Të mërkurën, më 4 dhjetor, vendet anëtare të BE-së do të diskutojnë sërish hapjen e grupit 3 në negociatat me Serbinë, pasi nuk arritën një marrëveshje për këtë çështje në fillim të kësaj jave. Hungaria, si kryetare e Unionit, ka bërë të ditur se kjo temë do të jetë në agjendën e takimit të ambasadorëve të vendeve anëtare. Përpara debatit, Serbia paraqiti një “non-paper” jozyrtar me një listë të hapave që synon të ndërmarrë në afat të shkurtër, në përpjekje për të bindur vendet skeptike, mësoi RTS nga burime diplomatike në Bruksel.
Në takimin e kaluar, vendet anëtare nuk arritën marrëveshjen e nevojshme për fillimin e procedurës së hapjes së klasterit 3. Shtatë vende, mes tyre vendet baltike dhe skandinave, Holanda dhe Kroacia, e refuzuan këtë propozim të presidencës hungareze. Trembëdhjetë vende e mbështetën atë, dhe shtatë të tjerat, duke përfshirë Gjermaninë, thanë se ende duhet të marrin në konsideratë pozicionin e tyre. Nëse qëndrimet do të jenë të ndryshme të mërkurën e ardhshme do të varet nga kompromisi mes vendeve anëtare, por edhe nga ajo se çfarë do të ndërmarrë Serbia në ditët në vijim.
Burime diplomatike raportojnë se Serbia u ka dorëzuar shteteve anëtare një dokument jozyrtar, të ashtuquajturin “non-paper”, në të cilin përcakton hapat që synon të ndërmarrë në afat të shkurtër, për të inkurajuar vendimin për hapje. Ndër hapat e paralajmëruar për fillim të dhjetorit janë nisja e procedurës për zgjedhjen e këshillit të ri të REM, rishikimi i listës së zgjedhësve në përputhje me rekomandimet e ODIHR, vendosja e vizave për vendet e treta në përputhje me me politikën e vizave të BE-së, funksionimin e plotë të interkonjektorit të gazit me Bullgarinë.