Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë kanë publikuar versionin e redaktuar të aktakuzës së re kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe ndaj katër personave të tjerë, të cilët akuzohen për vepra penale që lidhen me “pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të luftës Thaçi dhe të tjerët”.
Një ditë më herët, Dhomat e Specializuara njoftuan se më 29 nëntor 2024 është konfirmuar aktakuza kundër Thaçit si dhe ndaj ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliut.
Në aktakuzë përshkruhen takimet që Thaçi ka zhvilluar me katër të akuzuarit e tjerë në qendrën e paraburgimit në Hagë dhe aty pretendohet se ai u ka dhënë udhëzime se si të dëshmojnë dëshmitarët në rastin kundër tij.
Aktualisht në Hagë është duke u zhvilluar gjykimi ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Zyra e Prokurorit të Specializuar po ashtu pretendon se gjatë bastisjeve që ka kryer në Kosovë, disa të akuzuarve u ka gjetur dëshmi, sikurse janë lista me emra dëshmitarësh apo edhe udhëzimet se si ata duhej të dëshmoni.
Çfarë thuhet në aktakuzë për takimet në qendrën e paraburgimit në Hagë?
Në aktakuzë përmendet vizita e 2 korrikut e vitit 2023 e Fadil Fazliut në qendrën e paraburgimit në Hagë, ku u takua me Thaçin.
“Gjatë vizitës, Hashim Thaçi dha informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarët e ZPS-së” për çështjen kundër tij. Aty thuhet se ai i dha Fazliut “udhëzime të hollësishme që Fazliu duhej t’ia përcillte dëshmitarit të ZPS-së ose se si duhej të dëshmonte dëshmitari 1”.
Aktakuza pretendon se Thaçi dhe Fazliu u pajtuan për mënyrën se si të jepnin udhëzime, dhe u morën vesh që djali i Fazliut, F.Fazliu të kontaktonte me dëshmitarin 1 për caktimin e një takimi.
ZPS pretendon se Fadil dhe djali i tij ishin takuar më herët me dëshmitarin dhe kishin këmbyer mesazhe telefonike më 26 qershor dhe më 3 korrik po ashtu, duke caktuar një takim më vonë gjatë 3 korrikut 2023, “në përputhje me udhëzimet e Hashim Thaçit për Fadil Fazliun”.
Prokuroria pretendon se në kohën kur Thaçi u takua me Fazliun, dëshmitari 1 nuk kishte bërë publike se do të ishte dëshmitar në Hagë dhe dëshmia e tij ishte klasifikuar si konfidenciale.
Koha kur ky dëshmitarë dëshmoi pranë Dhomave të Specializuara, në aktakuzë është e redaktuar.
Aktakuza prej 15 faqesh, përmend edhe një vizitë më 3 shtator të vitit të kaluar të Hajredin Kuçit, i cili vizitoi Thaçin në qendrën e paraburgimit.
Edhe aty thuhet se Thaçi e kishte udhëzuar Kuçin se si t’ia përcillte dëshmitarëve se si duhej të dëshmonin.
“Hajredin Kuçi në mënyrë të përsëritur konfirmoi dhe/ose u pajtua me udhëzimet e Hashim Thaçit lidhur me ndikimin ndaj dëshmitarëve dhe dha sugjerime në lidhje me udhëzimet që duhej t’u jepeshin dëshmitarit 5 dhe dëshmitarit 6. Hajredin Kuçi gjithashtu konfirmoi se kishte takuar më parë dëshmitarin 5 të paktën një herë për të diskutuar dëshminë e dëshmitarit 5”, thuhet në aktakuzë.
Për ish-kreun e AKI-së, Bashkim Smakaj, ZPS tha se ai, së bashku me B.Sh dhe A.B vizituan Thaçin në qendrën e paraburgimit më 9 shtator 2023.
Edhe gjatë këtij takimi, Prokuroria e Specializuar pretendon se Thaçi dha informacione konfidenciale për dëshmitarët në rastin ndaj tij dhe udhëzoi “një apo disa nga vizitorët” që t’i jepnin udhëzimet dëshmitarit 2 e si të dëshmonte në rastin danj tij.
“Hashim Thaçi e cilësoi dëshminë e dëshmitarit 2 si vendimtare dhe dha udhëzime të hollësishme se çfarë duhej të thoshte dëshmitari 2 gjatë dëshmisë së tij. Hashim Thaçi u kërkoi vizitorëve që të vinin ta takonin sërish pas një muaji në qendrën e paraburgimit”, thuhet në aktakuzë. Aty shtohet se Smakaj dhe A.B u takuan sërish me Thaçin më 7 tetor, siç pretendohet, për t’iu dhënë udhëzime të mëtejme se si duhej të dëshmonte dëshmitari 2.
ZPS-ja tha se gjatë kontrollit të makinës së Smakajt më 30 tetor 2023 janë gjetur dokumente ku trajtohej tema e dëshmisë që pritej të jepte dëshmitari 2 “me një version të ngjarjeve që përputhej me udhëzimet e dhëna nga Hashim Thaçi gjatë vizitave në qendrën e paraburgimit më 9 shtator dhe 7 tetor 2023”.
Edhe për këtë dëshmitar, ZPS-ja tha se ai nuk e kishte bërë publike statusin e tij dhe Dhomat e Specializuara e kishin mbrojtur identitetin e tij duke e intensifikuar vetëm me kodin e tij të dëshmitarit.
Sa i përket Isni Kilajt, ai së bashku me V.K, e kishin takuar Thaçin në Hagë më 6 tetor në qendrën e paraburgimit, u tha në aktakuzë.
Gjatë kësaj vizite, ZPS pretendon se Thaçi u ka dhënë të dhëna konfidenciale për dëshmitarë në rastin kundër tij, me udhëzime për dëshmitarin 4 – dëshmitar i mbrojtur – “se si duhej të dëshmonte”.
Gjatë dhënies së udhëzimeve, Hashim Thaçi dha referenca dhe pjesë të deklaratave konfidenciale të mëparshme të dëshmitarit 4. Gjithashtu, Thaçi diskutoi provat konfidenciale të dëshmitarit 3”, u tha në aktakuzë.
Në aktakuzë u tha se gjatë kontrollit te prona e Kilajt më 2 nëntor 2023, janë gjetur materiale “me informacione konfidenciale për proceset e Dhomave të Specializuara të Kosovës [DHSK] dhe të dhëna identifikuese të dëshmitarëve të mbrojtur, përfshirë dhe emrat e dëshmitarëve”, duke shtuar se konkretisht janë gjetur faqe të grisura të deklaratave të dëshmitarit 4, “ndër të cilat edhe pjesë të cilës Thaçi iu referua gjatë vizitës së 66 tetorit 2023”.
Po ashtu, ZPS-ja tha se janë gjetur fletë të një fletoreje, ku pretendohet se kishte përmbledhje të dëshmitarëve aktualë dhe me kodet e tyre të dëshmitarëve.
Në aktakuzë thuhet se Thaçi, së bashku me Fazliun, Smakajn, Kilajn dhe Kuçin, kanë penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrës së tyre. Aty thuhet se ish-presidenti i Kosovës ka drejtuar këto përpjekje përmes vizitave të paprivilegjuara që ka zhvilluar në qendrën e paraburgimit në Hagë.
“Përmes veprimeve të tyre, Hashim Thaçi, Fadil Fazliu, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe të tjerë tentuan që të komprometonin aftësinë e DHSK-së/ZPS-së për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet në mënyrë efektive, përfshirë aftësinë e DHSK-së/ZPS-së për të marrë dhe mbrojtur prova relevante të dëshmitarëve”, shkruhet në aktakuzë.
Smakaj, Fazliu dhe Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor në Kosovë dhe u dërguan në ndërtesën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë një ditë më vonë, tha gjykata.
Ndërkaq, Kuçit i është dorëzuar aktakuza dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para Dhomave të Specializuara. Paraqitja e parë e të akuzuarve do të ndodhë më 8 dhjetor.
Thaçi – i cili është duke u gjykuar nga kjo gjykatë në një rast të ndarë kundër ish-krerëve të UÇK-së për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit – akuzohet se bashkërendoi “tri grupe të veçanta” së bashku me Smakajn, Kilajn, Kuçin dhe Fazliun për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të Prokurorisë në rastin kundër tij dhe të tjerëve për krime lufte.
Aktakuza pretendon se veprat penale kundër administrimit të drejtësisë janë kryer nga 12 prilli 2023 deri më 2 nëntor po atij viti, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit në Hagë mes Thaçit dhe personave të tjerë të akuzuar.
Në aktakuzën e re, Thaçi ngarkohet me tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Fazliu, Smakaj dhe Kilaj akuzohen për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, dhe për mosbindje ndaj gjykatës.
Kuçi përballet me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Dhomat e Specializuara të Kosovës deri më tani kanë shpallur dy aktgjykime për pengim në administrim të drejtësisë.
Dy ish-figura të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, janë dënuar për pengimin e drejtësisë deri tani.
Ndërkohë, Specialja ka shqiptuar edhe dy aktgjykime për krime lufte.
Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Droja nga frikësimi i dëshmitarëve ishte një prej arsyeve pse kjo gjykatë e Kosovës ndodhet në Hagë dhe jo në Prishtinë, “marrë parasysh se bëhet fjalë për çështje të ndjeshme dhe për faktin se disa nga të dyshuarit në pjesë të caktuara të shoqërisë kosovare mund të konsiderohen si luftëtarë të lirisë”, thuhej në komunikatën e Qeverisë së Holandës, të lëshuar qysh në vitin 2016, kur ishte vendosur për këtë gjykatë./REL/