Tema të tilla si gentrifikimi, çmimet e larta të banesave dhe mungesa e strehimit social janë çështje thelbësore që kërkojnë adresim në fazat më të hershme të zhvillimit urban. Përvoja e qyteteve të tjera ka treguar se zhvillimi i pabalancuar urban, i cili favorizon përfitimet ekonomike mbi drejtësinë sociale, ka pasoja të thella për komunitetet lokale. Në shumë raste, zhvilluesit prioritarizojnë ndërtimin e rezidencave luksoze, duke lënë pas dore strehimin social ose duke e hequr atë tërësisht nga projektet e tyre për të maksimizuar përfitimet.
Shembull konkret janë Londra e New York duke treguar se gentrifikimi ndikon edhe në hapësirat publike dhe aktivitetet rekreative. Një shembull më i afërt me Tiranën është transformimi i lagjes Savamala në Beograd, Serbi. Dikur një zonë e neglizhuar me ndërtesa të vjetruara, Savamala ka përjetuar një proces të shpejtë gentrifikimi gjatë dekadës së fundit. Investimet e mëdha në infrastrukturë dhe zhvillimi i projekteve luksoze, si “Beograd Waterfront“, kanë tërhequr biznese të reja dhe banorë me të ardhura më të larta. Si rezultat, çmimet e pronave dhe qirave janë rritur ndjeshëm, duke bërë që shumë banorë afatgjatë me të ardhura më të ulëta të zhvendosen nga zona.
Ky proces ka pasur ndikim të madh edhe në hapësirat publike dhe aktivitetet kulturore. Për shembull, hapësira të mëparshme të përdorura nga artistë dhe komunitete lokale për aktivitete kulturore janë transformuar në bare, restorante dhe ambiente komerciale, duke ndryshuar karakterin e lagjes dhe duke kufizuar aksesin e komunitetit në këto hapësira.
Shembulli i Savamalës tregon se gentrifikimi mund të çojë në zhvendosjen e banorëve ekzistues dhe transformimin e hapësirave publike, duke ndikuar negativisht në kohezionin social dhe identitetin kulturor të komunitetit. Ky rast është i ngjashëm me sfidat që mund të përballet Tirana nëse nuk merren masa për të balancuar zhvillimin urban me nevojat e komunitetit lokal.
Ligji 22/2018 dhe Kërkesa për 3% Strehim Social
Në vitin 2018, Shqipëria miratoi ligjin nr. 22/2018 “Për Strehimin Social”, i cili kërkonte që ndërtuesit me projekte mbi 2000 m² të kontribuonin me 3% të sipërfaqes së ndërtuar për qëllime strehimi social. Ky vendim u miratua nga Këshilli Bashkiak i Tiranës në vitin 2020, por hasi në kundërshtime nga Shoqata e Ndërtuesve. Në vitin 2021, Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën për anulimin e kësaj politike, duke ruajtur detyrimin për 3% strehim social.
Megjithatë, sfidat në zbatim mbeten të mëdha. Në disa raste, ndërtuesit kanë zgjedhur të paguajnë një vlerë monetare në vend të dhënies së sipërfaqes së kërkuar, ndërsa në bashki të tjera, si Durrësi, detyrimi është shpërfillur tërësisht. Në vitin 2024, u prezantua një ndryshim që lejon dhënien e sipërfaqes në zona alternative ose konvertimin në vlerë monetare, çka ka ngjallur debat mbi efektivitetin e vet ligjit.
Subvencionimi i Interesave të Kredisë
Një tjetër hap i rëndësishëm është programi i Subvencionimit të Interesave të Kredisë, i cili synon të ndihmojë individët dhe familjet pa mundësi ekonomike për të përballuar çmimet e larta të banesave. Ky program ofron kredi me interesa të ulëta (3%) dhe ka mbështetur deri tani mbi 3,651 përfitues në Tiranë. Meqenëse kërkesa për këtë program është në rritje, Bashkia planifikon të hapë një thirrje të re për aplikime.
Strategjia Kombëtare për Strehimin Social
Në nivel kombëtar, Strategjia e Strehimit Social 2016-2025 synon të përmirësojë aksesin në banesa për familjet në nevojë, duke përfshirë rritjen e fondit të banesave sociale dhe përmirësimin e politikave. Deri në vitin 2022, qeveria ka alokuar 5.3 miliardë lekë për programet e strehimit social, ndërsa për vitin 2025 planifikon të shtojë 2.4 miliardë lekë për të mbështetur 13 mijë familje të tjera.
Çfarë na Pret pas 2025?
Pas vitit 2025, sfidat e zhvillimit urban pritet të intensifikohen. Rritja e turizmit dhe përdorimi i hapësirave për Airbnb mund të reduktojnë stokun e banesave të përballueshme, duke përkeqësuar pabarazitë sociale dhe duke zhvendosur komunitetet vulnerabël. Nëse nuk merren masa për të ruajtur balancën midis zhvillimit ekonomik dhe drejtësisë sociale, Tirana dhe qytetet e tjera shqiptare rrezikojnë të humbasin identitetin kulturor dhe kohezionin e komunitetit.
Në edicionet e kaluara të FABER, këto shqetësime janë adresuar me shembuj konkretë. Chiara Lacovone, Postdoktorante në Urbanistikë në Politecnico di Torino, analizoi ndikimin e Airbnb në qytetet e Europës Jugore. Ajo tregoi se si këto platforma kanë çuar në rritje të çmimeve të banesave dhe zhvendosje të banorëve lokalë, duke ofruar mësime të vlefshme për rregullimin e tregut në Tiranë.
Nga ana tjetër, Julian Ramirez Rentero, arkitekt dhe artist, në prezantimin e tij “Delirious Beach” analizoi transformimin e zonave bregdetare në Spanjë. Ai tregoi se zhvillimi i pakontrolluar turistik në këto zona ka shkaktuar dëmtimin e ekosistemeve dhe ka nxitur protesta masive të banorëve kundër turistëve, duke theksuar nevojën për qasje të qëndrueshme ndaj zhvillimit urban.
Këto diskutime nënvizojnë rëndësinë e marrjes së masave të kujdesshme për të ruajtur balancën midis zhvillimit dhe qëndrueshmërisë sociale e mjedisore, duke shmangur gabimet e qyteteve të tjera. Tirana ka mundësinë të mësojë nga këto përvoja dhe të krijojë një model zhvillimi urban që mbron komunitetet dhe natyrën.
Mësime nga Qytetet e Tjera
Shqipëria ka mundësinë të mësojë nga gabimet e qyteteve që kanë kaluar këtë fazë më herët. Duke zhvilluar politika të qëndrueshme për strehimin, rregulluar tregun e banesave dhe mbrojtur hapësirat publike, ne mund të ndërtojmë qytete që përfaqësojnë vlera sociale dhe kulturore. Përmes kësaj qasjeje, zhvillimi ynë i vonuar mund të kthehet në një avantazh, duke na lejuar të shmangim modelet e dështuara dhe të krijojmë një sistem të drejtë strehimi për gjeneratat e ardhshme.
*Anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe Profesore e Regjenerimit Urban ne Universitetin Polis