MENU
klinika

“Vasalët” e Putinit në BE sfidojnë Brukselin

“Pazari” që bindi Vuçiçin të afrohet sërish me Moskën

28.11.2024 - 13:00

Kryeministri sllovak Robert Fico, një nga liderët e paktë evropianë që mbeti pranë Kremlinit, njoftoi të mërkurën se do të vizitojë Moskën në maj 2025 për të shënuar 80-vjetorin e fitores mbi nazizmin. “Me kënaqësi pranova ftesën zyrtare të Presidentit të Federatës Ruse, Vladimir Putin, për të marrë pjesë në këto festime të rëndësishme”, ka shkruar ai në Facebook. Ai tha se ishte “i lidhur me trashëgiminë e luftës kundër fashizmit, me të vërtetën historike për Luftën e Dytë Botërore dhe me rolin e Ushtrisë së Kuqe në të”. Robert Fico, në krye të vendit me 5.4 milionë banorë, anëtar i BE-së dhe NATO-s, vendosi vjeshtën e kaluar t’i japë fund të gjithë ndihmës ushtarake për Ukrainën. Ai bën thirrje për negociata paqeje me Rusinë, si kolegu i tij hungarez Viktor Orban, i vetmi lider i BE-së që ka mbajtur lidhje të ngushta me Kremlinin që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës. Në Moskë në maj do të jetë edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç.

Ftesa e Putinit

Vuçiç konfirmoi para pak ditësh se do të vizitojë Moskën në maj për një përkujtimore të Luftës së Dytë Botërore, duke shënuar udhëtimin e tij të parë në Rusi që nga pushtimi i saj në Ukrainë. Vuçiç e bëri njoftimin në një fjalim publik pas një ftese nga presidenti rus Vladimir Putin për këtë ngjarje. “Nëse fundi i botës nuk ndodh — edhe pse nuk jam më i sigurt, por shpresoj se nuk do të ndodhë — do të ishte një nder i madh për mua të jem në Sheshin e Kuq për 80 vjetorin e çlirimit nga fashizmi”, tha Vuçiç. Kremlini ka thënë se dëshiron ta bëjë 9 majin 2025 “festën më të madhe në historinë e tij”, në kontekstin e ruajtjes së vlerave patriotike dhe ushtarake në mes të konfliktit në Ukrainë.

Lidhjet Vuçiç-Fico

Robert Fico duket se ka qenë dhe katalizatori që presidenti serb të pranojë të shkojë në Moskë, pas një takimi që patën në Beograd. Aleanca mes dy liderëve, vendet e të cilëve në vendet e tyre po përballen me protesta, i ka rënë në sy edhe analistëve. Sllovakia, e cila nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, ka paralajmëruar se do ta mbyllë Zyrën e saj ndërlidhëse në Prishtinë. Arsyetimi zyrtar nga Bratisllava, është se me këtë veprim po bëjnë riorganizimin e rrjetit diplomatik dhe zvogëlimin e buxhetit. Një njohës i zhvillimeve rajonale, thotë se ka mundësi që raportet Vuçiç-Fico të kenë ndikuar në veprimin fort të rrallë diplomatik të sllovakëve. Sllovakia, Rumania, Qipro, Spanja e Greqia, janë pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e pranojnë mëvetësinë e vendit që shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008.

“Ftohja” me Moskën

Serbia është një vend kandidat për në BE që nga viti 2012, me zyrtarët e saj që theksojnë se rruga evropiane është prioriteti strategjik i vendit. Por Serbia mban lidhje të forta me Rusinë, si politikisht ashtu edhe ekonomikisht, duke u mbështetur pothuajse tërësisht në gazin rus. Marrëveshja aktuale e gazit skadon në mars dhe diskutimet për një të re janë duke u zhvilluar. Brukseli ka shprehur shpesh shqetësim për lidhjet e Beogradit me Moskën dhe i ka bërë thirrje Serbisë që të harmonizojë politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë me Evropën. Gjatë një vizite në Beograd në fund të tetorit, presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen anuloi bisedimet me kryeministrin e Serbisë Milos Vuçeviç për shkak të takimit të tij të mëparshëm me një ministër rus. Vuçiç foli me Putinin me telefon në fund të tetorit për herë të parë në rreth dy vjet e gjysmë. Beogradi është përballur me kritika për qëndrimin neutral në luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe refuzimin e vendosjes së sanksioneve ndaj Moskës. Përballë presionit të pamëshirshëm nga Perëndimi për të vendosur sanksione ndaj Rusisë, presidenti i Serbisë i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të kuptojë shqetësimet e Beogradit.