Bashkimi Evropian dhe NATO kanë dënuar ashpër sulmin në infrastrukturën kyçe në Kosovë, konkretisht shpërthimin e kanalit Ibër-Lepenac dhe kanë bërë thirrje që fajtorët të gjenden dhe të sillen para drejtësisë. Ky sulm, rastësisht ose jo, ndodhi pikërisht në kohën kur institucionet e Bashkimit Evropian po i kalojnë detyrat nga komisioni i vjetër tek ai i ri. Ka mundësi që sulmuesit të kenë zgjedhur qëllimisht këtë moment vakumi institucional në BE, por edhe pritshmërinë e një ndryshimi në Shtëpinë e Bardhë në SHBA. Ky sulm, së bashku me dy sulmet e një dite më parë në ndërtesat komunale në Zveçan, është një konfirmim se sa e brishtë është gjendja e sigurisë në veri të Kosovës.
Shpërthimi në Veri
Kosova në mënyrë konstante është duke e akuzuar Serbinë në lidhje me sulmin terrorist në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potokut që si pasojë dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj, derisa Beogradi zyrtar pretendon se nuk ka gisht në këtë ngjarje, madje kanë thënë se janë duke e hetuar këtë rast. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si asnjëherë më parë, fillimisht mbajti një konferencë të jashtëzakonshme për media pak para mesnate të premten, duke njoftuar opinionin se sulmi “i rëndë kriminal, terrorist e dashakeq” gjenezën e ka në Serbi. Në të njëjtën linjë ishin edhe institucionet tjera të Kosovës.
Akuzat e Vuçiçit
Nga ana tjetër, të shtunën, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka pretenduar se Beogradi zyrtar nuk ka gisht në sulmin e mbrëmshëm në Zubin Potok. Vuçiç në fjalimin e tij para publikut theksoi se “asgjë nuk mund t’i dëshmohet Beogradit zyrtar nëse diçka nuk ekziston”, dhe se Prishtina në akuzat e saj “flet në gjuhën politike, jo me gjuhën e fakteve”. Duke pohuar se “Beogradi ishte i drejtë dhe nuk u mor me akuzat”, ai shtoi: “Ne nuk thamë se sulmi ishte urdhëruar drejtpërdrejt nga (kryeministri i Kosovës Albin) Kurti, por hetimi më në fund do të tregojë se kush e urdhëroi atë”. Vuçiç tha se ka “fakte të caktuara dhe kush mund të jetë autori”, por se ai “nuk do të flasë ende për këtë”, duke insistuar në një hetim të paanshëm ndërkombëtar. Serbët besojnë se e gjithë kjo është e drejtuar nga pala shqiptare, ne si shtet ende nuk mund të dalim në konkluzione, por po kontrollojmë, shtoi Vuçiç.
Lufta hibride
Edhe në shkurt të këtij viti ai akuzoi shërbimet e huaja, organizatat joqeveritare, si dhe mediat, vendase dhe të huaja, se po bëjnë një luftë hibride, pra, siç tha ai, “luftë me mjete të ndryshme”. Dhe çfarë është në të vërtetë lufta hibride, të cilën Vuçiq vazhdimisht e përmend? Koncepti i luftës hibride është teorikisht ende i diskutueshëm dhe nuk ka asnjë përkufizim të vetëm për të cilin të gjithë mund të bien dakord. Megjithatë, ekziston një marrëveshje se është një lloj strategjie ushtarake në të cilën mjetet konvencionale të luftës kombinohen me mjete të ndryshme jokonvencionale si funksionimi i formacioneve paraushtarake, zbatimi i masave ekonomike si sanksionet, pastaj përhapja e propagandës. lajme të rreme, duke ndikuar në moralin e të dyja palëve dhe së fundmi më e rëndësishmja, duke kryer operacione kibernetike ndaj palës tjetër.
Përshkallëzimi i tensioneve
Sonja Biserko, presidente e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, i shikon incidentet e fundit në Kosovë nga një kontekst më i gjerë. “Fakti që Perëndimi reagoi me shpejtësi dhe mbështeti qeverinë e Kosovës është shumë tregues sepse çdo gjë tregon se qendrat evropiane të inteligjencës ndoshta kanë informacion se kush qëndron pas atij akti”, thekson Biserko. Sakaq, ekspertja e fushës së sigurisë dhe informacionit, njëkohësisht vëzhguese e gjendjes në Ballkanin Perëndimor, Ivana Stradner ka reaguar pas shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit. Analistja amerikane ka shtuar se Vuçiç do ta përdorë përsëri strategjinë e “eskalimit për të de-eskaluar” dhe do të pozicionohet si një shtyllë stabiliteti, duke shantazhuar Perëndimin duke u thënë se, nëse nuk duan që kriza të përshkallëzohet më tej, duhet ta mbështesin atë.