për të gjithë vitin 2024; rrit mesatarisht 13% një pension social; rrit mesatarisht 35% pensionin familjar”.
Shpërndarja e këtij bonusi do të nisë në javën e dytë të muajit dhjetor dhe brenda muajit, të gjithë do të kenë marrë shpërblimin. Të gjithë pensionistët do të marrin edhe një bonus tjetër në pranverën e 2025-ës, në varësi të rritjes ekonomike, për këtë arsye vlera e këtij shpërblimi ende nuk është përcaktuar.