MENU
klinika

Ekzekutimi i biznesmenit Ardian Nikulaj

Portugezi Ruben Saraiva shpallet zyrtarisht autor i vrasjes

06.12.2024 - 17:40

Sërish nën masa të rrepta sigurie, portugezi Ruben Saraiva është paraqitur këtë të enjte pranë Prokurorisë së Rrethit Lezhë.

Ai u njoh me statusin e ri në lidhje me vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj më 19 Prill 2023.

Siç ka deklaruar avokati i tij Kujtim Cakrani, tashmë portugezi nga një person nën hetim prej 1 viti e gjysmë, akuzohet zyrtarisht si autor i vrasjes. Megjithatë, Cakrani tha se beteja ligjore do të vijojë.

“Sot ka ndryshuar pozicioni procedurial. Nga person i dyshuar është akuzuar zyrtarisht si person që ka kryer vrasjen e biznesmenit. Tashmë është i pandehur. Ne do njihemi me aktet e Prokurorisë. Nuk ka asnjë provë tjetër përveç atyre që janë publike”, deklaroi avokati.

Kujtojmë se 55 vjeçari u vra në lokalin e tij në Shëngjin. Në pamjet e kamerave shihej një person me skafandër në kokë, maskë në fytyrë e jelek fosforeshent që e qëlloi me armë zjarri të paktën 7 herë.